Pothuajse mbi të gjitha rrugët e Tiranës këto ditë nuk mund të mos shohësh një baner prej bezeje të bashkisë ku qytetarëve u thuhet se nëse do të kishin zgjedhur biçikletën, tani do të kishin arritur. Mesazhi sensibilizues niset nga ideja se biçikletat nuk ngecen në trafik, ndërsa makinat po. Tingëllon si një mesazh prindëror nga Bashkia Tiranë nëse qytetarët nuk do ta dinin që nuk ka qenë gjithmonë kaq e vështirë të shkosh në punë, në shkollë apo në spital.
E vërteta e hidhur e kesaj reklame të shpëlarë të departamentit të stërmadh të propagandës që ka ngritur Erion Veliaj në Bashkinë Tiranë është se shkaku kryesor i trafikut nuk është përdorimi i makinave, por reduktimi i vazhdueshëm i rrugëve që ditën që kjo administratë shkeli në zyrë. Sheshi Skënderbej dhe unaza e vogël u shndërruan në zona pedonale pas një periudhe të gjatë punimesh. Si pasojë, qafa e shishesh së trafikut është spostuar në rrugën e Barrikadave, rrugën e Elbasanit, tek Banka e Shqipërisë dhe tek Parku Rinia. Unaza e qytetit dhe rrugët që priten me unazën në drejtim të qendrës janë po ashtu të mbingarkuara gjatë gjithë ditës.
Por projekti më i dështuar i Bashkisë Tiranë nuk është shndërrimi i rrugëve për automjetet në hapësira pedonale. Me atë projekt, Bashkia mund të vazhdojë të lëvdohet në videot dhe fotot që publikon në mediat e huaja, apo edhe në mediat kombëtare. Disa qytetarë edhe mund të ndjehen mirë nga mungesa e makinave në disa zona qëndrore, kur një pjesë e madhe konsumojnë nervat dhe durimin, humbasin kohën e punës dhe biznesit, pra humbasin para, dhe shpeshherë nuk arrijnë dot në shpejt as në spital në raste urgjencash shëndetësore.
Dështimi më spektakolar i Bashkisë Tiranë janë korsitë e biçikletave. I bindur se kjo gjë do të tërhiqte vëmendjen e të huajve, Erion Veliaj dhe administrata e tij kanë ngushtuar segmente vitale të transportit për t’ua kushtuar biçikletave. Rrugë të tëra janë kthyer në një sens lëvizjeje, duke humbur kështu totalisht gjysmën e kapacitetit të transportit. Por edhe pse Veliaj është treguar bujar me përdoruesit e pritshëm të biçikletave, këto korsi të ngjyrosura me ngjyrën e preferuar të tij, janë çdo ditë bosh.
Kushdo mund të vërejë, nga makina që lëngon në trafik apo nga trotuari kur shkon me ngut në punë në mëngjes, se sa të rrallë janë ato qytetarë që kalojnë me biçikletë në korsitë e dedikuara për ta.
Tani që ky projekt ka dështuar plotësisht të japë efekt pozitiv në trafik, Veliaj dhe departamenti i tij i propagandës janë hedhur në sulm të parët për t’i vënë fajin kulturës së qytetarëve të Tiranës. Banerat që ata varin mbi semaforët në kryqëzimet kryesore këtë funksion kanë: t’u thonë qytetarëve se faji nuk qëndron të bashkia që mbylli rrugët për t’i bërë biçikleta në një qytet ku përdorimi i biçikletës nuk është as i sigurtë, as i shëndetshëm. Por faji qëndron tek ata vetë që nuk vënë famijët e tyre në shalë të biçikletës, por përdorin automjetet për t’i dërguar në shkollë.
Jo vetëm që i shkakton qytetit miliona euro humbje nga koha e humbur e biznesit dhe punës në trafikun e paralizuar të Tiranës, por Erion Veliaj edhe harxhon taksat e qytetarëve për një fushatë të shtrenjtë marketingu për të edukuar tironsit, siç përpiqet t’i quajë ai, se si të jetojnë, si të shkojnë në punë, dhe si të dërgojnë fëmijët në shkolla. Një krim urbanistik siç është ngushtimi i rrugëve për automjetet, që shkakton një krim të madh ekonomik me vonesën e jetës dhe shtimin e konsumit të karburanteve e ndotjes së ajrit, mbulohet me një fushatë shfajësimi si kjo e bezeve Veliajt për përdorimin e biçikletave.
Shkurt e shqip, ai prodhoi një mall që nuk shitet e as nuk konsumohet në këtë qytet dhe tani po mundohet të bindë banorët që të blejnë mallin e tij të panevojshëm dhe t’i fajësojë ata që nuk e blejnë për falimentimin. Një kryetar bashkie me mendësi të falimentuar, do të prodhojë përherë një qytet të falimentuar. Çështja është vetëm koha e falimentimit përfundimtar të Tiranës./Gijotina.com/
Discussion about this post