Rritja më e ndjeshme e kalimit të migrantëve të parregullt drejt vendeve evropiane u shënua në rrugën e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet në një raport të fundit të Organizatës evropiane për Ruajtjen e Kufijve, FRONTEX.
Sipas raportit, numri i migrantëve të parregullt të evidentuar nga policitë kufitare dhe FRONTEX u rrit gati trefish në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2021.
Rruga e Ballkanit Perëndimor me 55 . 321 kalime të paligjshme përbën gjysmën e të gjitha ndalimeve të migranëtve të parregullt drejt Evropës, që në total ishin 114. 720 persona.
Sipas FRONTEX kombësitë kryesore në këtë rrugë përfshinin migrantë nga Siria, Afganistani dhe Turqia.
Sipas shifrave paraprake të FRONTEX në gjysmën e parë të vitit 2022, hyrjet e parregullta në Bashkimin Evropian u rritën me rreth 84% krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm në qershor, Frontex regjistroi 23. 290 kalime të parregullta në BE, 59% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Personat që ikin nga Ukraina dhe hyjnë në Bashkimin Evropain përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të migrantëve.
Sipas të dhënave të fundit të Frontex, 7.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në BE që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 6.3 milionë ukrainas.
Frontex ka më shumë se 2. 200 oficerë dhe staf të trupave të përhershme në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropain si dhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi.
Rritja e kalimit të migrantëve tranzit në Shqipëri
Trafiku i rritur i migrantëve të paligjshëm drejt vendeve evropiane nga Rruga e Ballkanit Perëndimor rrriti edhe kalimin e tyre tranzit në Shqipëri.
Sipas të dhënave policore kufitare shqiptare vetëm në Qarkun e Korçës u evidentuan gjashtë muajt e parë të këtij viti rreth 2.330 migrantë të parregullt të futur nga Greqia fqinje.
Po sipas të dhënave policore shqiptare rreth 1700 migrantë të parregullt u evidentuan në brezin kufitar me Greqinë në kufijtë jugorë , në Qarkun e Gjirokastrës dhe rrethin e Sarandës në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Autoritetet policore shqiptare i kanë kthyer pas, drejt territorit të Greqisë emigrantët e huaj të parregullt të bllokuar në territorin shqiptar, mbi bazë të marrëveshjes së ripranimit që të dy vendet kanë firmosur vite më parë.
Trafiku i migrantëve të huaj të parregullt ka rritur sipas policisë shqiptare edhe rastet e kontrabandimit.
Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës numri i operacioneve të koduara “Road Guard “ ndaj kontrabanduesve të migrantëve arriti në fund të qershorit të këtij viti në 33.
Dhjetëra qytetarë shqiptarë por edhe të huaj janë arrestuar në përfshirjen e dhënies së ndihmës së migrantëve të parregullt kundrejt përfitimit financiar.
Nga hetimet policore ka rezultuar se kontrabandistët i presin me automjete migrantët e huaj në brezin kufitar shqiptar me Greqinë duke komunikuar përmes platformave të rrjeteve sociale në internet apo bashkëpunuar me rrjete e kontrabandistëve në Greqi.
Më pas kontrabandistët i transportojnë migrantët me mjete të ndryshme ,kryesisht të marra me qera , drejt kufijve veriorë shqiptarë me tendencën e kalimit si drejt Malit të Zi dhe Kosovës.
Raste tendencash të kalimit të migrantëve të huaj janë evidentuar nga policia edhe përmes Portit të Durrësit, në drejtim të Italisë.
Gjatë operacioneve policore nuk kanë munguar edhe incidentetet ku kontrabandistët nuk i kanë ndaluar patrullave policore dhe kanë shkaktuar aksidente duke lënduar migrantët e huaj që transportonin./VOA
Discussion about this post