Kalimi i shqiptarëve me gomone drejtë Anglisë po bëhet një fenomen çdo ditë e më shumë shqetësues, duke theksuar këtu faktin që në kohët e fundit largimi ka qenë më i shumtë. Ndërsa dy ditë më parë i quajtën kriminelë ata që kalonin me gomone nga Franca në Britani, dje deputetët kanë hedhur alarmin se trafikantët duan të fusin sa më shumë klandestinë para se sa marrë ‘jetë’ qeveria e re. Ndërkohë që disa deputetë dhe zyrtarë britanikë i kërcënojnë shqiptarët me Ruandën, janë edhe zëra mes tyre që duan ta zbusin situatën, duke ua bërë të qartë se ata po emigrojnë për një jetë më të mirë.
“The Sun”
Emigrantët shqiptarë po mashtrohen nga trafikantët e pamëshirshëm të qenieve njerëzore për të bërë kalime të rrezikshme në kanalin e “La Mansh-it”, përpara se Kryeministri i ardhshëm i Britanisë të marrë detyrën. Ata që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm, po paralajmërohen se një udhëheqës i ri do të ndalojë të gjitha kalimet me patrulla dhe nga ana tjetër po joshen me ulje tarifash nga 10,000 paund në 2,000 paund. “Në Angli bën lekë shumë dhe shpejt”, gazetari rrëfen bisedën me 17-vjeçarin para se të marrë gomonen drejt Britanisë.
Deputetët britanikë u bënë thirrje mbrëmë ministrave që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të deportuar emigrantët në Ruandë pas një rritjeje të numrit të shqiptarëve që përdorin varka të vogla për të hyrë në Britani. Shifrat e rrjedhura nga raporti i publikuar së fundmi kanë zbuluar se emigrantët nga vendi ballkanik, një anëtar i NATOs që dëshiron të anëtarësohet në BE, përbëjnë katër në dhjetë të ardhur nga Franca Veriore.
Janë 1075 shqiptarë që janë futur në Britaninë e Madhe me gomone dhe varka të vogla në gjashtë javë deri më 12 korrik. Shqiptarët përbëjnë 37.5 për qind të të gjithë emigrantëve të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla nga bandat gjatë kësaj periudhe, duke eklipsuar të gjitha kombësitë e tjera përfshirë afganët, iranianët, irakianët dhe sirianët. Mbështetësit konservatorë i bënë thirrje Kryeministrit të ardhshëm që të veprojë urgjentisht. Natalie Elphicke, deputete konservatore për Dover, tha: “Është e qartë se shumë shqiptarë që vijnë në MB me varka të vogla nuk po ikin nga lufta apo persekutimi, ata janë emigrantë ekonomikë. Ky është kriminalitet flagrant dhe nënvizon urgjencën për të vazhduar me Ruandën dhe skema të ngjashme”. Diku tjetër, tarifa për t’u fshehur brenda një kamioni është deri në 22,000 paund, megjithëse mbart një rrezik shumë të lartë për t’u kapur”, raporton “The Sun”.
Një burim tha: “Shqiptarëve u thuhet se qindra njerëz do të patrullojnë Kanalin, gardhet do të ruajnë bregdetin dhe ata do të kthehen dhe do të humbasin paratë e tyre. Kjo po bëhet nga trafikantët në mënyrë që ata të mund të fitojnë para duke krijuar një fluks të vërtetë. Kur të ketë një Kryeministër, do të krijohet një gënjeshtër e re, çfarëdo që duhet për të vazhduar këtë tregti të keqe”.
Tom Hunt, deputeti konservator për Ipsëich, tha se shifrat “vërtet të larta” ‘nënvizojnë pse është kaq kritike që qeveria të futet dhe të prezantojë skemën e Ruandës’, duke shtuar: “Duhet ta mbyllim këtë farsë. Legjislacioni për të realizuar skemën e Ruandës duhet të jetë në krye të çështjeve kur Parlamenti të kthehet pas pushimeve verore”. Sekretarja e Brendshme, Priti Patel, tha: “Askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë e kësaj qeverie për të goditur biznesin e bandave”. Një burim në fushatën udhëheqëse të Liz Truss tha: “Liz ka një plan për të zgjeruar forcën kufitare, për të siguruar që Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut të funksionojë për Britaninë dhe të reformojë ligjet e skllavërisë moderne, mbi të cilat po abuzohet. Nevoja për parandalim është thelbësore, prandaj ne do të sigurojmë që marrëveshja e migracionit me Ruandën të funksionojë dhe të shikojmë të arrijmë marrëveshje të tjera”. Një zëdhënës i fushatës së Rishi Sunak tha se ndalimi i kalimeve do të ishte një përparësi kryesore për të, duke shtuar: “Është krejtësisht e papranueshme që emigrantët nga vende paqësore, si Shqipëria, po përpiqen të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar”. Numrin e shqiptarëve që mbërritën me varka të vogla në periudhën gjashtëjavore, të dhënat e fundit zyrtare e vendosin vendin shumë më poshtë në tabelën e të ardhurve.
Vetëm 271 arritën në Britani me anije të vogla në tremujorin e parë të këtij viti dhe 757 në të gjithë vitin 2021. Megjithatë, pati një total prej gati 5,000 kërkesash për azil, të bëra nga shqiptarët gjatë vitit deri në mars, duke sugjeruar se një numër në rritje mund të kalojë në varka të vogla nga metoda të tjera për të hyrë në MB, të tilla si fshehja në kamionë. Home Office nuk ka dhënë një shpjegim për rritjen e azilkërkuesve shqiptarë. Richard Tice, nga “Reform UK”, tha pasi u njoh me raportin se: “Nëse këta njerëz nuk po ikin me të vërtetë për të shpëtuar jetën e tyre, atëherë nuk i takon taksapaguesve britanikë t’i mbështesë ata”.
Clare Moseley, nga shoqata bamirëse e refugjatëve Care4Calais, vuri në pikëpyetje nëse rritja shqiptare mund të ishte një ‘anomali’.
“Dëshmitë tregojnë qartë se për vitet e fundit shumica e njerëzve që kaluan Kanalin ishin refugjatë të vërtetë”, tha ajo. “Nëse ka pasur një ndryshim, duket se suksesi i kalimeve me varka të vogla po ndikon në sjelljen e kontrabandistëve. Një zëdhënës i qeverisë tha: “Rritja e kalimeve të rrezikshme të Kanalit është e papranueshme. Akti i Kombësisë dhe Kufijve e bën vepër penale mbërritjen e vetëdijshme në MB ilegalisht dhe ne kemi futur dënime të përjetshme për ata që lehtësojnë hyrjen e paligjshme në vend”.
Discussion about this post