Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është i kallëzuari kryesor në Prokurorinë Speciale për aferën e inceneratorit të Sharrës. Por, Veliaj, di si t’i “sajdisë” prokurorët-ai u ka “dhuruar” një godinë të re, me vlerë 5 milionë dollarë, e destinuar fillimisht për administratën qendrore të Ujësjellës-Kanalizimeve të kryeqytetit.
Përballë Gjykatës së Posaçme, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, është në përfundim një godinë luksoze 6-katëshe.
Ndërtesa është në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe është projektuar për të mirëpritur administratën qendrore të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.
Por, sapo të jetë kolauduar dhe të jetë gati për funksionim, godina do t’i kalojë në përdorim Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në 12 Korrik të këtij viti propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, për të dorëzuar çelësat e ndërtesës me vlerë rreth 5 milionë dollarë në duart e Prokurorisë së Posaçme.
Përfituesi është e njëjta strukturë hetimore që, si rregull, duhet të ketë nën hetim Veliajn, për përfshirje në rol të dorës së parë në aferën e shumë-debatuar të ndërtimit dhe funksionimit të inceneratorit të Tiranës nga një grup kompanish private, me figurë përfaqësuese biznesmenin e shpallur në kërkim, Klodian Zoto.
Tenderi 5 mln USD sfidoi tërmetin
Në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit 2019, Shqipëria e Mesme u trondit nga një tërmeti i tmerrshëm, që la pasoja të mëdha në jetë njerëzish dhe ndërtesa.
Dhjetra godina në Tiranë u dëmtuan dhe u rrafshuan nga lëkundjet sizmike.
Gjatë paradites së asaj dite, stafi i Bashkisë së Tiranës e tejkaloi për pak kohë tmerrin e orëve të mëngjesit dhe publikon në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike tenderin “Ndërtim i godinës së re të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë”, me fond limit 480 milionë lekë të reja pa TVSH ose rreth 5 milionë dollarë, së bashku me TVSH.
Në ditët në vijim, qeveria urdhëroi ndërprerjen e të gjithë prokurimeve jo-të nevojshme, me qëllim që fondet të rialokoheshin për nevojat emergjente të rikuperimit pas-tërmetit.
Bashkia e Tiranës nuk e pa të arsyeshme të ndërpriste procedurat e tenderit 5 milionë dollarë.
Argumenti kryesor ishte që, përtej tragjedisë njerëzore, godina e re e Ujësjellësit do të ndihmonte stafin e kësaj ndërmarrjeje që të kryente detyrat e saj në mënyrë optimale.
Në atë kohë, si edhe deri më tani, administrata qendrore e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, i ushtron funksion në një godinë të marrë me qira, e cila më herët ka qenë selia kryesore e kompanisë telefonike “Plus”, në zonën e ish-Misto Mames, në kryeqytet.
Tenderi për godinën e re të Ujësjellësit u anulua në 5 Maj 2020 nga Komisioni i Prokurimit Publik, i cili vendosi skualifikimin e të gjithë kompanive pjesëmarrëse.
Bashkia e Veliajt, duke këmbëngulur në nevojat emergjente të stafit të Ujësjellësit për godinë dhe zyra të reja, e rishpalli sërish procedurën 5 milionë USD në Qershor 2020, ndërkohë që shoqëria shqiptare po mundohej të merrte veten nga goditja e rëndë ekonomike, si pasojë e izolimit për shkak të Covid-19.
Tenderi u mbyll në Korrik të vitit 2020 dhe fitues u shpall bashkimi i operatorëve “Gjikuria” dhe “4-AM”
Megjithatë, në tabelën e punimeve në kantier rezulton vetëm emri i kompanisë “Gjikuria”.
Uji rrjedh drejt SPAK-ut
Në 12 Korrik 2022, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin nr. 70, nëpërmjet të cilit jep pëlqimin që Bashkia e Tiranës të shqyrtojë kërkesën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sigurimin e ambjenteve të punës së Prokurorisë Speciale në godinën e re të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Në relacionin para këshilltarëve bashkiakë, Veliaj deklaroi se ndërtesa e re e Ndërmarrjes së Ujësjellësit përmbush nevojat e punës së SPAK-ut, pasi ka hapësira të mjaftueshme për akomodimin e stafit të prokurorëve dhe oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit; është prani korpusit gjyqësor dhe burgut, si edhe ka mundësi adaptimi të sistemeve teknologjike, duke qenë se godina është në përfundim e sipër.
Natyrisht, ai i parapriu dyshimeve publike, kur ironizoi se ky vendim mund të keqpërdoret “nga opozita dhe portale gjobvënës”.
Veliaj deklaroi se vendimi për të ndihmuar me ambjente SPAK-un është në përputhje me strategjinë e maxhorancës për mbështetjen e Reformës në Drejtësi, si edhe për këtë transferim, Bashkia do të paguhet nga qeveria.
Në fakt, në vendimin e Këshillit Bashkiak që jepet pëlqimi për godinën e Ujësjellësit nuk përmendet aspak përfitimi (qiraja) që do të marrë Bashkia nga vënia në dispozicion i ambjenteve të saj në favor të Prokurorisë Speciale.
Përgjegjësia për ndërtesat dhe akomodimin e stafit të sistemit të drejtësisë është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e qeverisë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila administron buxhetin përkatës për infrastrukturën.
Në këtë këndvështrim, “investimi” i Bashkisë së Tiranës për të sistemuar stafin e Strukturës së Posaçme Hetimore në godinën e saj 5 milionë dollarëshe, nuk mund të shmang dyshimet për “shkëmbim favoresh” mes institucioneve, të cilat, si rregull, duhet të jenë përballë njëra-tjetrës, pasi një mori kallëzimesh të dorëzuara pranë prokurorëve specialë në adresë të Erion Veliajt.
Dyzinë kallëzimesh për Veliaj
Erion Veliaj është, me shumë mundësi, zyrtari i lartë më i kallëzuar pranë SPAK-ut, në tre vitet e ekzistencës së kësaj prokurorie speciale.
Në adresë të kryebashkiakut të Tiranës janë dorëzuar kallëzime penale në seri, si një prej personave kyç në aferën e inceneratorëve.
Në verën e vitit 2020, Nisma “Thurje” dorëzoi disa kallëzime penale në SPAK për inceneratorët e Elbasanit, Fierit e Tiranës.
Kallëzime më të detajuara, ku përfshihet drejtëpërdrejtë emri i Erion Veliajt, janë dorëzuar në vijim nga Lëvizja Socialiste për Integrim (sot “Partia e Lirisë”), Partia Demokratike dhe Komisioni i Posaçëm Hetimor Parlamentar për inceneratorët, i cili funksinoi në periudhën Shkurt-Mars 2022.
Gjithashtu, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar një dyzinë kallëzimesh ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj, për shkelje ligjore në procedurat për prishjen e Teatrit Kombëtar, në 17 Maj 2020.
Ndërkohë, SPAK-u vetë ka pranuar publikisht se nisi një hetim penal në fillim të vitit 2021, pas publikimit të përgjimeve të anti-mafias italiane, ku eksponentë të Ndrangheta-s flisin për korruptim të zyrtarëve në Tiranë për leje ndërtimi.
Por, pavarësisht morisë së kallëzimeve, Struktura e Posaçme Hetimore-SPAK-nuk ka arritur deri më tani në asnjë konkluzion hetimor për Erion Veliaj, nëse është i pafajshëm apo përgjegjës për akuzat që i janë ngritur.
Nga Boldnews.al
Discussion about this post