Nëse thua të vërtetën, qeveria të mbyt me gënjeshtra dhe argumentet i etiketon “teori konspirative”. Kjo u ndodhi sot përfaqësuesve të biznesit, të cilët u ankuan për çmimin e lartë të energjisë elektrike. “Energjia na kushton sa frëngu pulën”, tha Kryeministri Edi Rama në tryezën e diskutimeve për përmirësimin e klimës së biznesit në raport me rekomandimet e Dhomave të Tregtisë. Duke vazhduar me këtë temë, Rama bëri disa pohime të pavërteta:
Deklarata:
“Unë mendoj se falë menaxhimit të sistemit po i mbijetojmë goditjes. Unë me qëllim të pyeta, është e rëndësishme të bëhet ky diskutim se ka shumë folklor në këtë temë dhe shumë paqartësi dhe mjegull. Shqipëria nuk prodhon, edhe në vitin 2011 që ka qenë viti me reshjet më të larta, Shqipëria nuk e ka pasur mundësinë të prodhojë të gjithë energjinë që konsumon. Ky është fakt i bazuar në shifra dhe ndaj Shqipëria duhet të dalë në treg dhe t’i nënshtrohet logjikës së çmimeve të rritura në mënyrë katastrofike në tregun ndërkombëtar”, tha Edi Rama
Kontrolli i fakteve
- Krahasimi me vitin 2011
Dikush që ia jep shifrat kryeministrit, e ka informuar në mënyrë të gabuar. Është e vërtetë se, në vitin 2011 Shqipëria ka pasur intensitetin më të lartë të reshjeve në Evropë me një mesatare 1,485mm në vit, sipas një studimi të Bankës Botërore, por në vendin e parë për nga volumi i reshjeve u rendit Zvicra me 1,537mm në vit. Nga ana tjetër, ky vit nuk dallon për prodhim të lartë energjie dhe sa nuk mund të vendoset në kontekstin aktual.
Sipas INSTAT, në vitin 2011, Burimet e energjisë elektrike në vitin 2011 u ulën me 13.6 përqind, krahasuar me vitin 2010. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,532 GWh.
Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul ndjeshëm me 47.4 përqind, krahasuar me vitin 2010.
Energjia elektrike në vitin 2012 u rrit me 5.8 përqind,
krahasuar me vitin 2011. Sasia e energjisë së prodhuar
dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,969 GWh.
Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me
5.7 përqind, krahasuar me vitin 2011.
Konkluzion: Krahasimi çalon sepse në vitin 2011 numri i hidrocentraleve ishte më i vogël se sot (Sot ka rritje të numrit të HEC-eve private, ku më më madhi është ai i Banjës). Ndërkohë, në këtë vit sipas INSTAT, është shënuar rënie e madhe e prodhimit të energjisë elektrike krahasuar me vitin paraardhës (Arsyet nuk lidhen me shiun).
2- “Shqipëria nuk e prodhon gjithë sasinë e energjisë elektrike që konsumon”
INSTAT, institucion i varësisë së Kryeministrit Edi Rama e rrëzon pretendimin e tij, se Shqipëria nuk ka mundësi sot të prodhojë vetë të gjithë sasinë e energjisë elektrike që i duhet.
Sipas Bilancit të Energjisë Elektrike të përllogaritur nga INSTAT, gjatë vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 10,9 %.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 8.963 GWh nga 5.313 GWh energji të prodhuar në vitin 2020, duke shënuar një rritje me 68,7 %.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 59,6 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 39,9 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaikë) në masën 0,5 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 2.253 GWh nga 3.239 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rënie me 30,4 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2.800 GWh nga 963 GWh duke shënuar një rritje me 2,9 herë
Sipas bilancit për vitin 2021, “Konsumi i energjisë elektrike” arriti 8.414.808 GWH nga 7.588.636 GWH që ishte një vit më parë.
Nga këto:
Rekordi: Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 1.785 GWh nga 1.631 GWh, duke shënuar kështu një rritje me 9,5 %. Humbjet në transmetim janë rritur me 32,4 % dhe pesha që zënë në totalin e humbjeve në rrjet është 12,8 %.
Humbjet në shpërndarje zënë një peshë më të madhe, rreth 87,2 % të humbjeve në rrjet dhe janë rritur me 6,8 %, krahasuar me vitin 2020
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2021, arriti vlerën 6.630 GWh nga 5.958 GWh që ishte në vitin 2020. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 4,2 %, duke arritur vlerën 3.090 GWh nga 2.966 GWh që ishte në vitin 2020, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 18,3 %, duke arritur vlerën 3.540 GWh nga 2.992 GWh që ishte një vit më pare.
Si konkluzion, nga kontrolli i fakteve del se pohimi i kryeministrit mbi sasinë e prodhuar të energjisë elektrike në raport me konsumin është i gënjeshtërt.
- Deklarata: “Ajo që ne po bëjmë është zbatimi hap pas hapi i një programi për ta pavarësuar Shqipërinë në aspektin energjetik dhe për ta kthyer brenda vitit 2030 në një eksportues neto të energjisë. Shqipëria s’do shpenzojë asnjë euro për të blerë energji, por për të shitur energji. Prandaj po ecim me ndërtimin e Skavicës, mungesa e Skavicës është arsyeja që ne jemi të pavarur në tregun energjetik”.
Kontrolli i faktit:
Duke pasur parasysh se në vitin 2021, sipas bilancit të INSTAT, Shqipëria shënoi “Eksport neto 550,000 MWh”, vendosja e vitit 2030 si afat për të arritur këtë status (eksportues neto) është një gënjeshtër parabolike, që synon të justifikojë vazhdimin e lojës me tenderat e energjisë elektrike.
Rekomandim për lexuesit: Mos i merrni të mirëqena shifrat e servirura gjatë fjalimeve të kryeministrit Edi Rama, por konsultohuni me burime të tjera siç janë: INSTAT, Banka Botërore, FMN, Banka e Shqipërisë, mediat e pavarura. Kjo është metoda që përdor kryeministri, duke shpërndarë gjysmë të vërteta ose gënjeshtra në deklaratat e tij për të ndërtuar teza politike.
Discussion about this post