Në 24 orët e fundit, Gledis Nano ka bërë një lëvizje befasuese, duke shkarkuar nga detyra një nga drejtorët më të zotë për hetimin e krimit, që është Tonin Vocaj. Drejtori i policisë kriminale ka arritur t’i mbijetojë disa dallgëve si nën pushtetin e Nanos, Berishës dhe Ramës, por siç duket nuk i ka mbijetuar lidhjeve të fundit të kreut të policisë me botën e krimit.
Policia e Shtetit njoftoi si rastësisht se Drejtori i Përgjithshëm Gladis Nano ka firmosur të enjten disa ndryshime në Policinë e Shtetit. Sipas informacioneve të disponueshme, me miratimin e Nanos është shkarkuar nga detyra drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj. Në vend të tij është emëruar Neritan Nallbati, ndërsa Vocaj është emëruar zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë, në vend të Albert Dervishajt. Nga ana e tij, Dervishaj do të emërohet në Akademinë e Policisë.
Por këto lëvizje, për dikë që nuk i njeh strukturat e policisë duken normale, por në të vërtetë janë të mbushura me prapaskena. Së pari Tonin Vocaj ka punuar gjatë gjithë karrierës së tij me hetimin e krimeve dhe jo me rendin dhe sigurinë publike, ndërsa tashmë është dërguar në një detyrë për rendin, duke e zëvendësuar me një person me të kaluar të dyshimtë, siç është Neritan Nallbati.
Ashtu siç e denoncoi dhe Partia Demokratike, u largua nga policia në vitin 2003, si bashkëpunëtor i Hakmarrjes për Drejtësi. Nallbati është famëkeq sidomos si protektor i “Rrugëve të kokainës”, gjatë kohës si drejtor i Policisë së qarkut Elbasan. Aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”. Sipas raporteve mediatike dhe konfidenciale, Neritan Nallbati e ka vazhduar pa ndërprerje rolin e mbështetësit të aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarit të botës së krimit në Polici, edhe në kohën kur drejtonte Policinë e Durrësit. Që prej tetorit 2021 në portin më të madh në vend ka pasur një rritje eksponenciale të trafikut të drogës.
E pikërisht mbi këto dyshime lidhen dhe emërimet e fundit dhe personat që po luajnë levat në Policinë e Shtetit. Emri më i përfolur në radhët e policisë kriminale se po komandon këto emërime, të cilët kanë jo pak informacion, por nuk mund t’i bërtasin me zë të lartë, është pikërisht Xhevdet Troplini. Por para se të kalojmë te fakti sesi po i komandon ai, le të tregojmë pak për të shkuarën e tij dhe sesi lidhen faktet e ditëve të sotme të denoncuara nga Partia Demokratike me të shkuarën e Troplinit.
Lidhjet e Xhevdet Troplinit kanë qenë të hershme fillimisht me Ilir Metën, ku para disa kohësh është publikuar dhe një foto, ku shfaqej me Hajrat në kompleksin ‘Golden’.
I njohur me pseudonimin “Poja”, Xhevdet Troplini ka qenë në vitin 2020 subjekti i OFL, që i ka dërguar formularin për të deklaruar burimin e të ardhurave, pas dyshimeve se i ka ngritur nga aktiviteti i tij kriminal. Troplini është një emër jo pak i njohur në Durrës, të cilit i është sekuestruar nga OFL makina e blinduar tip ‘Jeep’. Troplini, i arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike në 2006, ka në pronësi të tij disa biznese, mes tyre edhe lokalin në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Çollaku.
Ai është përfshirë dhe i dyshuar në disa ngjarje kriminale në Durrës, por që në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij. Ky person del gjithashtu edhe në listën e biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi.
Sipas QKR, Xhevdet Troplini rezulton se është ortak në kompaninë “Ovvital”, që merret me rritjen e shpendëve për prodhim vezësh dhe mishi dhe tregtimi i tyre brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, rezulton se është aksioner në një shoqëri të quajtur “EUROMAG”, ku bëjnë pjesë dhjetëra persona të tjerë. 40-vjeçari Troplini u arrestua për trafik ndërkombëtar të drogës në vitin 2006 dhe dosja ka ardhur nga drejtësia italiane pas përgjimeve ndaj tij dhe disa bashkëpunëtoreve. Droga kalonte nga Turqia, në Shqipëri dhe më pas në Itali.
Pikërisht ky aktivitet e ka lidhur Troplinin edhe me Neritan Nallbatin, i cili për shumë kohë ka drejtuar policinë e Durrësit, ku “Poja” ka aktivitetin e tij. Por tashmë duket se emri i tij ka shkuar dhe më lart, pikërisht te Edi Rama, duke i pasur nevojën për bizneset e tij që lidhen kryesisht me kontrollet që nuk kryhen nga AKU apo doganat, ndërkohë që tashmë po merr në dorë frerët e policisë, duke emëruar në poste kyçe njerëzit e sponsorizuar prej tij.
Sipas informacioneve, që asnjëherë nuk konfirmohen, por mbeten në kartotekën e policisë si informacione operative, kjo lëvizje e fundit e Gledis Nanos, de facto mban firmën e Troplinit, duke sjellë kështu një absurditet, ku një të dyshuar dhe të shkarkuar për lidhje me krimin të emërosh në krye të luftës kundër krimit.
/Marrë nga 27.al/https://27.al/xhevdet-troplini-merr-freret-e-policise-dhe-shkarkon-vocajn-si-u-emerua-nallbati-nga-poja-i-droges/
Discussion about this post