Ajo që mungon në gjithë panoramën e skandalit të fundit që ka shpërthyer lidhur me inceneratorët është Bashkia e Tiranës. Mediat kryesore në vend janë treguar të kujdesshme, sigurisht me urdhër nga zyra e propagandës së Bashkisë, që të mos e përziejnë thuajse fare emrin e Erion Veliajt me këtë skandal.
Pra Erion Veliaj ka qenë avokati kryesor i inceneratorëve, ka shkelur ligjin me të dy këmbët duke dhënë opinion pozitiv për projektin e inceneratorit të Tiranës, ka përfaqësuar Këshillin Bashkiak pa asnjë autorizim prej këtij të fundit, që të lehtësojë kalimin e fondeve publike në llogaritë e kompanive të Mërtirit, por kjo nuk e bën atë aspak të lidhur me evazionin e tmerrshëm fiskal që është bërë prej kompanive të Mërtirit me këtë projekt.
Po përse atëherë u ngrit Erion Veliaj që të shkelte ligjin, të merrte vendime dhe të jepte opinion në emër të Këshillit Bashkiak për një projekt korruptiv me të cilin nuk kishte asnjë lidhje? A kishte parë Erion Veliaj një projekt fantastik për zgjidhjen e çështjes së pastrimit dhe trajtimit të plehrave në Tiranë? A ishte entuziazmuar ai nga ndërtimi i shpejtë dhe me sukses i inceneratorit? A kishte vërejtur një përmirësim drastik të situatës së menaxhimit të mbetjeve në Tiranë? A kishte brofur në këmbë Erion Veliaj nga një ofertë financiare shumë e leverdisshme për buxhetin e qytetit?
Sigurisht që jo! Inceneratorët nuk u ndërtuan kurrë. Në Sharrë ekziston vetëm një landfill, apo vendvarrim i plehrave dhe mbetjeve urbane. Për pasojë, situata e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve në Tiranë vetëm është rënduar.
Ndërkohë që inceneratorët nuk ndërtoheshin, paratë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës lëvroheshin sikur të ishin verifikuar në terren punimet e paraqitura në preventivët e kompanisë së Mirel Mërtirit. Vetëm 6 muajt e fundit, Integrated Energy BV SPV që menaxhon të ashtuquajturin incenerator të Tiranës mori 3.3 milion euro pagesa nga buxheti. Në total kjo kompani ka marrë rreth 41 milion euro pagesa për incenerimin e plehrave, proces që nuk ka ndodhur kurrë.
Me kontratën e nënshkruar mes bashkisë së Tiranës kostoja e trajtimit të plehrave dhe mbetjeve në Tiranë u rrit në mënyrë eksponenciale. Bashkitë rreth Tiranës u detyruan të pranojnë kontrata edhe më të shtrenjta për trajtimin e mbetjeve në inceneratorin inekzistent të Tiranës ndërsa kompanisë private i ishte dhënë e drejta ekskluzive e trajtimit të mbetjeve në këto njësi të qeverisjes vendore.
Megjithatë, Erion Veliaj ka braktisur çdo aktivitet të Bashkisë dhe është strukur në kasollen e Partisë Socialiste për t’i shpëtuar akuzave publike për rolin e tij në megaskandalin e inceneratorëve, kontratave ekskluzive për kompanitë e Mërtirit dhe Zotos, si dhe për vënien e të gjithë administratës së Bashkisë në dispozicion të këtyre monopoleve.
Dëshmia e kryetarit të shoqatës së ndërtuesve përpara Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët është tronditëse. Z. Luigj Aleksi dëshmoi nën betim përpara Komisionit se Bashkia e Tiranës u kushtëzonte kompanive të ndërtimit dhënien e lejeve të ndërtimit me lidhjen e një kontrate me landfillin e Zoto-Mërtirit për depozitimin e dherave dhe inerteve kundrejt tarifave marramendëse.
Përse Erion Veliaj që e kishte vënë të gjithë Bashkinë në dispozicion të biznesit të pistë të plehrave nuk flet sot për skandalin qindra-miliona eurosh të evazionit fiskal që kanë kryer kompanitë e lidhura me dyshen Zoto-Mërtiri? Veliaj ka mbyllur sytë dhe po shpreson se vala e reagimit publik do të kalojë shpejt dhe ai do ta hedhë pas edhe këtë aferë të tmerrshme, shumë më të tmerrshme se ato ku ishin përfshirë Lefter Koka dhe Alqi Bllako që janë sot në burg.
Një vit përpara zgjedhjeve lokale, hapja e një hetimi për Erion Veliajn dhe nxjerrja në dritë e rolit të tij në këto dosje të nxehta nuk do të ishte vetëm shkatërrim përfundimtar i karrierës së tij politike, por edhe fillimin e një kalvari të gjatë me drejtësinë, shumë më të vështirë se ai i rivalit të tij në PS, Saimir Tahirit. Tani që disa emra janë përfolur si kandidatura të mundshme të PS-së në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme lokale, mbyllja me turp dhe dhimbje e historisë politike të Erion Veliajt është më afër se kurrë.
Discussion about this post