Nga Fitim Zekthi
Lëvizja e Foltores dhe partia e Lirisë po flasin gjerësisht për “stinë protestash”, për vendime dhe madje për drejtësi popullore. Që në themelim lëvizja e Foltores kishte tiparet bazë të një lëvizjeje populiste. Ajo ishte radikale, akuzonte me gjithçka, kërcënonte dhe synonte asgjësimin e plotë politik të kundërshtarit, ishte anti-institucionale, fliste për politikanë që duhet të sillen siç kërkon baza popullore. Ata flasin për sovranizëm, flasin për komplot që i është bërë popullit dhe opozitës nga axhenda të fshehta kospiracioniste. Foltorja arriti deri atje sa organizoi një sulm të dhunshëm ndaj godinës së partisë demokratike në përpjekje sipas saj për të bërë realitet vullnetin e bazës. Partia e Lirisë po ashtu përdor një gjuhë shumë të rënduar me akuza, flet për vendime që do ti marrë populli, flet për protesta të fuqishme dhe për “shtator që do të shkulë qeverinë”, flet për sovranizëm dhe për komplot që i është bërë vendit nga axhenda të fshehta konspiracioniste.
Gjëja e parë që vihet re është se Foltorja dhe Partia e Lirisë përpiqen të sillen si partitë populiste të shfaqura vitet e fundit në Europë dhe në botë. Ato përpiqen të sillen si lëvizja e 5 yjeve, si lëvizja Indignados, si lëvizja e Jelekëve të Verdhë. Ato përpiqen të sillen (herë ashtu e herë kështu , si tu vijë për mbarë) edhe si partitë e Meloni-t, të Salvini-t, të Farage-t, të Abascal-it etj.
Problemi themelor me Foltoren dhe partinë e Lirisë është se ato nuk mund të jenë populiste. Ato kanë zgjedhur të jenë populiste nga pamundësia për të qenë parti normale demokratike që rregullojnë veten nëpërmjet introspeksionit, vetëpastrimit, vetë kufizimit, që kërkojnë respekt për paqen sociale. Ato kanë zgjedhur të jenë populiste sepse nuk kanë forcë të ndjekin angazhimet ndaj partnerëve, të respektojnë kërkesat e SHBA dhe BE-së brenda detyrimeve që vijnë nga anëtarësia në NATO dhe negociatat për anëtarësim në BE. Ato kanë zgjedhur të jenë populiste se nuk kanë forcë të pranojnë se krimi dhe korrupsioni duhen ndëshkuar në çdo nivel, se nuk kanë forcë të kërkojnë që rendi ligjor ta bëjë Shqipërinë një vend ku askush nuk është mbi ligjin, të kërkojnë që prokuroria dhe gjykatat të hetojnë këdo edhe ata vetë etj. Ato kanë zgjedhur të jenë populiste duke e parë atë si mjetin e vetëm për mbijetesë.
Foltorja, veçanërisht, ka zgjedhur të jetë populiste sepse vetëm ashtu ajo mund të tentonte “legjitimitet” për të sulmuar PD-në, për të sulmuar kryetarin dhe kryesinë e saj, për të sulmuar këshillin e saj Kombëtar, për të shkatërruar statutin dhe rregullat dhe për të themeluar atë që ajo është sot.
Gjëja e parë që duhet të bënte Foltorja por edhe partia e Lirisë për të qenë populiste duhet që të fliste kundër “elitës së keqe”. Thelbi i lëvizjeve populiste është se ato flasin për “elitën keqe” që është 1% e shoqërisë dhe për popullin e mirë që është 99%. Lëvizjet populiste akuzojnë “elitën prej 1%-i” se kontrollon ekonominë, biznesin, sistemin politik, se përcakton edhe moralin edhe kulturën sunduese që është më pas burim i këtij morali. Pra lëvizjet populiste ekzistojnë vetëm në dikotominë elitë e keqe prej 1% dhe popull i mirë prej 99%.
Lëvzijet populiste kësisoj kërkojnë që të zhbëjnë sistemin politik në mënyrë që pushteti i 1%-it të bjerë, në mënyrë që të çlirohet ekonomia nga kontrolli, në mënyrë që morali dhe kultura sunduese të mos përcaktohen nga kjo elitë dhe të mos shërbejnë si burg apo si rrjetë që mban të skllavëruar shoqërinë. Për këtë arsye Donald Trump, Nigel Farage, Beppe Grillo, Salvini, Varufakis, Abascakl etj flasin për tharje të kënetës, për pastrim nga njerëzit që rrinë në sistem me dekada dhe që janë mjetet me të cilat sistemi kontrollon shoqërinë, flasin për zhbërje të “grushtit të vogël” që kontrollon ekonominë dhe pasurinë kombëtare, për “grushtin” që shkel me këmbë popullin etj.
Foltorja, edhe Partia e Lirisë por duke qenë diçka më e vogël nuk po e përfshijë më në këtë diskutim, nuk ka mundësi të flasë në terma të populizmit. Foltorja nuk mund të flasë kundër 1% që sipas populistëve kontrollon ekonominë tonë, kontrollon ndërtimet dhe konçesionet, kontrollon naftën dhe energjinë, kontrollon gjykatën dhe prokurorinë, kontrollon policinë dhe mediat etj. Foltorja nuk mund të thotë se 1%-i që ka 31 vjet që ka zënë vend në politikë, në media, në biznesin klientelist, në fitimin e tenderave dhe konçesioneve është i keq dhe duhet të largohet.
Foltorja nuk mund të thotë se këneta duhet të thahet. Po të thotë këtë duhet të thotë se ata që drejtojnë PD-në prej 31 vjetësh, që kanë qenë ministra dhe kryeministra, që kanë qenë deputetë, që kanë biznese dhe janë lidhur me biznese, që janë lidhur me media, që kanë 31 vjet në parlament duhet të largohen.
Foltorja është në një krizë të thellë dhe në nj paradoks gjigand sepse ajo kërkon të jetë populiste por nuk mund të jetë populiste. Ajo është në një krizë të thellë sepse nuk mund të jetë as populiste dhe as antipopuliste.
Lëvizjet e 5 Yjeve, të Podemos, të Vox, të Indignados, Jelekët e Verdhë, etj dështuan dhe nuk i zgjidhën krizat e vendeve të tyre por ato gjithsesi prodhuan politikë, prodhuan ide, ishin koherente në një masë të madhe. Asnjë populizëm nuk është zgjidhje por një populizëm i sinqertë dhe koherent mund të prodhojë politikë. Lëvizjet në Itali, Spanjë, Greqi, Angli etj, prodhuan politikë sepse ishin koherente në atë që thonin. Ato prodhuan politikë se kishin fuqinë të flisnin kundër 1%, kundër sistemit, kundër kënetës. Foltorja nuk mund të prodhojë dhe nuk do të prodhojë kurrë politikë. Në thelb Foltorja është lëvizje jo politike. Foltorja synon të prodhojë antipolitikë, të kërcënojë shoqërinë dhe institucionet, të shantazhojë paqen sociale në mënyrë që të rregullojë jetën e brendshme të drejtuesve të saj.
Foltorja as nuk synon të prodhojë politikë. Foltorja e di paradoksin ku është, e di humnerën ku vepron siç di edhe nevojën gjigande që ka për të treguar sikur nuk është në humnerë, për të treguar sikur bën politikë, për të treguar se medemek është opozita e vërtetë. Kushdo në forumet drejtuese të Foltores e di këtë gjë me kthjelltësi dhe ftohtësi të madhe. E di më mirë nga të gjithë vetë kryetari i saj Berisha. E dinë të gjithë drejtuesit e tjerë.
Ky paradakos e ka futur jetën “politike” në Foltore në një situatë sa irracionale aq edhe perverse. Kryetari Berisha e di që të gjithë drejtuesit e forumeve të tij nuk besojnë se Foltorja bën politikë, se Foltorja do të fitojë apo se Foltorja është në garë për ndonjë fitore. Berisha e di se të gjithë drejtuesit e Foltores qofshin deputetë, anëtarë kryesie, sekretarë të saj nuk kanë as dyshimin më të vogël për kotësinë, absurdin dhe paradoksin e asaj që bën Foltorja. Ata e thonë edhe vetë këtë gjë përditë.
Berisha e di se ata bëjnë gjasme, se ata hiqen sikur e besojnë absurdin e Foltores por i pranon sepse i duhen, sepse ai bën vetë gjasme, ai bën vetë edhe vetë sikur. Të gjithë drejtuesit e Foltores në kryesi, deputetët, ata të këshillit kombëtar etj, janë aty me vetëdije në atë paradoks sepse nuk mund të jenë askund tjetër, sepse sulmuan Bashën dhe PD-në nga nevojat personale ose nga gjykime jo politike dhe antipolitike. Kanë mbërritur në pikën që nuk kthehen dot më dhe jetojnë në paradoks me shprehën paradoksale se gjithsesi Berisha do ta bëjë një listë kandidatësh për parlament dhe ata pavarësisht se e dinë fundin e Foltores shpresojnë të jenë tek ajo listë. Ka një lloj shanjnie e gjithë kjo por kështu ndodh me çdo lëvizje politike që nuk ka koherencë, nuk ndjek asnjë parim në mënyrë konsistente dhe udhërrëfyes i vetëm është kënaqja e epshit ose e oreksit.
Discussion about this post