Fiks Fare denoncoi veprimet e Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, të cilat kanë mbajtur në “sirtar” një kallëzim për vjedhje me anë të mashtrimit të një automjeti. Pas interesimit të emisionit investigativ, institucionet lëvizën, duke shpallur në kërkim personin dhe gjetën automjetin.
Në redaksinë e Fiks Fare u ankua Sokol Aliaj nga Fieri, i cili thotë se disa të njohur të tij, i kanë marrë një shumë prej 4400 eurosh borxh. Për këtë borxh, ai ka nënshkruar një deklaratë noteriale që, “nëse nuk i kthejnë brenda kohës së përcaktuar në kontratë, në emër të tij duhet të kalonte një automjet tim BMË 645”. Kjo kohë kaloi dhe familja Haxhaj nuk ia ktheu lekët. Më pas, denoncuesi dhe personat që i kishin marrë borxh, shkojnë te noteri dhe bëjnë kontratë kalimi pronësie të automjetit. Kontrata bëhet mes Sokol Aliaj dhe Eris Haxhaj në fund të muajit mars 2022.
Denoncuesi e merr makinën fizikisht në shtëpi, por konstaton se kishte defekte dhe lajmëron blerësit për të biseduar. Në banesën e tij, shkon i vëllai i shitësit, Amarildo Jaupaj (alias Haxhaj) dhe i thotë se ose do e rregullojë makinën ose do e shesë dhe pasi ti japë lekët do bëjnë prishjen e kontratës. Makinën e merr në fillim të prillit dhe ai zhduket. Qytetari telefonon shitësit, të cilët i thonë se do flasin me Amarildon dhe mos ta denoncojë shpejt. Por, koha kalonte dhe makina s’dukej.
Pas disa javësh, qytetari Sokol Aliaj, shkon në Policinë e Fierit, përkatësisht në datën 4 maj 2022. Pasi është paraqitur disa herë pranë Komisariatit të Policisë së Fierit, dhe s’ka marrë zgjidhje, ka telefonuar në numrin e policisë 129 për të denoncuar një vjedhje me anë të mashtrimit të një automjeti. “Bëra kallëzimin te një OPGJ, Eriselda Idrizaj, por nuk e dërgoi në kohë në prokurori. Më tha është çështje civile. E mbajti 6 ditë dhe s’e dërgoi në kohë” thotë qytetari. Por, në atë kohë, policia nuk shpalli në “alert” automjetin dhe personin që ia vodhi.
Qytetari ankohet se oficerja Eriselda Idrizaj i ka vonuar me dashje nxjerrjen në kërkim policor të vjedhësit dhe makinës. Sipas tij, personi Amarildo Jaupaj është problematik dhe është denoncuar disa herë në polici dhe ka dalë më pas. Pas denoncimit, ai shkoi në Policinë e Fierit për të marrë informacion se çfarë është bërë me çështjen e tij. Takon disa punonjës. Ata i thonë se “ke ardhur edhe disa ditë më parë”, ndërsa punonjësja që është marrë me çështjen ka ikur. Qytetari kërkon të dijë nëse është shpallur në kërkim policor personi apo makina në “alert”, ndërsa ata i thonë se i kanë dërguar materialet në prokurorinë e Fierit.
Pas kësaj përgjigje, qytetari telefonon nr. 129, ku kërkon informacion për kallëzimin dhe nëse makina është apo jo në “alert”. Punonjësi i thotë se “s’ka çfarë t’i thojë më shumë nga ato që ka pyetur te policia e Fierit”. Qytetari shkon edhe në Prokurorinë e Fierit, për të marrë informacion. Prokurori dhe OPGJ nuk e presin, ndërsa punonjësit i thonë se duhet të bëjë kërkesë zyrtare. Ai i thotë se ka bërë kërkesën, ndërsa punonjësit pasi flasin me të tjerë i thonë se duhet të presë “dy javë”.
Për javë me radhë, denoncuesi u sorollat, teksa policia dhe prokuroria nuk vepruan në kohë për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit. Gazetarët e “Fiks Fare” interesohen pranë Drejtorisë së Policisë së Fierit, ndërsa zëdhënësja thotë se do të kthejë një përgjigje zyrtare me shkrim. Dy ditë më pas, Policia e Fierit bëri një njoftim për shtyp ku lajmëronte se kishte rimarrë kallëzimin e qytetarit. Ndërkohë, në redaksinë e Fiks Fare, Policia e Fierit dërgoi një shkresë ku thotë se “materialet e para të dërguara në prokurori ishin arkivuar”.
Sipas saj, në datën 3 qershor ka bërë sërish kallëzim qytetari, ku kallëzimi i dytë ishte ridërguar në Prokurorinë e Fierit me akuzën e mashtrimit. Gjithashtu, pas interesimit të Fiks Fare, automjeti tip “BMË” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa shtetasi E. H. është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. “Vetëm pas interesimit të Fiks Fare institucionet u vunë në lëvizje. Personi u shpall në kërkim dhe automjeti u gjet. Ju falenderoj pa masë, vetëm ju më ndihmuat” përfundon qytetare.
***
Qytetari interesohet te Komisariati i Policisë Fier
Qytetari – Doja të dija se mora në telefon dje te 129-ta për makinën dhe atë çunin që kam bërë një kallëzim. Është shpallur në kërkim apo jo?
Punonjësja e policisë – E ka Nertili akoma… Eriselda (OPGJ-ja) ka 2 ditë që kishte vdekje te shtëpia, kishte njerëz… Nertili s’po ma hap që ka çështjen e Eriseldës.
Pas disa minutash…
Punonjësja e policisë – Eriselda nuk është më oficere po është një person tjetër, është transferuar. Po bëji një kërkesë prokurorisë ta dish se çfarë ka ndodhur me çështjen tuaj. Se ne nuk kemi gjë në dorë, e ka prokuroria se çfarë bëhet, çfarë vendos. Oficeri bën letrat, vendos i zoti i çështjes, prokurori se çfarë ndodh me të!
Qytetari – Të lutem, të bëj një pyetje?
Punonjësja e policisë – Po, më thuaj.
Qytetari – Unë kërkoj, le të iki Eriselda nga ai vend, është shpallur Eris Haxhia (shitësi i makinës), në shpallje në kërkim, ose makina, sendi im që e kam blerë me kontratë?
Punonjësja e policisë – Po pra, duhet t’i bësh kërkesë prokurorisë. Po pra, bëji një kërkesë prokurorisë tha të marrësh vesh se çfarë ka ndodhur me çështjen tuaj.
Qytetari – Kush tha?
Punonjësja e policisë – Oficeri përkatës që ka punuar, që s’ka lidhje. Zonja s’është më oficere për momentin!
Qytetari – Ti më the që e ka marrë një çun tjetër, një oficer tjetër?!
Punonjësja e policisë – Po pra, ai tha është e Eriseldës. E ka marrë emrin e zotërisë, e kam çuar në prokurori. Për çdo gjë drejtohu prokurorisë dhe jo neve. Ne bëjmë shkresat dhe ia dërgojmë prokurorisë. Prokuroria vendos se çfarë bëhet. Më kupton?
Qytetari – Faleminderit.
Punonjësja e policisë – Kështu më tha, kështu po të them.
Qytetari – Rrofsh!
Qytetari telefonon 129-ën!
129 – Policia e Shtetit, Fier, urdhëro?!
Qytetari – Jam një person që jam ankuar, Sokol Aliaj, për një makinë AA 667 XX.
129 – Po.
Qytetari – Dhe kam rreth 20 e ca ditë që kam bërë kallëzim dhe shkova në këmbë vetë (të policia) dhe s’është shpallur as makina as personi në kërkim.
129 – Çfarë do nga ana ime?!
Qytetari – Ai ka marrë makinën me vjedhje me mashtrim.
129 – Po a ke bërë kallëzim ti?
Qytetari – Kam bërë.
129 – Po pse merr te ne tani?
Qytetari – Po dua të di, mbas 48 orëve duhet të shpallet personi në kërkim ose makina. Pas 96 orësh duhet të vejë në prokurori.
129 – Me atë shefin që ke bërë kallëzimin ke folur? Po se s’mund ta zgjidh unë këtë problem.,
Qytetari – Faleminderit, faleminderit për mikpritjen.
***
Qytetari interesohet edhe në Prokurorinë e Fierit
Qytetari – Më dërgoi ajo Oficerja e Policisë Gjyqësore që shko te prokuroria për kallëzimin që ka ardhur këtu te juve.
Punonjësja e prokurorisë – Është bërë kallëzimi…
Qytetari – Dua të di ça është bërë me mjetin, me personin. Është shpallur?
Punonjësja e prokurorisë – Po ti 1 javë ke që ke që ke bërë kallëzimin, ça do…
Qytetari – Si kam 1 javë, kam 1 muaj.
Punonjësja e prokurorisë – 1 muaj?! Po mirë, kanë pritur edhe më gjatë! Shko pyet nesër në mëngjes se çfarë është bërë me mjetin tim apo…, drejtohu prokurorisë.
Qytetari – Kujt t’i drejtohem?!
Punonjësja e prokurorisë – Prokurorisë.
Qytetari – Mirë, faleminderit!
Punonjësja e prokurorisë – Si qëndron dhe…
Qytetari – E bëra një kërkesë para disa ditësh, e kam këtu.
Punonjësja e prokurorisë – Ça ke, ku e ke bërë?
Qytetari – Dhe s’e kam marrë përgjigjen.
Punonjësja e prokurorisë – Këtu thotë 4 i 5-ti. Aaa para 6 ditësh. Brenda 15 ditëve merrni përgjigje.
Qytetari – Brenda 15 ditëve marr një përgjigje, faleminderit.
Punonjësja e prokurorisë – Po ashtu hajde.
Qytetari – Kur të vij?
Punonjësja e prokurorisë – Po s’të erdhi, pas 15 ditëve! Hajde merr përgjigje. /Top Channel/
Discussion about this post