Nga Agron Gjekmarkaj
Në ato të pakta ditë kur para nesh shfaqesh ti Babo, zakonisht vjen si “dulcis in fundis” ndersa sot si meze per rakinë ball kazani të Kuvendit mberrite.
Nuk fjeta mirë se helbete rrekellyem ca gota të merkurren dhe gjumi mu dreqos naten e po më këndej në mengjes dremitja.
Kur telefoni nuk pushonte ! Eja , eja, koleget me shkruanin ! Babo mes nesh , Babo mes nesh. Lërë ç’thonë e hiqen, i ndez prania jote.
U nisa se malli bën të veten, pa pispillosje, vesha ç’gjeta e vrap në sallë. Askush nuk ishte i gezuar. Buzevarur si në vaki.
Luli rrinte zymtë si vetë qameti megjithese ti ja ushqeje muhabenë, e trajtoje si Lider edhe pse i dorehequr.
Ai jepte urdhera si dikur motit. Termi “Lulokraci” e ka merzitur kur duhej ta gezonte si simbol i një mendimi politik të pakrahasim per të cilin kam luftuar si luan në qindra beteja, si Zhukovi me emrin e Stalinit në gojë.
Aq ja kishte prishur humorin llafi, sa gati ju grisen pantallonat duke kaluar ngjite me karrigen time qe e shtynte pa me thënë, të lutem
leviz. E kam dashur të uruarin e prapë me respekt e shoh, më ka patur si evlat gati sa nuk e therrisja Daja Lul , se di pse mua adhnua kesisoj. Bernard Banushi syakulli me dy pisqolla sermi në brez po më kerkon ngado që të leshojë anatemen si rrufe në diell.
S’ me rri goja e po më shtohen armiqtë. Goja llap e shpina dap.
Fatja me Mimi di Puccini çuçurisnin në kafene po kaq të kreshperuar ma hedhin shikimin të cilin jua trazoj. Si ufutha në sy ju dukem teksa ata perpiqen ta bëjnë Shqiperinë zonjë me elekuencen e pambarim, fuqinë e mendimit dhe eksperiencen e pafund pa të cilat do ishim të verbert. “Ej degjo vllain” keshillonte Mimia ! “Se unë sillja miqte e mi nga Amerika” thoshte Fatja që dje u perkrah edhe nga ti vetë Babo.
Babo dje në livadhet e banalitetit i leshove llafet si gardalinat nga kafazi ” Foltore” , “Gojore” , “Foltore” , “Nënfoltore”, këtë fundit ta quaje se paku “opozita properendimore” siç bën Tao i cili na motivon e pasdite të citoi.
Kushedi i ke menduar gjithë naten dhe me zor ke pritur agimin që ti gjuash në mes të mexhlisit. Pastaj me “organet” luajte qamet Babo herë si patriot i ndezur e herë si pacient i Frojdit që nuk gjeje derman.
Po ti Babo e mban veten namuzqar e telbizqar të madh, xhentil me gratë, i drejtë me burrat, i dashur me pleqtë dhe i embel me femijet!
Po keta të Opozites nuk janë shqiptarë që i shan e fyen si të ishin hasem?!
U zbehe Babo kur tu afrua Doktori pas mynxyrave që ti i jep paradhenie si të jesh dorasi.
Të shihje ministrushet dhe ministrushët e tu -ti prisje në njeqind vende nuk u dilte një pik gjak. Po ju ikte toka nën këmbë, po i zinte qielli nga frika mos të gjuan me dacka Berisha dhe ç’të mbetet pastaj?! Mendo si do çirrte faqet tezja dhe gjaku i saj curril mbi kostumin tënd altar i rilindjes ? Po trishtimin e Elises e perballoje dot nese Skenderbeu i saj do rrahej paq si mushku në zabel?
Po të qaret e Tigrushit në vesh? Po dihamat e Bores, ” rrahen Babon, rrahen Babon” , vajet e Ikonomit në sy, ” na rrahen marken” ?
Po tufanin e Çuçit që do ndukte mjekrren po të ndodhte teksa qiste alltinë nga brezi ?
Po trokun e Nikos që nga larg do kthehej si Ago Ymeri të rrethonte parlamentin me ushtri e taborre e hi të na bënte të gjithëve? A në mos të na sjellë nga Saranda majmumin patriot “bald uakari” e të na hiqte ca pellembe siç bëri me turistin grek dhe punonjesit e bashkisë. Unë them ta mbash afer keto kohë të liga, Bald qerratanë.
Po marazin e desherve që nderzimin online do nderprisnin nga dhëmbje e Frides?
Vullneti i Zotit e ai nuk ta shetiti doren se kishte edhe hallet e veta që duket sikur i shtohen e shpetuam nga kjo hata.
E ti ç’bëje ? ” Gogo -gogo ik luteshe” dhe pastaj sa u afrua garda nxorre gjuhen dhe vure pellemben mbi hundë po u bëre per kafe ama se diçka të ra rëndë në mide !
Kjo Grida sot i la në hije folesit e tjerë e drodhi dhenë qerratesha, të tha fjalë haku dhe e humbe fillin Babo! Të lanë në baltë “organet” u squlle e ike nga sytë këmbet. Ndersa ajo si Zhan D’ Ark u kthye në vëndin e saj duke marrë nga pas zili.
Pastaj dita pa ty qe e topitur. U le veremin aty.
Ulsiu ishte i heshtur. Mjekrren e kruante pa vemendje dhe me
ankth të dukshem. Bela në zaman të asaj furie, mbathur me
hënë e veshur me diell, me ngjyrat e BE andej nuk po e kthente kokën. Dhe tortura gjatë vazhdoi. Drama u bë tragjedi. Manastirliu u kishte hyrë në mes e cila pa e kuptuar ç’të zezë kombinonte qeshte. E dija njeri të mirë po mu duk shpirtkazem. Veç kur ajo iku i miri Ulsi, frymë thellë mori e buzeqeshi. Në muzg Bela e perqafoi e madhengjyer.Të jetë ndarje? Mos ti Babo do ndryshosh qeverinë dhe na heq katër minitrushët ?
Ketej poshte 20 veta po presin per të vënë tuje mbi supe.
Margeriti me zellin e Elvia Çelebiut shkruante kroniken e një ndarjeje të paralajmeruar teksa Jorida , Gon Shehaj Tezja dhe Damo bëheshin fertele.
Etilda ishte pak e hequr nga rrugë e Amerikes se helbete ndryshimi i orarit të syrgjenos gjumin vetem ty duartrokiti me entuziazem të tjeret shkel e shko me koken ulur si bletë punetore mbi kapitujt e integrimit.
Ish Kryeministri Majko u ngrit si nga legjendat dhe pluhuri i koheve të lashta i shkelqente mbi mantel. Jua plasi të gjithëve në fytyrë kumtin , ku ishit ju de more de kur unë luftoja për Shqiperi?? Shalsi sot i gezuar që nuk do bëje kinse per disa javë mendonte kollotumbat në ujin e Jonit ndaj i buzeqeshte mbarë botes me pafajësi. Gaz Bardhi po u iken detyrimeve per të na freskuar me Red Bull duke kryer një akt vetë vrases që e po nxjerr nga kronika dhe historia.
Edhe Jorida që s’ja kam kursyer fjalet e mira lum, mjaltë e sherbet, vit pas viti me pa vënger , me qortoi Babo, gati sa s’ me tha intrigant , një karrige ishte vënë në mes si ndarese. I premtova qe do e kepus gjuhen si të ishte një komçë në kapotën e ushtrisë, e më s’ta prish haterin që sytë më plaçin që të tutë kam
mvrenjtur ( të asaj).
Dite e zymte qe në pergjithesi. Vetem një diskutim dialektik , i strukturuar mbi parimet e politikes së madhe me Dash Sulen , zevendes liderin Mulin, Luanin, Xhelen, Salianin i cili ku ka sherr fut paqe, ku ka zjarr hedh ujë, dhe Isufin zotni burrë mbi të ardhmen e Partisë na bëri derman. Vetë Albana kaloi aty pari dhe na ngjatetoi sipas hierarkisë e plot triumf. Mulin më me pathos. Sa mirë mendova të jesh nën hyqmin e Banes , ënderr jete! Më ka marrë malli për ish Kryetarin e ish Komisionit të ish Rithemelimit se shoh asgjekundi. I pata thënë teksa vononte të mohonte Bashen per Doktorin, nuk ta fal vonesen i dyti.
Por siç u nis nuk u bitis. Lindita shtroi një banket plot miradina , por rracist në vetvete ? pa burrat. Po ne -pyetem? Ju tha Kosta i Gramozit dhe Lindites i ulur pranë Taos ngrohuni në diell! Gratë nën hije lozin kuvendojnë pika qe su bie se nga burrat rrojnë-hidhnin rromuze e ngjyenin petulla në mjalte e gishtat në bakllava që vetë kryetarja me ndihmen e Jones dhe Dorit kishte gatuar.
Babo , kjo është kronika e fundit me perjetime live nga salla. Në Shtator do bëhem njeri serioz dhe i murretyer. Do sillem si eterit e tjerë të kombit. Na presin vendime të medha , mbase edhe të dhimshme. Ndjese kolegve që kam merzitur me kronikat e mia subjektive e frut fantazie edhe, por shumë monotone koha pa gaz është. Mendoni sa fjalë që nuk besohen dhe nga ne thenesit e tyre dalin nga tempulli i politikes.
Disa plagë i sheron më mirë e qeshura sado e sforcuar qoftë ose perpjekja për të se jo gjithmonë shkrep. Humori mbase jo gjithmonë i arrrire e bën një mundim të na mbajë të lidhur me token e të mos fluturojmë si Balona pa bisht.
Discussion about this post