Nga Armand Kullau
Shtatë vite pas investimit 619 mijë euro nga fondet e BE-së për Parkun Arkeologjik të Apollonisë, askush nuk e di se kush ishte autori i këtij projekti, ndonëse prej vitesh arkeologët kanë kërkuar shpjegime që mos të shkatërrohet ky park. Ne bëmë një hulumtim për të mësuar më shumë mbi këtë investim, por si Ministria e Kulturës, ashtu edhe zyra e BE, qoftë në Tiranë apo Bruksel nuk e kanë bërë publik emrin e autorit të projektit, duke na vënë në dispozicion kontratën jo të plotë të këtij investimi.
Historia zë fill që në vitin 2015, kur delegacioni i BE në Tiranë vuri në dispozicion një grant prej 619 mijë euro “Për ruajtjen, restaurimin dhe rehabilitimin e Manastirit të Shën Marisë dhe peizazhin e Apollonisë”. Menjëherë pas këtij projekti, Profesori i njohur i arkeologjisë shqiptare, Neritan Ceka, pati një takim me ambasadoren e asaj kohe të delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ku i paraqiti disa nga shqetësimet e tij në lidhje me praktikën e investimeve të BE-së në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Megjithatë, siç kujton profesor Ceka, Vlahutin u largua shumë shpejt pas asaj bisede. “Duke menduar se ambasadorja Vlahutin nuk pati kohë të reflektonte mbi dëshmitë e mia si specialist, iu drejtova me një letër pasardhësit të saj, Luigi Soreca”, kujton Ceka.
Në letrën e dërguar më 22 tetor 2018, profesor Ceka ngre shqetësimin, për tre monumente të trashëgimisë kulturore, konkretisht varrezat mbretërore ilire në Selcë, Parkun Arkeologjik të Apollonisë dhe Parkun Arkeologjik të Finiqit.
Në letrën e siguruar, Ceka vë në dukje se investimet me fondet e BE në Selcë ishin një përsëritje praktike që është bërë edhe në rastin e projekteve të Parkut Arkeologjik të Apollonisë dhe Parkut Arkeologjik të Finiqit, të financuara nga fondet europiane. “Mendoj se kjo është arsyeja pse ato projekte kanë rezultuar thellësisht diletante dhe kanë shpërthyer më shumë se një milion euro të taksapaguesve europianë, duke ngritur një pikëpyetje të madhe se si zbatohen këto financime bujare të BE-së në monumentet arkeologjike të Shqipërisë”, shprehet arkeologu, duke renditur një sërë problematikash që vihen re prej tij.
Shqetësimet e ngritura nga arkeologu Ceka
Sipas arkeologut të njohur Apollonia mund të zërë një vend guiness për investimet absurde:
– për ndërtimin e një parkingu, një kilometër larg qendrës arkeologjike dhe krejtësisht i padobishëm;
– për ndërtimin e një rezervuari gjigant uji me sistem zjarrfikës, krejtësisht i panevojshëm dhe jashtë funksioni;
– për derdhjen e sasive të konsiderueshme të betonit në themelet e monumentit kryesor të Apollonisë pa gërmime të rregullta dhe pa dokumentacion arkeologjik;
– për mungesën e investimeve në mjediset e parkut, ku vizitorët vazhdojnë të qarkullojnë në shtigjet e vjetra drejt përrenjve nga reshjet dhe ku biletat u shiten në natyrë dhe kur tavolinat e vjetra të zbardhura nga dielli janë ende në vend dhe koshat e plehrave nuk kanë ndryshuar.
– për praktikën diletante të konservimit dhe restaurimit, ku muret e kishës së Shën Mërisë janë dërrmuar, sikur të ishin në mes të smogut të Brukselit dhe jo në ajrin e pastër të Myzeqesë.
– për mënyrën joprofesionale dhe anestezike të ngritjes në portik muze, i vetmi investim real që nuk kalon vlerën 50 000 euro.
Foto: Parkingu në hyrje të Parkut Arkeologjik Apollonia pa strehë nga shiu dhe dielli
Foto: Rrugicat në brendësi të parkut që përmbyten nga shiu
Ping-pongu për të gjetur projektuesin dhe shpjegime për investimet
Duke marrë shkas nga deklaratat e arkeologut, më 28 shkurt 2022, kërkuam pranë Ministrisë së Kulturës vënien në dispozicion të projektit për “ruajtjen, restaurimin dhe rehabilitimin e Manastirit të Shën Marisë dhe peizazhin e Apollonisë”, i financuar nga BE. Në përgjigjen e saj, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Entela Çipa tha se procedurat e thirrjes, vlerësimit dhe përzgjedhjes së fituesit për këtë projekt janë kryer dhe ndjekur nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, duke na sugjeruar t’ua kërkonim atyre informacionin.
Përgjigje nga Ministria e Kulturës
Pas hedhjes së topit nga Ministria e Kulturës tek zyrat e BE në Tiranë, më 1 Mars 2022, kontaktuam Zyrën e Delegacionit të Bashkimit Europian për të marrë informacione rreth kontratës së firmosur midis Delegacionit të BE-së dhe kompanisë fituese për grantin e akorduar nga Bashkimi Europian. Zyra e BE në Tiranë na nisi një link , i cili nuk na lidhte me kontratën, por te një faqe e Bashkimit Europian, e cila nuk kishte lidhje me kontratën. Ne e përsëritëm sërish kërkesën se nuk na ishte vënë në dispozicion kontrata, siç përcaktohet në ligjin për të drejtën e informimit, por sërish përgjigjja e delegacionit të BE në Tiranë, ishte i njëjti link.
Duke mos marrë një përgjigje mbi këtë kontratë e cila kërkohet prej 7 vitesh, më 30 mars 2022, ne iu drejtuam për informacion Zyrës për Median në BE. Pas kësaj kërkese, zyra e medias në Bruksel na vuri në dispozicion kontratën (jo të plotë), e cila ishte nënshkruar mes delegacionit të BE në Tiranë dhe kompanisë kontraktuese. Sipas kontratës, më 19 qershor 2015, fituesi i Lotit I, me vlerë 619 mijë euro, është shpallur kompania “AD-STAR LTD”, periudhë në të cilën delegacioni i BE në Tiranë drejtohej nga ambasadorja Romana Vlahutin. Më 2 dhjetor 2015 është nënshkruar kontrata me këtë kompani për katër tendera.
Burimi: Bashkimi Europian
Punimet përfshinin ruajtjen, restaurimin dhe rehabilitimin e Manastirit të Shën Marisë dhe peizazhin e Apollonisë.
Ndërkohë, po sipas zyrës së BE në Bruksel, në fazën e dytë të projektit për restaurimin dhe konsolidimin e Manastirit të Shën Mërisë në Apolloni, fitues është shpallur kompania greke “PLANET S.A” në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Atelier 4”. Manastiri i Shën Mërisë është përfshirë në listën e projekteve në vijim të Procesit të Lubjanës – Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Europën Juglindore, për të gjeneruar kapital social dhe ekonomik, për të përfituar banorët e zonës. Megjithatë, nuk na është vënë në dispozicion vlera për këtë fazë të projektit.
Profesori kishte rezerva edhe për këtë pjesë të Apollonisë. “Muret e kishës së Shën Mërisë janë dërrmuar ngaqë është zbatuar një praktikë diletante e konservimit dhe restaurimit”, shprehet profesor Ceka. Duke verifikuar kontratën, zbuluam se mungonte emri i Supervizorit të tenderit për llogari të Zyrës së Bashkimit Europian. Sipas arkeologut, “në kontratë mungojnë çmimet e punimeve dhe më e rëndësishmja, mungojnë emrat e personave dhe kompanive që kanë projektuar pjesën e parë të projektit, pjesa më e dëmtuar e parkut”. “Apollonia mund të zërë një vend guiness për investime absurde për derdhjen e sasive të konsiderueshme të betonit në themelet e monumentit kryesor të Apollonisë pa gërmime të rregullta dhe pa dokumentacion arkeologjik”, deklaron arkeologu Ceka.
Duke qenë se as zyra në Bruksel nuk na vuri në dispozicion emrin e projektuesit apo të supervizorit, ne kontaktuam me z. Vidmantas Ruplys, i cili ka qenë oficer i prokurimit pranë Delegacionit në Tiranë dhe pjesë e procedurës së prokurimit në vitin 2015, kur u realizua tenderi. Zoti Ruplys deklaroi se kishte 6 vjet që ishte larguar nga Zyra e BE-së në Tiranë, megjithatë ai u shpreh se Supervizori i punimeve ishte kompania “AEMA” shpk, si drejtuese e konsorciumit. Kompania në fjalë është e themeluar në 2010 nga Leka Shameti dhe në dhjetor 2018 i ka kaluar një pronari të ri, i cili ka pezulluar aktivitetin e firmës. Ne kontaktuam me pronarin e kësaj kompanie, Erio Qerfozi, i cili deklaroi se e ka marrë këtë kompani disa vite më vonë dhe nuk kishte dijeni mbi supervizimin e projektit të Apollonisë. Në këto kushte, ne u përpoqëm të kontaktonim zotin Shameti, i cili ka qenë pronari i “AEMA” shpk në kohën e projektit, por numri në QKB ishte jashtë përdorimit dhe nuk kemi arritur të vendosim një kontakt deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërkohë, Zoti Ruplys na tha se për informacione të mëtejshme mund të kontaktonim projekt menaxheren e tenderit të Apollonisë, Znj. Entela Sulka. Pasi kontaktuam Znj. Sulka duke i dërguar dhe pyetjet tona rreth projektit, ajo deklaroi se kërkesën tonë për informacion ia delegoi Zyrës së BE në Tiranë, duke refuzuar t’iu përgjigjej pyetjeve tona. Ne i dërguam sërish e-mail Zyrës së BE-së në Tiranë, folëm në telefon me sekretarinë për mungesë përgjigje, por nuk morëm një përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Kush janë kompanitë e identifikuara deri më sot për projektin e Apollonisë
Për të kuptuar më shumë filluam të verifikonim profilin e kompanive e tjera rreth punës ndaj Apollonisë.
Kompania “AD-STAR” shpk është krijuar në vitin 1994 dhe ka si pronar Alfred Çomën. Kompania ka marrë projekte të ndryshme nga qeveria shqiptare, kontrata publike për rregullimin dhe restaurimin e Kryeministrisë, kontrata për rregullimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, kontrata për Ministrinë e Zhvillimit Urban, kontratë për Kalanë e Gjirokastrës dhe Pazarin e Korçës, ku ky i fundit është fituar pa garë me mungesë konkurrentësh. Për periudhën 2015-2022 transaksionet e kompanisë me institucionet qeveritare janë 14-fishuar në krahasim me periudhën 2012-2014 pasi ka marrë 1.57 miliardë lekë ose 13.1 milionë euro nga institucionet qeveritare. Nga këto transaksione, më shumë se 1/3 kanë shkuar për rregullimin e godinës së Kryeministrisë, punime të cilat kapin vlerën e 387 milionë lekëve ose 3,2 milionë euro.
Kompania “Atelier 4” shpk ka si aksioner kryesor Alban Efthimiun, i cili ka qenë drejtor i arkitekturës në Bashkinë e Tiranës në kohën që kryetar bashkie ka qenë kryeministri i sotëm Edi Rama. Pasi u largua nga bashkia Tiranë, në 2003 Zoti Efthimiu ka themeluar kompaninë private “Atelier 4”, e cila ka bërë projektimin e planeve vendore të bashkive, projekte stadiumi, salla teatrosh, zhvillimin strategjik të Rivierës Shqiptare, projektimin e Teatrit Kombëtar, kontrata të fituara nga institucionet buxhetore. Nga 2015 e në vazhdim, “Atelier 4” shpk ka marrë transaksione me vlerë 6 milionë euro nga institucionet buxhetore duke 5-fishuar të ardhurat nga fondet publike në krahasim me periudhën 2012-2014.
Kompania ndërkombëtare me seli në Greqi “PLANET S.A” e themeluar në vitin 1987 merret me konsulencën dhe menaxhimin e projekteve në Europën Juglindore. Në shtator të 2017 Planet S.A (GR) u rendit si partner i Konsorciumit të udhëhequr nga LDK Consultants Global EEIG së bashku me kompanitë shqiptare “Spot Communications LTD” dhe “Planet Albania LTD” të cilët morën një fond me vlerë 1.5 milionë euro nga Bashkimi Europian. Projekti i ofronte asistencë Delegacionit të BE-së në Shqipëri në aktivitetet e saj të informacionit dhe komunikimit. Ky program synonte rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për Bashkimin Europian, politikat dhe programet e tij dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve në Shqipëri.
Por me qëllimin për të mësuar më shumë rreth projektit të Apollonisë me dy faza, konkretisht për projektuesit, supervizimin, cilësinë e punimeve etj, probleme të ngritura dhe nga arkeologu Neritan Ceka, ne kontaktuam me kompanitë e sipërpërmendura, konkretisht “AD-STAR” shpk, “Atelier 4” shpk dhe “PLANET S.A”, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje nga kompanitë.
Megjithatë, gjatë kërkimit zbuluam se këto kompani nuk është hera e parë që bashkëpunojnë mes tyre. Sipas të dhënave, “AD-STAR” shpk dhe “Atelier” shpk shfaqen përsëri bashkë me kompaninë italiane “C.G.F construzioni Generali S.P.A” dhe “Rebus” shpk te projekti për rikonstruksionin e godinës së ish-hotel Dajtit, objekt në pronësi të Bankës së Shqipërisë, e cila e bleu për 30 milionë euro në 2011 nga qeveria shqiptare. Për restaurimin e ish-hotel Dajtit u zhvillua tenderi me fond limit 18 milionë euro, punimet për të cilin sipas tabelës kanë filluar në nëntor 2017. Kujtojmë se emrat e kompanive për projektin kanë qenë mister në atë kohë duke shkaktuar debat në opinionin publik, i cili detyroi Bankën e Shqipërisë të dilte me një deklaratë sqaruese.
Foto: Ish-hotel Dajti, tabela e punimeve e dëmtuar ku shënohen emrat e kompanive
Ndërkohë, pesë vite më vonë duket se historia me këto dy kompani përsëritet dhe sërish ka vështirësi për të marrë përgjigje të drejtpërdrejta nga instititucionet, qofshin ato kombëtare apo ndërkombëtare. I të njëjtit mendim është edhe profesor Ceka, i cili shprehet se projekti Apollonia ka mbetur anonim dhe nuk gjendet në asnjë zyrë të Ministrisë së Kulturës dhe as në Parkun Arkeologjik të Apollonisë. “Askush nuk e di se kush ishte autori i këtij projekti diletantësh, kush këshilloi Ministrinë e Kulturës dhe cilët ishin arkeologët që ndoqën gërmimet, që u zhvilluan në pjesën më të rëndësishme të qytetit antik. Dihet vetëm se tenderi është bërë në Bruksel, është fituar nga një kompani greke dhe është zbatuar nga një nënkontraktor shqiptar, i cili fiton vazhdimisht tenderat e konsultuar nga Ministria e Kulturës”, përfundon arkeologu Ceka.
Foto: Sistemi i zjarrfikëses në Apolloni
Foto: Turistët duke pritur për biletat në Apolloni, mungon streha nga dielli dhe shiu
Burimi: Bashkimi Europian
Kriteret e kualifikimit për kontratën e Apollonisë
Foto 1: Portiku i muzeumeve, para ndërhyrjes në Apolloni
Foto 2: Pas ndërhyrjes në Apolloni
Foto 1: Rruga e Parkut Arkeologjik të Finiqit, mure që vazhdojnë të shemben nga reshjet pas investimit
Foto 2: Parku Arkeologjik i Finiqit
Foto 3: Parku Arkeologjik i Finiqit
Discussion about this post