Kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli se vendi gjendet pranë një zbulimi të madh, një vendburimi nafte, që sipas tij, “do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë” dhe, në një shkallë më të vogël, të vetë Evropës
“Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë, shumë të rëndësishëm në tokë të gazit dhe naftës, që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por do të luajë një rol edhe në të ardhmen energjetike të Evropës,” deklaroi ai.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shtoi: “Shell po punon tashmë prej disa kohësh në Shqipëri dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh.”
Si edhe Rama, Balluku pranoi se kompania Shell nuk jep të dhëna dhe shifra për çfarë pritet, por pavarësisht kësaj, ajo deklaroi se “Shqipëria do të jetë një vend që do të prodhojë një sasi të rëndësishme nafte dhe gazi, e ndarë 60% për naftën dhe 40% për gazin.”
Nga të gjitha këto deklarata, e vetmja gjë që është fakt është që një nga gjigandët ndërkombëtarë të naftës, holandezja Shell, është prej vitesh duke shpenzuar dhjetëramilionë dollarë në shpimin e puseve eksploruese në zonën e Shpiragut në Berat, me shpresë se do të gjejë naftë. Kompania nuk ka deklaruar gjë nëse ka gjetur apo jo naftë të shfrytëzueshme dhe as nuk ka shpallur nëse ka vendosur apo jo që të investojë për ta shfrytëzuar zbulimin që ka bërë.
Shell është një kompani e listuar në bursë dhe deklaratat e saj nuk bëhen për konsum të brendshëm politik në Shqipëri dhe as për të furnizuar me argumente politike një kryeministër. Ndaj, përsa kohë kompania nuk ka bërë deklaratë, deklarata e Ramës dhe e Ballukut duhet të konsiderohen sikur të mos kishin ndodhur kurrë.
Nëse Shell ka gjetur me të vërtetë naftë dhe ka vendosur që ta vërë në punë, atëherë njoftimi i saj do t’i drejtohet para së gjithash aksionerëve të vet dhe çmimi i aksioneve të saj në bursë do të ndryshojë. Por nëse ka gjetur naftë, në varësi të sasisë së gjetur dhe aftësisë për ta nxjerrë atë, zbulimi mund të sigurojë dhjetramilionë ose qindramilionë dollarë fitime në vit për kompaninë dhe për buxhetin e shtetit në Shqipëri. Në çdo rast, gjasat janë të pakta që zbulimi të jetë aq i stërmadh sa ta kthejë Shqipërinë në ndonjë lloj vendi si Katari i sheikëve apo Libia e Gedafit, ndërsa sasia e naftës së nxjerrë vështirë se do të ketë ndonjë rol në furnizimin evropian të energjive fosile.
Në fakt, prania e naftës në zonë u zbulua për herë të parë nga një shpim nga kompania Occidental Petroleum në vitin 2001. Pusi i quajtur Shpirag 1 ishte i thellë 5055 metra dhe pavarësisht se u gjet naftë, kompania që e shpoi, e braktisi zonën pasi e gjykoi pa leverdi zhvillimin e saj.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2013, një kompani e quajtur Petromanas, shpoi një pus të dytë si dhe bëri teste. Pusi i dytë ishte 5547 metra i thellë dhe nafta e gjetur ishte “e lehtë” pra naftë cilësore, e cila merr çmim më të lartë në tregun ndërkombëtar. Që nga ajo kohë, Shell, e cila bleu interesat e Manas në këtë projekt, ka shpuar edhe puset 3,4 dhe 5. Gjetjet që ka bërë kompania si dhe vlerësimet e ekspertëve të pavarur mbi këto gjetje, mund të lexohen në faqen e saj të internetit këtu.
Kompania në çdo rast thekson se gjetjet e saj janë të karakterit shkencor dhe jo doemos ekonomik. Vlerësimi ekonomik nuk është bërë ende.
Nga ana tjetër, Shpiragu nuk është zona e vetme naftëmbajtëse që është zbuluar në Shqipëri përgjatë tre dekadave të fundit. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka publikuar në vitin 2019 një listë me gjetjet. Panajaja është një vendburim tjetër ku u zbulua gaz në vitin 1996 ndërsa në det pranë Durrësit u zbulua më vonë gjithashtu prani gazi. Austriakët e OMË dhe grekët e Helenic Petroleum shpenzuan para të mëdha në shpime në jug të Shqipërisë për vite me rradhë para se të dilnin në konkluzionin se nafta e gjetur nën tokë, nuk mund të nxirret jashtë.
“Ekuivalenti i Val D’Agrit”
Si Shell ashtu edhe paraardhësja e saj Manas, theksojnë në raportet e tyre se formacioni gjeologjik i Shpiragut është “ekuivalent” me zonën naftëmbajtëse të Val D’Agrit në Itali. Val D’Agri gjendet në zonën e Salernos në Italinë e jugut dhe është zbuluar në vitin 1989. Ajo u vu në shfrytëzim në vitin 1996 dhe aktualisht prodhon 100 mijë fuçi në ditë në 24 puse. Kjo nuk do të thotë që zbulimi në Shqipëri do të jetë i tillë, por nëse është i tillë, atëhere kompania shfrytëzuese do të ketë të ardhura prej rreth 10 milionë dollarësh në ditë dhe mbi 3.6 miliardë dollarësh në vit, nëse marrim parasysh çmimet aktuale të naftës. Shqipëria prodhon aktualisht rreth 20 mijë fuçi në ditë dhe nëse kjo bëhet realitet, prodhimi i vendit do të gjashtëfishohet.
Përfitimet varen nga korrupsioni
Nga ana tjetër, impakti që do të ketë një zbulim i tillë në buxhetin e shtetit do të varet nga kostoja e prodhimit të naftës ndërsa kjo e fundit, në një masë jo të vogël, do të varet nga niveli i korrupsionit të autoriteteve publike në Shqipëri. Formula e koncesioneve të naftës në Shqipëri është që kompania koncesionare merr përsipër të gjejë dhe zhvillojë vendburimin me shpenzimet e saj dhe nëse gjen diçka të vlefshme, fitimet neto do të ndahen 50% me 50% mes shtetit shqiptar dhe kompanisë koncesionare. Deri më sot, me kontrata të tilla të mëparshme, nuk na ka ecur mbarë. Rasti i Bankers Petroleum është domethënës. Që kur mori koncesionin e fushës së Patos-Marinzës, kompania ka rezultuar me rezultat tërësor shumëvjeçar negativ, duke mos shpallur fitime dhe duke mos paguar tatim mbi fitimin në masën 50%. Rrjedhimisht, përfitimet që Shqipëria ka nga nxjerrja e naftës në Patos-Marinzë arrijnë në afërsisht 15% mbi vlerën totale të naftës së nxjerrë dhe në këtë shifër përfshihet një taksë që mban qeveria qendrore dhe përfitime të tjera nga gjurma ekonomike e kompanisë, shqiptarë të punësuar në të apo shpenzime te tjera lokale. Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se në fakt janë autoritetet shqiptare ato që rezultuan të paafta për të mbajtur kompaninë përgjegjëse për mostransferimin e fitimeve, pra që fitimet e realizuara nga nafta në Shqipëri, të mos i transferohen kompanive të tjera në formën e shpenzimeve të paqena.
Nëse kjo histori do të përsëritet me Shell apo jo, kjo nuk mund të parashikohet. Por ajo që parashikohet është që autoritetet publike në Shqipëri vështirë se kanë për të ndryshuar menjëherë.
Mallkimi i burimeve
Që prej dekadash, ekspertët e shkencave politike kanë arsyetuar se për shumë vende, gjetja e burimeve natyrore nuk ka qenë aq shumë një rrugë drejt pasurimit se sa ka qenë një katastrofë, një mallkim. Burimet natyrore mund të krijojnë të ardhura të vlefshme për t’u investuar në zhvillimin e një vendi, por janë gjithashtu një burim për korruptim potencial të udhëheqësve politikë të atij vendi.
Shqipëria nuk është vend shumë i pasur me burime natyrore, e megjithatë, ato burime natyrore që ka nuk është se janë përdorur deri më sot në shërbim të zhvillimit. Kriminaliteti në Fier dhe në Bulqizë duket se ushqehen pjesërisht ose totalisht nga biznesi lukrativ i krijuar nga ato dy pak burime natyrore që ka Shqipëria, nafta në Fier dhe kromi në Bulqizë. Kromi është bërë gjithashtu burim mashtrimi fiskal me TVSH-në, jo vetëm duke mos kontribuuar në buxhetin e shtetit, por duke gërryer taksat që qytetarët i paguajnë gjetkë.
Edhe historia e këtyre burimeve nuk është shumë shpresëdhënëse. Në vitet 1970-1980, kur çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ishte shumë i lartë, qeveria komuniste shqiptare pati mundësinë të rrisë prodhimin në maksimum (deri në 2.6 milionë tonë në vitin 1976) dhe dukshëm i përdori këto para për të ndërtuar bunkerë, para se të ekzekutonte dhe burgoste inxhinierët e naftës nën akuzën se nuk po nxirrnin aq shumë naftë sa dëshironte diktatori.
Në thelb, duhet pasur parasysh se vetëm vendburimi i naftës në Kuçovë ka nxjerrë në historinë e vet 23 milionë fuçi, të barazvlefshme me 2.3 miliardë dollarë me çmimet e sotme të naftës. Por ajo që këto para kanë lënë pas në Kuçovë janë ndotja mjedisore dhe asgjë tjetër.
Zbulimi i një burimi nafte të ri në Shqipëri nuk do të thotë me doemos se Shqipëria do të përfitojë. Ajo mund të jetë gjithashtu një mallkim./BIRN
Discussion about this post