Rreth 140 milionë lekë do të shpenzojë kryebashkiaku Erion Veliaj për letra higjienike për kopshtet dhe çerdhet. Kjo është një nga “shpikjet” dhe mënyrat për të vjedhur para nga qytetarët. Këtë herë ka hedhur grepin nga çerdhet dhe kopshtet në kryeqytet. Në dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike evidentohet se kemi të bëjmë me tenderin me numër reference REF-30211-05-20-2022 dhe si objekt ka “Blerje materiale pastrimi” dhe Institucioni prokurues është “Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve Tiranë” e drejtuar nga Zhaneta Beqiri, që është në varësi të drejtpërdrejtë nga Bashkia Tiranë.
Në këtë tender kanë marrë pjesë 6 kompani, por Beqiri (pasi është konsultuar me Veliajn) ka vendosur që të shpallë fituese “I&V Company” Sh.p.k, edhe pse kjo e fundit ka paraqitur ofertën më të shtrenjtë. Nga dokumentet e tenderit evidentohet se 3 kompani kanë ofruar më pak se kompania fituese, por janë skualifikuar. Si gjithnjë në këto raste gjenden “mangësi” nëpër letra, ose kanë dorëzuar dokumentacionin me “vonesë”.
Si përfundim, kompania “I&V” me administratore Viola Tërkuqi, ka marrë nga Bashkia Tiranë më shumë se 140 milion lekë dhe të gjitha këto janë marrë për letra higjienike, sapunë, sfungjerë dhe mjete të tjera të pastrimit. 140 milionë lekë për letra higjienike për vetëm 4 muaj, pra deri me 31 dhjetor, pasi brenda një sezoni Veliaj zhvillon disa tenderë të tillë. Gjithashtu tendera për ushqime, mobilje apo pajisje kuzhine për këto institucione.
Veliaj dhe Beqiri fusin duart në xhepat e familjeve
Një pjesë e mirë e produkteve të tenderuara prindërit detyrohen që t’i paguajnë vetë, si një shtesë veç taksave bazike për edukimin. Edhe më herët janë bërë disa denoncime në media ku prindërit kanë ngritur zërin se kërkesat që po i bëjnë drejtuesit e çerdheve dhe kopshteve shtetërore po iu kushtojnë atyre sikur të ishin në institucione private.
Në datë 1 shtator është bërë viral denoncimi i një nëne, së cilës në Çerdhen nr.11 në Laprakë i kanë kërkuar 100 mijë lekë të vjetra për regjitrimin e fëmijës në çerdhe. Nga këto, 50 mijë lekë të vjetra do të paguhen si detyrim dhe deri këtu gjithçka është e pranueshme, ndërsa 50 mijë të tjera do të paguhen tek çerdhja, pa asnjë faturë. Pagesa e parë bëhet nëpërmjet një mandati në postë ose në bankë dhe më pas dorëzohet, ndërsa pagesa e dytë duhet bërë dorazi ( kuprohet se ku përfundojnë).
Në çerdhe thuhet se ky është një kontribut vullnetar nga prindi, por nëna shton se po bëhet me detyrim. Gjithashtu, vlera është shumë e lartë, pasi më herët kontributi nga prindërit ka qenë 10 mijë lekë të vjetra. Ndër të tjera theksohet, se prindërit, çdo muaj, dërgojnë materiale të ndryshme në çerdhe si letra të lagura, kartopeceta etj. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve Tiranë nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me këtë çështje, por drejtuesja e institucionit ka thënë se ky kontribut është sipas dëshirës. Atëherë lind pyetja, çfarë i lihet mangët një fëmije nga shërbimet në kopsht, nëse nuk paguan 50 mijë lekëshin?
Për të parë nëse këto problematika janë të vërteta, Gijotina.com është interesuar dhe ka bërë verifikime në terren, nga ku ka rezultuar se përveç tarifës bazë, prindërve, herë pas herë iu kërkohen pagesa në rrugë informale për shërbimet në kopshte dhe çerdhe. Një familjar ka thënë për Gijotina.com se ai e dërgon vajzën e tij të vogël në një kopsht publik në zonën e “Freskut”. Sipas tij, çdo muaj iu kërkojnë çdo prindi 28 mijë lekë të vjetra në muaj për pagesën e ujit të pijshëm për fëmijën. Ndërsa shtoi më tutje se, herë pas here iu japin edhe ndonjë pagesë nën dorë edukatoreve, në mënyrë që ata të kujdesen më mirë për fëmijët dhe t’iu bëjnë shërbimin e nevojshëm.
“E dërgoj vajzën në një kopsht në “Fresk”, ku herë pas here kërkojnë pagesa për shërbimet që i kryejnë fëmijës. Këtë herë na kanë kërkuar 28 mijë lekë në muaj për ujin, plus ndonjë lekë që iu japim edukatoreve për më shumë përkujdese ndaj fëmijëve dhe ushqimin në kohën e duhur”, është shprehur në kushtet e anonimatit babai i një vajze të vogël, që kalon një pjesë të mirë të ditës në kopsht.
Gijotin.com ka folur edhe me një edukatore e cila punon në një kopsht publike në rrugën “Pjetër Budi”. Edukatorja I. G. ka pohuar për Gijotina.com se, përveç tarifës bazë prindërit duhet paguajnë për peceta higjienike, ujë të pijshëm, peshqir për fëmijët e tyre. “Po, prindërit i sjellin vetë ato, ose lënë një shumë çdo muaj për pecetat, ujin dhe të tjera si këto. Nuk më pëlqen kjo gjë, kur bëhet fjala për kopsht publik, pasi prindërve iu ngarkohen kosto që nuk i përballojnë dot“, u shpreh edukatorja. Këto prononcime vërtetojnë që kopshtet publike po iu kushtojnë shumë prindërve për fëmijët, ndërsa tregojnë se tenderi i Veliajt është një aferë e radhës. Mbetet të dimë vetëm se ku shkojnë këto para që Veliaj mashtron duke thënë se i shpenzojnë për letra higjienike./ Esmeralda Hida/
Discussion about this post