Aktorët e Teatrit Kombëtar i kërkojnë Kryeministrit Rama dhe ministres së Kulturës Elva Margariti rritjen e pagave, njësoj siç u veprua me Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Asamblit Popullor. Në një letër të 18 korrikut, të firmosur edhe nga aktorët më në zë si Laert Vasili, Arben Derhemi, Elia Zaharia, Naun Shundi e Ndriçim Xhepa, vihet theksi te fakti që kjo trupë ka mbushur sallat e Teatrit para pandemisë dhe po i mbush sërish edhe tani pas pandemisë.
Aktorët theksojnë se do ta presin reagimin e qeverisë deri në 31 Gusht, më pas do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre.
Letra e plotë
KËRKESË
Drejtuar: Z. EDI RAMA
KRYEMINISTËR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
ZNJ. ELVA MARGARITI
MINISTRE E KULTURËS
I Nderuar Z. Kryeministër,
E Nderuar Znj. Ministree Kulturës,
Disa ditë më parë, trupa artistike e Teatrit Kombëtar konstatoi me kënaqësi të madhe se trupës artistike (dhe jo vetëm) të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), i është ritur paga nga 15%-57%. U gëzuam për kolegët tanë dhe njëkohësishtu hidhëruam pa masë për veten tonë. Është hera e parë në historinë e këtij vendi që këto dy institucione kombëtare trajtohen në mënyrë të diferencuar. Në mënyrën se si funksionon dhe si është ndërtuar sistemi i pagave, këto institucione janë vlerësuar gjithmonë brenda një kuadri ligjor. Në këtë rast, me ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave, kjo gjë ndryshoi dhe TKOBAP kategorizohet në një system të ri pagash, kurse TK jo! E papranueshme! Ende nuk është dhënë një shpjegim publik për këtë. Nderkohë, ju bëjmë me dije se, Teatri Kombëtar, gjithë këto vite, ka qenë pararojë e institucioneve publike të artit. Në sezonet 2016/17 dhe 2017/18, TK, në kalendarin e tij, ka qenë ne krye të renditjes për nga frekuentimi i spektatorëve. Më pas, me gjithë vështirësite që u krijuan, që nga “beteja’ për Teatrin, prishja e godinës së vjetër të TK-së, spostimi te ArTurbina dhe pandemia, ne sot po ja arrijmë përsëri, falë një pune të jashtëzakonshme, të mbushim plot e përplot sallën e ArTurbina. Ketë sezon artistik post-pandemik’, kemi marrë pjesë dhe kemi interpretuar në produksione shumë të mëdha e të vështira, ku mund të përmendim: “Coriolanus” nga U.Shekspir, “Edmond” nga A.Mishalik, “Ferma e Kafshëve” nga Xh.Oruel, “Përvjetori i Dielindjes” nga D.Eldrixh. Kanë nisur dhe provat për produksionin “Ivanov” nga A.Çehov. Këto janë vepra të mëdha që kërkojnë një punë të jashtëzakonshme, ku një pjesë e madhe e aktorëve, veç provave, interpretojnë çdo javë, nga e mërkura në të diel, dhe e mbyllin sezonin me reth 40- 50 shfaqje. Atëherë pse ky diskriminim, Z.Kryeministër?
Githsesi, ne do të dëshironim që kjo të jetë thjesht çështje kohe dhe ky vendim të miratohet edhe për ne së shpejti në buxhetin e ri të shtetit, ku do presim të parashikohet ngritja e pagës dhe për institucionin tonë. Të bindur për këtë, me durim do presim reagimin tuaj deri më 31 Gusht 2022. Nëse pastaj do vëmë re që kjo gië do të kalojë në indiferencë, pra ështe bërë qëllimisht, atëherë ne do të përshkallëzojmë dhe veprimet tona për të mbrojtur dinjitetin njerzor dhe artistik. Qendrojm në pritje të përgjigjes tuaj.
Me respekt, Dritan Boriçi, Laert Vasili, Arben Derhemi, Olta Daku, Besmir Bitraku, Anila Bisha, Donald Shehu, Ardian Cerga, Niada Saliasi, Ndriçim Xhepa, Ina Gjonci, Lulzim Zeqa, Dori Çaushi, Helidon Fino, Laedia Hajdari, Armand Bora, Neritan Liçaj, Flaura Kureta, Elia Zaharia, Gladiola Harizaj, Naun Shundi, Erjona Kakeli, Myzafer Zifla
Discussion about this post