Nga Lutfi Dervishi
Lajmi i dhënë sot se qeveria ka nxjerrë një VKM për të sekuestruar katet e ndërtuara pa leje është shakaja e radhës nga fusha e shtetit ligjor. Janë arrestuar njerëz për riparimin e çatisë së kasolles dhe kanë bërë edhe burg. Janë bërë ligje dhe VKM për ndërtimet pa leje. Është premtuar publikisht se ndërtuesit nuk mund të gjunjëzojnë më shtetin, se nuk do të konsiderohen “ndërtim pa leje” vetëm katet apo shtesat, por e gjithë godina nëse ka devijime nga projekti fillestar.
Është premtuar se do të ndëshkohet i gjithë zinxhiri që ka mundësuar pa ligjshmërinë që nga arkitekti që ka hedhur firmën dhe deri te inspektorët dhe sot, sot thuhet se “po shqetësohemi nga ky fenomen i kohëve të fundit. Nëse me kohë të fundit kemi ndërmend 30 vitet e fundit jemi në rregull.
Pa nisur punë mandatin e parë qeveria e re ishte e shqetësuar nga ndërtimet pa leje dhe premtoi kthimin në ligjshmëri dhe vënien fund të rrumpallës së ndërtimeve e shtesave pa leje.
Rrumbullak 9 vjet më parë nisi aksioni për t’i dhënë fund fenomenit të shëmtuar të shëmtimit të lagjeve e qyteteve.
18 gusht 2013
“Stop Rrenimitpikecom është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj”, shkruante kryeministri Rama në faqen e re, 9 vite më parë. Sipas tij, çdo qytetar, përmes celularit mund të ndihmojë aksionin që qeveria e re pritet të nisë në shtator (2013) për çlirimin e bregdetit nga këto ndërtime. “Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë, jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori, por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”, shkruante kryeministri Rama në vitin e largët 2013.
Në këtë faqe pati qindra denoncime. Faqja u mbyll pa bujë, por ndërtimet pa leje vijuan dhe vijojnë edhe sot e kësaj dite.
Shtatë vite më pas, në gojën e Kryeministrit gjendja ishte edhe më e rëndë se ajo e vitit 2013. Pas tërmetit 26 nëntorit 2019 me 51 viktima dhe qindra të plagosur u prezantua ligji i ri për disiplinimin e ndërtimeve pa leje. Fjalimi i gjatë i kryeministrit, nën hijen e dramës së ndodhur nuk linte as më të voglin dyshim se këtë radhë ishte ndryshe dhe nuk do të guxonte askush jo të ndërtonte një kat pa leje, por as një tullë nuk mund të vihej jashtë kushteve të lejes.
20 janar 2020
“Le të çohen të gjithë ndërtuesit e Shqipërisë të bëhen bashkë, le të armiqësohen me ne e të bëjnë çfarë të duan, nuk kanë për të pasur më asnjë fleksibilitet. E nuk do të kenë më asnjë fleksibilitet nga kjo shumicë qeverisëse e shpresoj dhe nga të tjerë që janë këtu, se kjo nuk ka të bëjë me politikën majtas djathtas, kjo ka të bëjë me diçka fare elementare për integritetin e shtetit.
Prandaj e mora fjalën, për ta bërë të qartë për publikun që masat tona ligjore, lidhur me çfarë duhet ta pasojë si mësim për të ardhmen 26 nëntorin, nuk ndalen tek ky ligj që po miratojmë sot, që është i nevojshëm e që ka shumë elementë që ishin të munguar në legjislacion dhe që është i kotë, në rast se ne nuk e plotësojmë me masat penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit dhe në rast se ne nuk e vendosim një herë e mirë me votë këtu e me vulë në fletoren e legjislacionit shqiptar, që çdo godinë për të cilën merret leje ndërtimi dhe kur leja e ndërtimit shkelet, shembet ose sekuestrohet, nuk mund ta gëzojë ai që e ka ndërtuar.
Me këtë ligj dhe me këtë paralajmërim të kryeministrit vetëm një i marrë mund të guxonte të bënte ndërtim pa leje.
Por 16 muaj më pas në Asamblenë e PS-së Kryeministri i kthehet prapa çështjes së ndërtimeve pa leje dhe ku? Në bregdet.
14 Maj 2021
Sapo kthen kurrizi policia dhe inspektorati nga qendra janë disa kryetar bashkie që vazhdojnë avazin e tyre, (për ndërtimet pa leje) është e paimagjinueshme kjo dhe nëse nuk do të isha në pritje që SPAK të bëj disa punë më të mëdha dhe të vendos një rend prioritetesh, mbase do isha unë që do bëja denoncimin sot, por nuk kam se si ia shtoj SPAK punët në drejtim të kësaj familje politike kur shoh që balanca jo në aspektin politik, por në aspektin e të drejtës është e shtrembërua”, tha Rama.
1 Qershor 2021
“Dua t’ua përcjell mesazhin të gjithë atyre që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit, të lexojnë Kodin penal, dhe menjëherë të marrin masa tani, se do jetë vonë deri të hënën, për t’iu shmangur përballjes. Të lexojnë kodin se çfarë i pret në momentin kur konstatohet shkelja dhe kur duhet të ballafaqohen me ligjin. E dyta, unë dua t’ua bëj shumë të qartë gjithë zinxhirit që përfshihet në këto ndërtime, që nga punëtorët e thjeshtë, që me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e fajësisë dhe përgjegjësisë. Të gjithë do të ndalohen e penalizohen”.
Sot, 15 muaj më pas nga paralajmërimi i fundit sërish flasim për tre opsione që u lihen ndërtuesve (zhvilluesve) për katet pa leje. Tre opsione? Në fakt ndërtuesit do të respektojnë opsionin e katërt.
Kur ma hedh njëherë faji është i yti, kur ma hedh për herë të dytë, faji është i imi. Deri më tani një grup ndërtuesish ja kanë hedhur 100 herë qeverisë.
Fjala nuk ka më peshë se është shpërdorur. Paralajmërimet e qeverisë i ngjajnë paralajmërimit 1724 të kinezëve ndaj SHBA për shkelje të hapësirës ajrore….
Ligji nuk ka asnjë fuqi sepse nuk merret seriozisht në radhë të parë nga Kryeministri. Ligji këtu është kthyer në një çështje interpretimi. Dhe këtë interpretim e bëjnë vetë ndërtuesit. NUK është fjala vetëm për shtesat pa leje. Rasti më flagrant, rasti më ulëritës dhe rasti më fatkeq është: vkm që i detyron ndërtuesit të paguajnë sigurim 10 vjeçar për blerësin. Edhe kjo nismë ligjore e marrë pas tërmetit të 2019. Ndërtuesit në bashkëpunim me noterë banditë, ja kanë kaluar këtë pagesë blerësve të pambrojtur. Ministria e Drejtësisë bën seminare për këtë çështje në vend që të pushonte nga puna noterët dhe të nxirrte kontrata tip që të mos linte hapësirë që ligjin ta shkruajnë ndërtuesit. Një prokuror i përgjegjshëm do të hapte çështje penale për këtë përdhosje të ligjit.
Gjyqtari do të ndëshkonte në mënyrë shembullore noterë, administratorë, ndërtues, inspektorë. Por ky skenar sot është më afër fantazisë se realitetit. Miliona euro të mbledhura si dhuratë nga kjo VKM për një sigurim që nuk siguron asgjë kthehen në mjete lobimi për të vijuar paligjshmërinë dhe talljen dhe nëpërkëmbjen me qytetarët e pa mbrojtur. Këtë faturë abuzive si cdo gjë tjetër e paguan konsumatori.
Taksën e bashkisë që duhet ta paguajë ndërtuesi, sipas ligjit, detyrohet ta paguajë blerësi, sepse noteri, nuk sheh ligjin dhe interesat e palëve, por interesin e ndërtuesit. Ministria përkatëse bashkë me institucionet e tjera, sërish mbyllin sytë dhe flasin për ligjshmëri e luftë kundër korrupsionit.
U kërkua me ligj më 2019 që 3% e sipërfaqes së re të ndërtuar të shkonte për të pastrehët, sërish ndërtuesit dhe bashkitë e interpretuan dhe zbatuan ligjin në mënyrë kreative dhe fakt është sot se 4 vjet pas miratimit të ligjit asnjë familje e pa strehë nuk është strehuar. Të tjerat janë dokrra hini.
Është interesant se pas çdo fjalimi të kryeministrit (nder vite) për ndërtimet pa leje, pasojnë aksione që zgjatin në rastin më të mirë 2-3 javë. Arrestohet ndonjë inspektor apo ndërtues. Dhe më pas sa qetësohet “koha” vijon avazi, “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”.
Ndaj edhe VKM e sotme për sekuestrimin kateve pa leje është lajm që do të kalojë pa mbushur tri ditë. Asgjë nuk do të ndodhë, sepse asgjë nuk ka ndodhur. Kot që janë lodhur për VKM e re dhe kot që është bërë lajm një gjë që nuk të bën më as për të qeshur.
Sot, me VKM e shpallur me entuziazëm ndërtuesit kanë tre opsione: a)gjobë, b) dhuratë metrat pa leje, c) sekuestrim. Ndërtuesit do të zgjedhin opsionin e katërt. d) nuk do merrni asgjë.
Ndoshta, ndoshta me ngritjen e satelitëve që do të kontrollojnë territorin, dhe me blerjen e ca dronëve “Bajraktar” (me dronët pak kujdes se mos përplasen në katet pa leje të kullave 40 katëshe) – nuk do të guxojë më askush të ndërtojë pa leje, sikundër ka bërë këto 30 vite, përfshi këtu edhe 17 vite që qeveris Partia Socialiste.
Discussion about this post