Ligjërimi i prodhimit të kanabisit për arsye mjekësore nisi me një deklaratë të fortë të Kryeministrit Edi Rama në një studio televizive me datën 4 prill 2020. Rama paralajmëroi atëherë se qeveria po shqyrton mundësinë e legalizimit të kanabisit mjekësor. Krahas me debatin e ashpër që shkaktoi në publikun e gjerë dhe shumë më tepër në ambientet e politikës, qeveria avancoi me studimin dhe përgatitjet për të legalizuar kultivimin e bimës.
Edi Rama nuk humbi kohë por vendosi t’i përfshijë qytetarët shqiptarë në këtë proces, duke u kërkuar mendim përmes Këshillimit Kombëtar. Pyetësorit të nismës së qeverisë për Këshillimin Kombëtar, për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, iu përgjigjën pro 308 mijë qytetarë, 148 mijë kundër dhe 51 mijë nuk shprehën një mendim. Kaq mjaftoi që Kryeministri Edi Rama të nxitonte për ta kthyer atë në një ligj.
Ndaj qëndrimi i shumicës së shqiptarëve pro legalizimit, tashmë është reflektuar në një draft nga ana e qeverisë të cilin e disponon gazeta “Panorama”, i cili pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe më pas do të depozitohet në Kuvend. Nisma ligjore parashikon rregullimin dhe kontrollin të kultivimit, përpunimit dhe eksportimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, të destinuar për qëllime mjekësore dhe industriale.
Për zbatimin e ligjit krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Agjencia është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni fundor i kanabisit. Sipas nismës ligjore, që një kompani të fitojë të drejtën për kultivimin dhe eksportimin e kanabisit, duket të pajiset me licencë përkatëse.
Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit. Brenda 30 nëntorit të këtij viti do të caktohen zonat e mbjelljes, ndërkohë që aplikimi për licencë nis me 2 janar 2023. Konkretisht, në bazë të nenit 45, pika 1 e projektligjit, Këshilli i Ministrave brenda datës 30 nëntor të çdo viti, miraton me propozim të Agjencisë zonat kadastrale (territoret) ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllim industrial.
Kurse sipas nenit 44 pika 1 dhe 3 “Subjekteve të interesuara për kultivimin e bimëve që përmbajnë lëndë narkotike dhe psikotrope për qëllime mjekësore, u lind e drejta për aplikim për leje pas datës 01.01.2023”. Sipas ligjit të hartuar nga qeveria, licenca për kultivimin do të jepet për 15 vjet për të kultivuar 150 hektarë kompanive që kanë një kapital fillestar prej 100 milionë lekësh dhe përvojë në kultivimin e bimëve mjekësore. Licenca do të miratohet me vendim të qeverisë, me propozim të ministrit të Shëndetësisë.
Çdo personi juridik që aplikon për licencë duhet të ketë eksperiencë në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore. Ai vetë ose një aksioner i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së dhe zotërues i GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/ Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat).
30 NËNTORI i këtij viti është data kur do të caktohen zonat e mbjelljes për kanabisin mjekësor. Konkretisht, në bazë të nenit 45, pika 1 e projektligjit, KM-ja brenda datës 30 nëntor të çdo viti, miraton me propozim të Agjencisë zonat kadastrale (territoret) ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllim industrial.
PROJEKTLIGJI PËR KULTIVIMIN E KANABISIT MJEKËSOR
PËRPUNIMI DHE LËNDA E PARË
- Materiali i prodhuar nga bima e kanabisit thahet, pastrohet, ndahet, paketohet dhe shënjohet.
- Pas përfundimit të korrjes, pjesa mbitokësore e grumbulluar e bimës së kanabisit thahet në një hapësirë të rregulluar në mënyrë të posaçme.
- Kultivuesi i kanabisit, mban një procesverbal të posaçëm, në tre kopje, për sasinë e prodhuar, përpara se ta përdorë atë për prodhim barnash në prani të inspektorëve të Agjencisë. Një kopje i dërgohet ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, ndërsa nga një kopje e mbajnë palët nënshkruese.
- Ambalazhi me bimën/kanabisin e thatë shënohet me të dhënat në vijim: i. emri dhe selia e personit juridik (kultivuesit/prodhuesit); ii. data (dita, muaji dhe viti) i korrjes dhe prodhimit; iii. emri i lëndës së pare; iv.sasia neto dhe bruto e masës së thatë; v.forma (gjethe, lule, bimë, e tërë, e prerë); vi.data e paketimit dhe afati i skadencës. vii. shenjë unike identifikuese në formë kodi, pulle apo etikete.
- Kultivuesi/përpunuesi i kanabisit dorëzon një raport pranë strukturës përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe në Agjenci për përfundimin e procesit të prodhimit, kultivimit dhe masës së fituar të thatë, brenda dhjetë ditëve nga dita e përfundimit të procesit.
- Përpara se materiali i thatë të paketohet Agjencia kryen kontrollin e cilësisë në laboratorët të certifikuar dhe të akredituar me metodat më të mira për kontrollin e cilësisë, sipas udhëzimit të miratuar nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, lidhur me përmbajtjen e komponentëve të kanabinoidit dhe tetrahidrokanabinolit, si dhe kontrollin fizik-kimik dhe mikrobiologjik, për mënyrën e paketimit, formën dhe sasinë.
Çfarë është kanabisi mjekësor dhe industrial, perse përdoret
Kanabisi mjekësor vjen në trajtën e një pilule, vaji, “spray” për hundët ose në ndonjë formë tjetër të ekstraktit të bimës së kanabisit. Përdoret për të lehtësuar simptomat e disa gjendjeve mjekësore. Kanabisi medicinal lehtëson dhimbjen, parandalon ose redukton të vjellat dhe ka veti anti-inflamatore dhe anti-oksiduese.
Kjo për shkak se substancat e quajtura kanabinoidë krijojnë një sistem komunikimi në tru dhe trup që ndikon në disponimin, kujtesën, gjumin dhe oreksin. Bima e kanabisit përmban 80 deri në 100 kanabinoidë. Studiuesit po hetojnë përdorimin e kanabisit medicinal për disa sëmundje si epilepsia, skleroza e shumëfishtë, marrje mendsh dhe të vjella për shkak të kimioterapisë, dhimbjet kronike jo kancerogjene dhe sëmundjet e kujdesit paliativ.
Kanabisi industrial është një lëndë si duhani, me ngjyrë mes të gjelbrës dhe kafesë, e cila përbëhet nga lulet dhe gjethet e sipërme të thara të bimës së kërpit. Zakonisht, të gjitha format e kanabisit merren përmes tymosjes, si duhani. Rrëshira dhe vaji i kanabisit mund edhe të hahen ose të pihen në formën e çajit. Kanabisi i jep përdoruesit një ndjesi relaksimi dhe kënaqësie dhe ndonjëherë i vendos në një gjendje euforie.
Rreziqe të tjera tymi i kanabisit përmban 50 për qind shumë katran se cigaret me përmbajtjen më të lartë të katrani, gjë që i vendos përdoruesit në një rrezik më të madh të kancerit të mushkërive dhe të sëmundjeve të tjera të sistemit të frymëmarrjes./Panorama.al/
Discussion about this post