Në 1 mijë metra lartësi në rrëzë të malit të Këndrevicës, pesë kilometra nga fshati Nivicë në Tepelenë, dy vëllezërit Xhebro kishin baxhon e tyre të vjetër, që përpunonte qumështin e staneve të shumta të kësaj zone.
Me kalimin e viteve, ndërtimi i vjetër u zëvendësua me një baxho të re, me një restorant dhe dhoma fjetjeje, duke krijuar në zemër të kësaj zone një oaz larg zhurmës dhe ritmit urban.
Arjola (Brahimi) Xhebro nga “Bujtina Xhebro”, na tregon se ideja e këtij investimi i lindi natyrshëm babait të saj të ndjerë dhe xhaxhait, teksa ndër vite miq e shokë të familjes i vizitonin për produktet e freskëta të baxhos dhe zonës dhe kërkonin diçka më shumë.
“Bujtina ofron fjetje në pesë dhoma të saj. Në katin e parë ndodhet baxhoja e djathit që ka qenë fillesa e gjithçkaje dhe restoranti. Është ndërtim i ri, mbi një ndërtim të vjetër.
Ideja e një bujtine erdhi natyrshëm që nga koha që kishim baxhon dhe miq të prindërve të mi dhe të familjes së xhaxhait vinin e na vizitonin. Aty shërbenim djathin e freskët e pak produkte të freskëta, apo tipike të zonës e më tej lindi ideja e një restoranti.
Babai im dhe xhaxhai vendosën më pas të ndërtonin atë që kemi sot. Pak me kursimet tona, por edhe me një grant nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, jemi këtu”, – tregon Arjola.
Ajo nënvizon se interesi për të vizituar këtë zonë është rritur në dy vitet që kjo bujtinë ka hapur dyert. Më të shumtë janë vendasit (kjo lidhet disi edhe me faktin që bujtina nisi aktivitetin në kohën e kufizimeve të pandemisë) por edhe të huajt kanë nisur të vijnë shpesh. Kryesisht janë gjermanë, por nuk mungojnë as nga vendet fqinje si Greqia.
Teksa mbeten të mahnitur me natyrën dhe gjithçka që ofron kjo zonë në aspektin kulinar e tradicional, ka edhe disa aspekte që mund të jenë frenues. Arjola pohon se infrastruktura rrugore për të shkuar drejt bujtinës është e dobët, ndërsa nuk kanë një lidhje energjie me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por janë sajuar me investimet e tyre.
“Duke qenë larg fshatit kemi pak problem infrastrukturën. Rrugën e kemi ndërtuar vetë dhe makinat mund ta përshkojnë atë. Për ata që nuk duan të vijnë me makinën e tyre, ne ofrojmë transportin nga fshati në bujtinë, kundrejt një pagese minimale, pasi çmimi i naftës është bërë i papërballueshëm.
As lidhje energjie nuk kemi, për ndriçim dhe ujin e ngrohtë kemi investuar në panele, për gatim e bëjmë me dru zjarri”, – pohon Arjola.
Të huajt “rikthehen” me rezervime afatgjata, interes nga rajoni, Europa e Kina
Ai që po mbetet konstant nga viti në vit është fakti që agroturizmi nuk po e ndal ritmin e rritjes. Ky segment po shërben si një mbështetje e rëndësishme për të gjithë sektorin e turizmit, ku gjithmonë e më shumë të huajt po kërkojnë të zbulojnë këtë anë tjetër të Shqipërisë.
Altin Prenga, nga “Mrizi i Zanave”, pohon se interesi mbetet i lartë dhe rezervimet janë afatgjatë.
“Trendi që më ka rënë në sy, në raport me vjet, është rezervimi paraprak nëpërmjet Booking, i cili këtë vit është dy herë më i lartë. Sigurisht ka dhënë ndikim heqja e kufizimeve.
Ka interes që tani për në shtator, që do të thotë se rezervimet janë afatgjata. Më herët ishte tendenca që njerëzit vinin në Shqipëri dhe pastaj rezervonin dhe te ne. Kjo është njësi matëse për ne kur shohim që ka rezervime në afat të gjatë në një kohë që kërkesa është e madhe”, – pohon Prenga.
Tregjet e interesuara mbeten ato të Europës, kryesisht Gjermania, por ka rezervime edhe nga Anglia, Italia. Në lidhje me turizmin patriotik ai vëren se është më shumë rajonal, në kuptimin që rezervimet, edhe pse janë nga shtete si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, nuk janë vetëm nga shqiptarët e këtyre trevave.
Fundim Gjepali nga Agroturizëm Gjepali, thotë se ecuria e mirë e agroturizmit është vërejtur që në fillim të këtij viti, edhe pse nënvizon se situata në Ukrainë dha një shkundje 10-ditore në ditët e para të fillimit të luftës. Sipas tij, tregjet që janë afër me vendet e konfliktit, por edhe vendet e përfshira, ishin në rritje në vendin tonë, por tashmë nuk janë më të pranishme.
“Nga platforma si Booking.com apo dhe faqja jonë e internetit mund të them se ka interes nga e gjithë bota. Kemi nga Kina, nga Europa Perëndimore dhe ajo Lindore, ndërkohë që ka rënë kërkesa nga vende si Rusia, Ukraina, Armenia, për shkak të luftës dhe pasigurisë që ka dhënë në disa tregje. Këto vende ishin një klientelë e rëndësishme që tani nuk e kemi më”, – nënvizon Gjepali.
Konsolidimi i sektorit, nga krijimi i shoqatës te një ligj i ri i posaçëm
Agroturizmi pati një zgjerim të shpejtë dhe jo uniform në të gjithë vendin. Tipologjia e strukturave agroturistike ndryshon nga njëra te tjetra, duke mos krijuar një tablo të qartë mbi atë se çfarë është në të vërtetë një sipërmarrje e kësaj natyre.
Tashmë duket se sektori ka arritur një pikë fillestare maturimi, duke hedhur edhe hapat e para të konsolidimit të plotë. Vetëm pak javë më parë u njoftua edhe krijimi i Shoqatës së Agroturizmit, e cila ka në përbërje të saj 71 anëtarë.
Flori Uka, në cilësinë e Kryetarit të shoqatës, shprehet se ky është një moment i rëndësishëm për këtë sektor, pasi tashmë janë një grup, zëri i të cilit, i unifikuar, mund të dëgjohet më lehtë tek institucionet, për problemet që i shqetësojnë.
“Qëllimi i shoqatës, që në momentin e konceptimit, ka qenë që si fillim të identifikohemi si një sektor i cili po merr një peshë jo të vogël në ekonominë vendase. Të krijojmë lehtësi për subjektet anëtare, duke e bërë më të lehtë ngritjen e problematikave që e shqetësojnë, trajtimin e tyre përballë autoriteteve publike”, – nënvizon Uka.
Një nga hapat e para që ka marrë shoqata është rishikimi i legjislacionit, duke kërkuar hartimin e një ligji të ri të posaçëm për këtë sektor.
“Kuadri aktual normalisht ka disa ngërçe që janë në fakt të pranueshme, po të kemi parasysh që u hartua thjesht për të krijuar një koncept mbi agroturizmin për herë të parë.
Si diçka e re, sigurisht që u është referuar modeleve të huaja. Por duhet të kemi parasysh që në realitetin tonë, duhet një ligj që përshtatet me kushtet tona, ndaj po kërkojmë një ligj të posaçëm që të jetë realist me situatën e vendit dhe të përshtatet me të”, – thekson ai.
Sipas tij, sot në vend ka agroturizme të shumtë, të njohur dhe të marketuar si të tillë, por me kushtet e ligjit përjashtohen nga tregu shumë subjekte.
“Ndaj them që duhet rishikuar kuadri dhe duhet bërë më përfshirës. Mendoj se ajo që e bën agroturizmin tonë autentik është bashkëpunimi me fshatarët.
Ne nuk jemi si modeli italian, që përballon gjithçka vetëm, modeli shqiptar do të ketë pikën më të fortë bashkëpunimin me banorët e zonës ku është ngritur, sesa me fermën rreth restorantit. Sigurisht ferma e vet do të ketë një peshë jo të vogël në vlerësimin e kategorizimit të agroturizmit”, – shprehet Uka.
Agroturizmet nuk rrisin çmimet, amortizojnë rritjen e kostove me prodhimin
Rritja e kostove të energjisë, ushqimeve, naftës e ka bërë të pamundur mosreflektimin e tyre në ofertën finale që bizneset kanë për produktet te konsumatori fundor.
Por sipërmarrjet agroturistike shprehen se, në përgjithësi, nuk ka rritje të çmimeve. Këtë kosto janë munduar ta amortizojnë, duke ulur atë pak fitim që kanë si dhe falë prodhimeve të tyre.
“Ne jemi prekur shumë pak në fakt dhe jemi munduar të ruajmë atë që kemi pasur. Për ne është më e thjeshtë ta bëjmë këtë, pasi jemi një sipërmarrje solide dhe prodhues të shumë produkteve. Kjo bën të mundur amortizimin e kostove, por nëse situata vijon siç është, do të jetë e pashmangshme që me kalimin e kohës të qëndrosh njëlloj”, na pohon Altin Prenga, nga “Mrizi i Zanave”.
Edhe Fundim Gjepali, nga agroturizëm “Gjepali”, nënvizon të njëjtën gjë.
“Kostot janë rritur shumë. Çmimet e ushqimeve janë rritur të gjitha, edhe ato më periferike në kuzhinë. Kostot totale janë rritur minimumi me 30%. Gjithsesi, ne kemi vendosur të mos i ndryshojmë çmimet dhe jemi në fazën e verës që kemi prodhimet tona dhe do ta amortizojmë disi këtë efekt, por është e vështirë.
Ka dhe diçka që pavarësisht kostove të rritura, duhet të mbash standardin, pasi dikur, kur njerëzit shkonin në fshat, toleronin edhe ndonjë ngërç në shërbim, ndërsa tani kërkesa është tjetër”, – thekson Gjepali.
Mungesa e fuqisë punëtore vështirëson investimet në agroturizëm
Shqetësimi që po ngrihet në përgjithësi fort nga industri të ndryshme për mungesën e fuqisë punëtore duket se po prek edhe agroturizmet. Flori Uka, nga “Uka Farm”, pohon ka nevojë për punonjës në hallka të ndryshme, por nuk është e lehtë t’i gjesh ata.
“Ajo që konstatoj si problematikë është vështirësia për të gjetur punëtorë. Duhet të shkojmë drejt gjetjes së punonjësve që janë të zonës, por duhet të trajnohen për të qenë më kreativë.
Flas këtu për shembull për shefat e kuzhinës. Duhet të kemi shefa të modernizuar që i shtojnë krijimtarinë aktivitetit, duke ruajtur tipologjinë e agroturizmit. Kemi plane për zgjerim, por jemi frenuar prej punëtorëve. Po bëhet gjithmonë e më e vështirë”, – nënvizon ai.
Edhe Arjola (Brahimi) Xhebro pohon se gjetja e punonjësve është e vështirë në zonën e Nivicës.
“Kjo është një zonë shumë e mirë dhe në zhvillim, por është sfidë për të gjetur fuqi punëtore, sepse banorët e zonës nuk janë shumë të interesuar të punojnë në shërbim.
Qoftë kur na duhet një kopshtar, mirëmbajtës, ndihmës në kuzhinë, apo sanitare, është vështirë të gjesh. Mund të vijnë një ditë dhe ditën tjetër jo dhe pagesa nuk është e vogël, por thjesht nuk e shohin si alternativë” – thotë ajo.
Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave” shprehet se ndoshta mungesa e fuqisë punëtore do të ketë në fund një të mirë, që do të çojë në vlerësimin e duhur të njeriut.
“Është i vetmi lajm i mirë do të thosha, pasi nuk ka pasur asnjë zgjidhje tjetër që të ndryshojë mentaliteti shqiptar mbi burimet njerëzore.
Ikja drastike do të bëjë vlerësimin e krahut të punës e në gjithë këtë situatë ndoshta do të përballemi dhe të gjejmë për herë të parë atë që quajmë shtresë të mesme”, – thekson ai./MONITOR
Discussion about this post