Rritja e çmimit të karburanteve duket se ka shtuar edhe tentativat e kontrabandistëve për të futur sasi të mëdha nafte, benzine dhe gazi pa paguar taksat në Shqipëri.
Kohët e fundit janë kapur disa raste të futjes së karburanteve kontrabandë në vendin tonë duke nxjerrë kështu në pah tendencën e tregtarëve për të shmangur taksat me qëllim maksimalizimin e fitimeve pavarësisht se qytetarët e blejnë me çmime që rezultojnë në listën e më të lartave në Europë dhe botë.
Sot, policia kapi 2 ton naftë kontrabandë në Tiranë, ku një qytetar e kishte kthyer shtëpinë në karburant dhe ia shiste atë përdoruesve të makinave. Por, ky duket të jetë rasti më i “pafajshëm” në një kohë kur vetëm dje, policia kapi disa ditë më parë një peshkarexhë në Durrës, e cila kishte në brendësi të saj rreth 80 ton naftë kontrabandë dhe ishte përshtatur për të futur karburant pa taksa në vend duke iu shtuar edhe disa depozita të tjera krahas asaj normales në bord.
Për këtë rast u arrestuan disa persona, përfshirë edhe administratorin e kompanisë që kishte peshkarexhën në pronësi.
Në 7 shtator policia kapi edhe 2.5 ton naftë kontrabandë në një peshkarexhë që po lundronte në ujë duke konstatuar se karburanti i ngarkuar nuk kishte paguar taksa.
Rasti tjetër më flagrant ishte ai kapjes së më shumë se 2 200 ton naftë kontrabandë me origjinë Libinë dhe destinacion Shqipërinë.
Kjo është një sasi kolosale karburante, e cila pa taksa kap shifrën e 2.2 milion dollarëve dhe bashkë me taksat shkon deri në 4 milion dollarë kosto totale, gjë që tregon se porositësi nuk është një qytetar dosido por një kontrabandist i madh, i cili duket se e ka shfrytëzuar këtë linjë disa herë nisur edhe nga fakti se policia thekson në njoftim se hetimin për rastin në fjalë e ka nisur disa muaj më parë.
Ndryshe nga rastet e tjera, policia në rastin e 2 200 tonëve naftë kontrabandë nuk ka arrestuar ende asnjë shqiptar dhe mbi të gjitha, nuk thotë se kush ishte porositësi i një sasie kaq të madhe karburanti që po tentonte ta fuste pa taksa në Shqipëri.
Në vetëm pak ditë janë kapur rreth 2 307 ton karburant kontrabandë në vendin tonë, ndërkohë që nuk dihet sasia që ka arritur të futet pa u kapur. Gjatë muajve të fundit, tatimet kanë raportuar rënie të sasisë së karburantit të zhdoganuar në vend duke ia referuar treguesit rritjes së çmimit, por duket se një dorë të mirë në drejtim të rënies së sasisë së karburanteve të zhdoganuara e ka dhënë edhe sasia e futur kontrabandë. /Abc/
Discussion about this post