Nga Lutfi Dervishi
Interes publik apo interesant për publikun?
A)Terrorizmi digjital
Një nga lajmet me interes për pothuaj çdo familje shqiptare është sulmi kibernetik ndaj e-albania. Me kalimin e të gjithë shërbimeve on line nga data 1 maj i këtij viti, pasojat e rënies së shërbimeve digjitale rëndojnë mbi individë, familje, administratën dhe biznesin.
Çfarë ndodhi? Kur ndodhi? Ku ndodhi? Këto përgjigje i morëm dhe i mësuam të gjithë. Dy pyetjet e tjera “kush? dhe pse?” marrin përgjigje të ndryshme varësisht se kë media/portal lexon.
Lajmi se hakerat kanë kërkuar si shantazh 30 milionë dollarë në këmbim të rikthimit të të dhënave u përgënjeshtrua nga autoritetet, por diskutimi si duhet raportuar për këtë ngjarje, rikthen debatin e vjetër se si duhet raportuar mbi terrorizmin. Sa rrezik ka të bëhesh instrument në dorën e tyre? Sa rrezik ka të përhapësh panik? “Krimet, terrorizimi, si dhe veprimtaritë e tjera të dhunshme nuk duhen propaganduar”- thotë Kodi Etikës. Sidoqoftë, kjo fjali nuk mjafton për të disiplinuar raportimin, e sidomos në ambientin digjital kur bëhet fjalë për akte terrorizmi on line.
Vetë ngjarja në vetvete ka aq shumë interes sa e ka të garantuar vëmendjen. E sigurt është që do të ketë më shumë lexues, më shumë dëgjues, më shumë vizitorë në faqet on line e për rrjedhojë më shumë klikime. Beteja për vëmendje është e fituar para se të nisë. Ajo çfarë kërkohet është më shumë kujdes, më shumë respekt për faktet. Këto të fundit duhen verifikuar, ballafaquar si dhe vendosur në kontekst. Ai/ajo që raporton, duhet ta ushtrojë detyrën me fakte duke mos kaluar në “gardhe të tjera” të cilat kanë të tjera kosto. Për interpretimet, opinionet, konkluzionet dhe analizat ka gjithmonë kohë. Andaj, për këto të fundit ne nuk na mungojnë as njerëzit, e as “ekspertët” të cilët edhe kur nuk ekzistojnë “vetëshpiken”.
Lajmit të sulmit dhe paralizimit të e-albania, ja ka lënë vendin nxjerrjen e materialeve të marra nga sistemi. Publikimi i fotove, materialeve, imazheve, videove kërkon një kujdes ekstrem. Këtu vlen të shtrohen disa pyetje:
-A po e ndihmojmë publikun të kuptojë më mirë se çfarë ka ndodhur?
-A po shuajmë thjesht kuriozitetin apo po shkojmë përtej?
-A kemi marrë në konsideratë aspektet e privatcisë për personat identitetin e të cilëve e bëjmë publik? (Mediat dhe gazetarët duhet të respektojnë në çdo rast dinjitetin, reputacionin dhe jetën private të individëve. Ky parim kardinal merr rëndësi të shtuar në botimet on line për shkak të gravitetit të dëmit …këshillojnë “Udhëzimet etike për gazetarinë on line)
-A po ndihmojmë me apo pa dashje “agresorët”?
Në lajme të tilla, një vijë e hollë e ndan sensacionalizmin nga përgjegjësia dhe detyra që ke përballë publikut.
Edhe në etiketimin e aktit ka një kakofoni: luftë/sulm/agresion/sabotim/grabitje. Kakofonia bëhet më e plotë edhe për faktin se cilësimin nuk e bëjnë ekspertët e kualifikuar, por gazetarë dhe politikanë.
Nëse gazetari/redaktori niset nga “qasja konsumatore”, atëherë janë edhe disa pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje:
-Kur do të rikthehen shërbimet on line?
-A do të kemi rikthim te sportelet?
-Cili është dëmi i shkaktuar?
-Sa të sigurta janë të dhënat?
-Çfarë është bërë/do të bëhet për sigurinë on line?
-Sa është investuar për këtë sektor?
-Cilat janë kompanitë përgjegjëse për sigurinë e të dhënave?
-Cila është praktika më e mirë e vendeve të tjera?
-Çfarë mësimesh u nxorën nga 4 rrjedhjet e më përparshme të të dhënave? Etj…
Gjithnjë e më shumë jeta jonë po “lëviz” drejt ambientit on – line. Jo vetëm informimi, argëtimi, mësimi, puna, por edhe lufta po zhvendoset drejt on line. E këtu lufta merr një trajtë shumë komplekse e shtrirë në mjaft dimensione.
Detyra e profesionistëve të gazetarisë sa vjen dhe bëhet më e komplikuar. Rregullat etike nuk janë thjesht dhe vetëm për të shmangur përballjen me gjykatën, por mbi të gjitha për të dëshmuar përgjegjësi dhe për të bërë dallimin mes çështjeve me interes publik, dhe çështjeve (tejet) interesante për publikun.
Një kujtesë (nga kodi etikës) për këtë rast:
1. Informacioni duhet të jetë i saktë, i balancuar dhe i verifikuar;
2. Media duhet të dallojë qartë komentin nga supozimi dhe nga faktet.
b.)Atentati në Fushë – Krujë.
Raportimi i ngjarjeve të rënda kriminale në kushtet kur dhjetëra kanale televizive dhe portale rendin për të qenë “live” sa më gjatë të jetë e mundur, është një sfidë e vështirë edhe për vetë gazetarët me përvojë. Rastet e ditëve të fundit të Fushë- Krujës dhe Milotit, ku 4 persona u vranë dhe një mbeti i plagosur, hapin debatin mbi mënyrën se si duhet raportuar më mirë në interes të publikut pa u bërë shkak për të ngjallur frikë dhe panik.
Raportimi me detaje specifike i vendit të krimit, masave të policisë dhe paralajmërimeve që japin autoritetet, informon publikun për (vend)ngjarjen pa kaluar në panik gjithë vendin. Për shembull titulli: “Terror në Fushë- Krujë” – ngjarja nuk ka ndodhur në qytet, por në mbikalimin e rrugës kombëtare.
Nuk duhen identifikuar viktimat nëse të afërmit nuk janë informuar – thotë Kodi Etikës. Është detyrë e autoriteteve dhe jo e medias të njoftojë të afërmit dhe këta të fundit nuk duhet të mësojnë nga televizioni se familjari tyre ka ndërruar jetë. Në rastin e Fushë – Krujës pamjet e para identifikonin një prej viktimave pa i “mbuluar” fytyrën. Gazetarët në raportimin e tyre, nënvizon kodi, duhet të respektojnë vuajtjet dhe ndjenjat e familjarëve të viktimave.
Gazetarët me përvojë në raportimin e krimit, pikërisht për shkak të viteve të shumta në këtë fushë, ndonjëherë priren të mendojnë si policë, si hetues, si prokurorë e gjyqtarë dhe këtë këndvështrim e reflektojnë edhe në raportim. Përvoja dhe kurioziteti i natyrshëm bën që gazetarët e kronikës së zezë të kenë shumë informacion. Në këtë pikë, pyetjet që shtrohen janë:
-A duhet ndarë me publikun gjithçka që di gazetari?
-Çfarë informacioni duhet transmetuar drejtpërdrejtë dhe çfarë informacioni ka nevojë më shumë për verifikim?
-Cila është balanca që duhet vendosur mes detyrë që ke karshi publikut për të thënë të vërtetën dhe kërkesës që mund të kesh për bashkëpunim nga policia/prokuroria për të mos dhënë një informacion të caktuar?
Ka pasur raste kur policia/prokuroria për interesa të tyre kanë tentuar të përdorin gazetarët/median për të fshehur apo tjetërsuar të vërtetën, sikundër edhe raste kur bashkëpunimi ka qenë i frytshëm për të dy “palët”.
Është një debat i vjetër, për rolin që ka raportimi mediatik në nxitjen e krimit. Është fakt që disa krime po fotokopjojnë njëri- tjetrin: “Atentat me kallashnikov në ecje e sipër, djegia e makinës së autorëve bashkë me armët e krimit”. Gazetarët nuk nxisin askënd të kryejë krim, por sigurisht ata tregojnë se si kryhet një krim. Ka studime të shumta, (efekti verter- njerëzit priren të kopjojnë sjelljet si të sjelljet e mira ashtu edhe sjelljet me pasoja ekstreme) që nënvizojnë rolin e madh të medias në efektin domino gjatë raportimit të ngjarjeve të rënda. Raportimet për ngjarjet ekstreme nga covid-i janë një mësim për median.
C) Dhuna seksuale dhe “detajet rrënqethëse…”
Nëse sot vendos në google dy fjalë: “Brataj” dhe e “mitura” dalin mbi 12 mijë linqe. Lajmet për dhunimin e një familje dhe përdhunimin dyshuar të një të miture me aftësi ndryshe, shkelën brualisht etikën dhe dhunuan për herë të dytë viktimat, këtë radhë në hapësirën digjitale.
Raportimi me “detaje rrënqethëse” identifikoi të miturën dhe po ashtu edhe babain e saj të intervistuar. “Gazetari mbron të drejtat e fëmijëve dhe njerëzve me aftësi të kufizuar”, – shkruhet në Kodin e Etikës.
Ky është rasti kur detyra për të thënë të vërtetën duhet balancuar me nevojën për të mos lënduar. Pyetje të hollësishme që ndoshta hetuesit mund t’i bëjnë vetëm në prani të psikologut u bënë nga reporterë kureshtarë.
Në rastin konkret duhej dëshmuar përgjegjësi dhe kujdes i trefishtë:
1. Është rasti i një fëmije;
2. Është rast i viktimës së dhunës seksuale;
3. Është rast i personit me aftësi ndryshe. Edhe nëse informacionet për këtë rast do të vinin nga burime zytare sërish duheshin trajtuar me kujdes të veçantë.
Nuk ka receta fikse se si duhet vepruar apo çfarë duhet vendosur në një rast apo tjetër. Një gazetar/redaktor mund të bëjë pyetje apo të marrë një vendim që një tjetër i konsideron të paparanueshëm. Por sidoqoftë ka disa vija të kuqe që nuk duhen kaluar dhe që lidhen me dinjitetin njerëzor, respektin për vuajtjen dhe dhimbjen e tjetrit, dhe privatcinë e individëve.
Është e vërtetë që “djalli fshihet në detaje”, por jo çdo detaj dhe kuriozitet është interes publik. Përcaktimi i asaj se çfarë është interes publik nuk është filozofi apo çështje që ha debat. Është një gjë shumë konkrete: Është siguria dhe mbrojta e shëndetit të publikut; gjetja dhe ekspozimi i krimit/skandalit/shpërdorimi pushtetit.
D) Komentet dhe anonimati on line.
Nëse shfleton komentet on -line për tri ngjarjet e mësipërme, të përmendësh Kodin e Etikës rrezikon t’i ngjash njeriut që merr shatin dhe prashit në det. Nuk ka kapitull të Kodit të Etikës dhe nen të Kodit Penal që nuk dhunohet sidomos në mjedisin digjital. Shkelje të nenit të shpifjes dhe fyerjes gjen për secilën nga ngjarjet e përmendura më sipër. Sa i përket Kodit Etik, në këtë rast ai mbetet në sirtar.
Saktësia e informacionit? Harroje. Informacion i bazuar në burime? Asnjëherë. Respektimi i jetës private të tjetrit? Kurrë. Glorifikim i krimit dhe dhunës? Gjithmonë. Ndjeshmëri për viktimat e aksidenteve dhe fatkeqësive? Ncuk. Kujdes kur shkruan për fëmijët dhe personat e dobët? Jo dhe jo. Gjuhë urrejtje? Shpifje? Fyerje? Po. Po. Po.
Gjuha e urrejtjes on line, një gjuhë që çon në dhunë jo vetëm në mjedisin on line, është një problem që vjen duke u rritur. Nuk vuajmë për mungesë udhëzimesh apo Kode Etike. Udhëzimet për etikën on line të botuar nga Instituti Shqiptar i Medias janë mjaft të qarta dhe të detajuara. Nuk është se ka mungesë legjislacioni. Ajo çfarë vlen në botën reale aplikohet edhe në botën on line. Standardet ndërkombëtare janë vendosur me kohë. Rasti “Delfi kundër Estonisë”, i trajtuar nga Gjykata e Strasburgut saktëson se dikush mban përgjegjësi për publikimet on line. Përgjegjësia nuk kërkohet te anonimët (të cilët nuk janë anonimë, pavarësisht pseudonimeve me të cilën agresojnë), por tek redaksia dhe redaktorët përkatës. Ajo që mungon deri më tani tek ne është një rast konkret i trajtuar në gjykatë.
Etika në raportim ndan gazetarinë profesionale dhe të përgjegjshme nga “gazetaria urbane”.
Discussion about this post