Sipas burimeve të sigurta të Gazetasi.al, brenda korridoreve të Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore, prej muajsh ka nisur lufta për drejtimin e SPAK-ut. Por jo vetëm, duket se kandidatët potencialë, emrat e të cilëve po lakohen korridoreve, po përpiqen të krijojnë aleancat e tyre të padiskutueshme që do të sillte vota ta padiskutueshme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Duke qenë se mandati tre vjeçar në krye të SPAK, kompetencat për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, përfundon në fund të vitit 2022, “aleancat” dhe “lojërat“ kanë nisur që në krye të këtij viti.
Gazetasi.al disponon emrat e atyre, që jo vetëm kanë shfaqur dëshirën për të komanduar prokurorinë speciale, por edhe të atyre që me shumë mundësi mund të kenë mbështetje dhe aprovim politik.
Sipas burimeve të sigurta, kandidati potencial, Altin Dumani, që vlerësohej ashtu si edhe 16 kolegët e tjerë për kontribut hetimor, me shumë mundësi nuk do të jetë në këtë listë.
“Për shkak se në qershor 2022, Altin Dumani u emërua si zëvendës shef i Prokurorisë së Posaçme nga kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, mandati dy vjeçar në këtë pozicion, ia minimizon mundësitë që ai të drejtojë prokurorët e posaçëm“, – tha një burim i sigurt i Gazetasi.al.
Por loja më e fortë, ngjan se po ndodh mes dy prokurorëve të tjerë, njëri i angazhuar si prokuror në Sektorin kundër Krimit të Organizuar dhe tjetri në Sektorin Kundër Korrupsionit. Emrat potencialë, sipas dy burimeve të ndara nga njëra-tjetra, konfirmojnë se ambicien e kanë shfaqur Prokurori i Posaçëm, Edvin Kondili dhe nga ana tjetër edhe prokurori Klodian Braho, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Skrapari.
Që të dy ata kanë bekimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili ndonëse shikohet sipas reformës në drejtësi në pozicion të ndarë nga SPAK, konsiderohet i fortë me vota në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Një nga testet e Çelës, u pa gjatë garës për drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ku ai mbështeti pa u ekspozuar Arenc Çelën.
Ndërkohë, që kandidati tjetër Kreshnik Ajazi, i cili drejton aktualisht Prokurorinë e Elbasanit, u skualifikua nga gara për motive të pargumentuara prej KLP, ndonëse Ajazi kërkoi shpjegime. Një kandidat tjetër, por që mban profil të ulët, me shumë mundësi, sipas burimeve ështe edhe Vladimir Mara, që në hije dhe distancë duket se ka mbështetjen dhe aprovimin e kreut aktual të SPAK-ut, Arben Kraja.
Nuk dihet nëse në këtë lojë pushtetesh, Mara e ka apo jo mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm, pavarësisht se ka shënuar gjatë tre viteve ekzistencë të SPAK-ut, rezultate në hetimin e dosjeve italo-shqiptare.
Megjithatë, ajo që është e sigurt sipas burimeve, është se secili nga kandidatët, mban si kartë, jo vetëm influencat që kanë filluar të lëvizin, por gjithashtu edhe dosje të forta. Edvin Kondili ka ende në sirtar pa asnjë finalizim dosjen e sterilizimit, e regjistruar tre vite më parë.
Për arsye të paqarta gjatë javës në SPAK u thirr për t’u pyetur Klodjan Rrjepaj, me detyrë të mëparshme zëvendës-ministër Shëndetësie dhe që siç rezulton, është pyetur edhe dy herë të tjera.
“Për ne mbetet e dyshimtë mënyra se si disa dosje fryhen në sytë e publikut dhe ngjajnë si reklamë e dobët e punës së prokurorisë, ngjan sikur diçka po lëviz, por realisht pyetja e disave po ndodh vetëm për bujë mediatike. Rezultat nuk ka ende”, – komentoi për Gazetasi.al njëri nga zyrtarët e kësaj dosjeje, i cili është pyetur ashtu dhe si Rrjepaj.
Sipas tij, emri i tij po i përdoret si “pazar” për bujë. Ai zgjodhi të flasë në anonimitet, pasi është i sigurtë në pafajësi. E njëjta gjë ndodh edhe me dosjen e inceneratorëve, që e kanë dy prokurorë në mënyrë të veçuar nga njëri-tjetri. Njëra çështje e inceneratorëve, sipas burimeve të Gazetasi.al, po hetohet nga prokurori Klodian Braho dhe dosja tjetër nga Vladimir Mara dhe Dritan Premçi.
“Nuk mund të pranojmë që hetimi dërgon disa në burg, si Lefter Koka dhe Alqi Bllako nga ana tjetër dhe hetimet vazhdojnë ende për të zbuluar të tjerë. Hetimi, nëse do kopjoheshin italianët, duhet t’i dërgonte njëherazi të dyshuarit në qeli. Çfarë provash po kërkohen ende nga prokurorët kur dosja është aty?“, – pyet njëri nga avokatët e kësaj çështjeje.
Sipas avokatit, mund të dyshohet se në këtë mënyrë prokurorët pa u ekspozuar shumë, ngrenë influencat e tyre duke tundur dosjet në dorë. Por Gazetasi.al u interesua edhe për emra të tjera që në momentin e duhur do t’i hedhin emrat në tavolinë.
Nuk përjashtohet edhe kandidatura e Adnan Xholit, ashtu si edhe e një gruaje, si Doloreza Musabelliu dhe Enkeleida Millonai. Të dyja mbajnë një profil të ulët dhe mund të shfaqin ambicien në çastin e fundit, sikurse edhe Xholi, bënë me dije burimet.
Megjithatë, emrat më potencialë dhe me mbështetje, vazhdojnë të mbeten Edvin Kondili dhe Klodian Braho, që të dy me mbështetje votash në KLP.
“Njëri prej tyre, Kondili pritet të kthehet tre vjet më vonë, pasi garoi përballë Krajës i cili me gjashtë vota u emërua në krye të SPAK. Në atë kohë, konkurroi për të njëjtin pozicion edhe Altin Dumani, por ai nuk mundi të sigurojë ashtu si Kondili një shumicë votash nga anëtarët e KLP. E sigurtë është që të dy këta emra që përmendët kanë vota shumice në KLP, tani që fusha magnetike aty është e fortë në favor të Prokurorit të Përgjithshëm”, – komentoi njëri nga anëtarët e KLP-së për Gazetasi.al.
Me 17 prokurorë në detyrë dhe me deklaratën se i nevojiten të tjerë, SPAK konsiderohet ende i paplotësuar në kuotën e 20 prokurorëve. Megjithë mbështetjen e vazhdueshme të amerikanëve dhe disa rezultate domethënëse, Prokurorët e Posaçëm nuk kanë shkuar ende tek “peshqit e mëdhenj”.
Ndonëse dosjet janë aty dhe Byroja Kombëtare e Hetimit që drejtohet nga zonja Aida Hajnaj është e plotësuar, krimet që heton SPAK lidhen me korrupsion të lartë shtetëror të gjyqtarëve dhe akuzat penale kundër Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, gjyqtarëve kushtetues, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarë bashkish, deputetët, anëtarët e KLGJ dhe vetë anëtarët e KLP-së, të cilët do ngrenë kartonët ndaj shefit të ri të SPAK dhe që po ashtu janë ata që emërojnë një Prokuror të Posaçëm në SPAK.
Të superpaguar dhe me sektorët të ekspertizës së posaçme, me bërthamë elektronike komanduese dhe sektor të individëve me status të posaçëm, prokurorët e SPAK-ut mund të konsiderohen pa frikë si zyrtarët më të rëndësishëm në vend, nga hetimet e të cilëve janë të rrezikuar të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të politikës vendase dhe eksponentët e krimit të organizuar./Marrë nga GazetaSi
Discussion about this post