Dokumentari i ‘Në shënjestër’
Një verë e mbushur me krime të shumta, të lidhura në një seri të pambarimtë gjaku. Rrugë të sakatuara nga hakmarrja dhe qetësia e humbur përgjithmonë e një rendi që duket i cënuar rëndë. Dhe e sirenave të policisë, zjarrfikësve dhe ambulancave që duket se nuk u ka mbetur gjë tjetër vetëm të shuajnë flakët dhe tymin që lenë pas bandat dhe të transportojnë viktimat e radhës të shpërthimit të një lufte që mbjell terror dhe pasiguri, në kulmin e një sezoni, që ekskluzivisht duhet të mirëpriste turistët, dhe jo kufomat e shpërndara nga bandat, kudo nëpër rrugë.
2-Një skenë e tillë do të ishte edhe e diela përvëluese, e 17 korrikut 2022, për Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Një mesditë ku rrugët dukeshin të lira dhe të pashqetësuara nga trafiku i zakonshëm i verës. Por që dukej se ishin të tilla vetëm për vrasësit e radhës, por jo për tre të rinjtë, të cilët nuk e kishin menduar se udhëtimi i tyre i fundit në këtë jetë, do të ndërpritej nga breshëria e gjatë e plumbave, të derdhur mbi ta. Plumba, që nuk u dhanë asnjë mundësi të mbijetonin, por jo vetëm kaq, por u derdhën furishëm mbi ta, si një hakmarrje e egër, burimin e së cilës ende edhe sot policia e ka të vështirë ta identifikojë se nga vinte. Por kush i vrau Brilant Martinajn dhe miqtë e tij?
3-Cila ishte përditshmëria e tyre e fundit në këtë jetë? Brilant Martinaj, ishte një emër problematik për rendin. Edhe pse në një moshë të re, ai ishte kthyer shpejt në një vrasës gjakftohtë të rrugëve të Shqipërisë.
Rrugë, që dukeshin se kishin nisur dalëngadalë ti bindeshin autoritetit të këtij të riu, jo më shumë se 22 vjeçar. Ku tashmë, ai kishte vendosur rregullat e tij. Rregulla, të cilave duhet t’u përgjigjeshin edhe uniformat e policisë, të cilët kishin nisur t’i bindeshin si të ishte bosi i tyre. Prestigj, që i kishte dhënë të riut Martinaj, shpejt statusin e të paprekshmit në rrugë. Por edhe të ngrinte armën ndaj uniformave blu.
4-Reputacion që Brilant Martinaj e kishte fituar edhe si kushëriri i parë i Ervis Martinaj.
Kushëriri nga babai, i njohur edhe si bosi i lojërave të fatit në Shqipëri. Që edhe vetë, sot rezulton i zhdukur pa gjurmë. Autoritet që i kishte dhënë të riut Martinaj, mundësinë të lëvizte i lirshëm. Ashtu si ditën e ngjarjes, ku në vend të ishte në kërkim policor, ai u gjet më parë nga kundërshtarët e tij. Të cilët nuk kursyen ndaj tij dhe miqve qw e shoqëronin batare të shumta me plumba. Aq sa ekspertët mjeko-ligjorë e patën shumë të vështirë të identifikonin fillimisht kufomat e përzhitura nga flakët.
Të cilat thuhet se ishin karbonizuar plotësisht.
5-Ku identifikimi i kufomave, u bë vetë pas analizimit të trupit të karbonizuar të Brilant Martinaj.
I cili u dallua nga atletet e markës ‘Valentino’ që mbante veshur si edhe nga një orë e markës ‘Rolex’ që mbante në dorë. Sipas ekspertizës balistike të kryer, në trupin e viktimave, u gjetën 18 deri në 20 plumba.
Çka tregonte edhe për egërsinë me të cilën ata ishin qëlluar. Ndërkohë që për të konfirmuar identitetin e secilës prej viktimave, ekspertë të mjekësisë ligjore, morën edhe kampionë nga ADN-ja e të afërmve të tyre. Në këtë rast, nga Rakip Martinaj, babai i Brilant Martinaj dhe Bajram Hoxha, babai i Besmir Hoxhës.
6-Duke u kthyer te dita para ngjarjes, grupi hetues, ndërtoi edhe një dinamikë të lëvizjeve të Brilant Martinaj.
Shënjestra e dyshuar e atentatit të trefishtë. Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, makina me të cilën tre të rinjtë po lëviznin, ishte e regjistruar në emër të Arbër Hoxhës.Vëllait të Besmir Hoxhës, që ndodhej në drejtimin e automjetit. Fillimisht, Brilant Martinaj, mendohet se ka kontaktuar Besmir Hoxhën. Ku i ka kërkuar këtij të fundit ta shoqërojë me makinë deri në Kamëz. Pranë një servisi, ku kishte lënë për të riparuar makinën e tij. Bashkë me ta, në sediljen e pasme, ishte edhe Dikler Vata, i cili shërbente kurdoherë si shoqërues i Brilant Martinaj.
7-Gjatë rrugës, Martinaj, thuhet se ka kontaktuar me Jeton Lamin. Efektivi i policisë, që më pas doli edhe si shoqëruesi i Ervis Martinaj, natën kur bosi i lojrave të fatit, u pa për herë të fundit në të gjallë, në hyrje të një hoteli në vijën bregdetare të Durrësit. Sipas dosjes hetimore, Brilant Martinaj dhe miqtë e tij pasi janë bërë bashkë, janë ndalur fillimisht në Fushë Kuqe, në lokalin e njohur si ‘Brazil’.
Aty, ku i ka pritur Jeton Lami, agjenti i Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, i cili më pas i ka marrë dhe i ka shoqëruar me makinën e tij Audi A8, drejt Kamzës. Makinë, që rezultoi të ishte e njëjta, me të cilën Jeton Lami, shoqëroi Ervis Martinajn, natën e 5 gushtit 2022, në Durrës.
8-Para se ky i fundit të raportohej më pas i zhdukur. Pasi janë bërë bashkë, operativi Jeton Lami dhe Brilant Martinaj me miqtë e tij, kanë lëvizur drejt Kamzës. Në servisin ku Martinaj kishte lënë makinën e tij. Informacion që konfirmohet edhe nga punonjësi i servisit.
“Brilant Martinaj kishte lënë një makinë për ta rreguilluar. Ata erdhën dhe më pyetën nëse e kisha përfunduar, por ju thashë që më duhej edhe pak kohë. Martinaj dhe miqtë e tij qëndruan vetëm pak minuta në servis dhe më pas u larguan”, tha punonjësi i Servisit.
9-Është ky momenti, kur pasi janë ndarë nga punonjësi i servisit të makinave në Kamëz, Jeton Lami mësohet se i ka kthyer sërish me makinën e tij Martinajn dhe dy shoqëruesit e tij, në lokalin ‘Brazil’, aty ku edhe i mori.
Lokal ku grupi i djemve kishin lënë makinën e Besmir Hoxhës. Është akoma e paqartë përse Martinaj, zgjodhi ta linte makinën e mikut të tij në sheshpushimin e lokalit të njohur në zonën e Fushë-Krujës dhe të vazhdonte udhëtimin e mbetur në Kamëz me automjetin e efektivit Lami. Dhe nëse ishte ky momenti, kur toga e pushkatarëve, u ishte vënë në ndjekje. Një zgjedhje që duket se nuk ka qenë shumë e gjetur nga Martinaj dhe miqtë e tij.
10-Pasi ekzekutimi dhe mënyra se si u krye lë të dyshosh se makina e shokut të tij, Besmir Hoxha, duhet të ketë qenë për një kohë të gjatë në vëzhgimin e agresorëve. Siç mund të ketë qenë po kështu edhe makina e efektivit të policisë, Jeton Lami. I cili duhet të ketë qenë mjaftueshëm i ekspozuar në lëvizjet e tij, në syrin e kundërshtarëve të Martinajt të ri. Por edhe kushëririt të tij të famshëm. Kjo, pasi dinamika në vazhdim e ekzekutimit të trefishtë, nuk le mëdyshje, se kishim të bënim me një atentat të mirëorganizuar deri në imtësi. Sipas dinamikës në vazhdim, të ndërtuar nga grupi hetues, atentatorët mendohet se i pritën viktimat e tyre në hyrje të Urës së Fushë-Krujës.
11-Menjëherë, pasi ata ishin nisur nga lokali ‘Brazil’, ku ishin ndarë me Jeton Lamin. Gjithçka duket se është fiksuar nga kamerat e një biznesi pranë mbikalimit. Aty ku thuhet se makina e autorëve, ka qëndruar në pritje për afro 55 minuta. Një tjetër detaj, që përforcon bindjen e grupit hetues, se një grup i gjerë keqbërësish, ishin të angazhuar atë të diel, për të ditur lëvizjet e Martinaj dhe shokëve të tij. Por ndërsa grupi hetues, priste që me posedimin e këtyre pamjeve filmike të zbulonte edhe djallin që fshihet në detaje, duket se autorët kanë qenë shumë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre.
12-Gjatë gjithë pritjes së tyre, ata kanë hapur vetëm një moment derën e automjetit ku qëndronin në pritje.
Por, pa dalë asnjëherë nga aty. Çka nuk i ka dhënë asnjë mundësi grupit hetues të kryejë identifikimin e autorëve. Gjithçka tjetër, duket një film horror i xhiruar në rrugë. I denjë për ekzekutimet që mund të kryejnë vetëm kartelet e drogës në Meksikë. Sapo shquajnë për së largu, makinën me të cilën Brilant Martinaj dhe miqtë e tij udhëtonin, makina në pritje lëviz nga vendi ku qëndronte prej kohësh dhe i vihet në ndjekje, objektivit. Pas tyre, po në këtë moment, vihet në ndjekje edhe një tjetër makinë, e cila duket sikur transporton vrasësit.
Ekzekutimi duket të jetë barbar dhe i egër.
13-Makina me Martinaj dhe shokët e tij në brendësi shpërthen në flakë. I vetmi që mundi t’i shpëtojë fillimisht furisë së pandalur të plumbave, duket se është Dikler Vata, që qëndronte në pjesën e pasme të mjetit. Por edhe ky, duket se i shpëton përkohësisht plumbave të atentatorëve. Pasi në efektin e flakëve dhe tymit që kishte përfshirë ndërkohë automjetin, ai del nga aty, pa e ditur se atentatorët edhe pse në largim e sipër vazhdonin të shikonin nga automjeti i viktimave të tyre. Është ky momenti, kur sipas grupit hetues, ata rikthehen edhe njëherë në vendngjarje dhe ekzekutojnë Dikler Vatën, i cili po përpiqej të mbushej me frymë në anë të rrugës ku digjej automjeti me dy miqtë e tij.
14-Sipas grupit hetues, menjëherë pasi u konstatua nga pamjet filmike, makina e dytë në krim, ata kryen verifikimin e tyre, se kujt i përkiste ky automjet. Në bazë të të dhënave të siguruara, rezultoi se ky automjet, i përkiste një emigranti që jetonte në Britaninë e Madhe. I cili u ndalua në avion në momentin kur po udhëtonte drejt Anglisë. Por alibia e tij e fortë bëri që grupi hetues ta lironte shpejt nga përgjegjësitë. Si një person që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Paralelisht me këto veprime, policia gjeti pas ngjarjes, edhe një makinë të djegur. Makinë Wolksvagen Passat me portobagazh, me targa të pasme AA150OR, ku në brendësi të mjetit u gjetën edhe dy armë.
15-Një automatik model 56, prodhim jugosllav dhe një armë tip automatik PMSH.
Në lidhje me ngjajrjen e rëndë, policia mori në pyetje edhe vëllain e njërit prej të fortëve të Niklës.
Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit. Po pa specifikuar përse hetimet e saj, ishin ndalur pikërisht te ‘Të fortët’ e Niklës. “Ditën e ngjarjes kam qenë duke drekuar në Sarandë. Viktimat nuk i njoh dhe emrat ua kam dëgjuar vetën në media. Më herët kam qenë me pushime jashtë vendit”, pohoi Valter Bami.
Njëkohësisht me familjen Bami, grupi hetues mori në pyetje edhe pjesëtarë të një tjetër familje problematike në Nikël. Personi i radhës që u pyet ishte Lutfi Haka.
16-Babai i Marklen Hakës. Ky i fundit pre e një atetanti të radhës të rëndë, në muajin qershor 2022, vetëm disa javë para se Martinaj të ekzekutohej. Lutfi Haka, që nuk dha ndonjë detaj me interes për grupin hetues. Ndërsa djali i tij Marklen Haka, u deklarua se nuk u gjend në banesë. Ndërkohë që policia shpalli njoftim për ndalimin në kufi për shtetasit Fatjon Murati, Alesio Dobrozi dhe Roan Brahimi (Prendi). Po kështu edhe për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist, Rrahman Rraja. I cili del i pranishëm edhe natën kur Enver Stafuka u rrëmbye dhe u zhduk nga një togë banditësh të maskuar si policë, për të mos u gjetur më kurrë që nga 8 shkurti i vitit 2015.
17-Video e cila është transmetuar ekskluzivisht edhe nga emisioni ‘Në shënjestër’. Rraja, emri i të cilit del po kështu, në çështjen e Endrit Dokles dhe Gentian Reçit. Ky i fundit, kunati i Dokles, njëherazi edhe djali i vëllait të Xhelal Reçit. Xhelal Reçi, ish polici i ekzekutuar, më 1 nëntor 2021, në qendër të qytetit të Laçit. Ku thuhet se një nga personat e dyshuar si vrasës së tij, të jetë Brilant Martinaj. Ramazan Rraja i cili në një komunikim për News 24, u shpreh lidhur mbi ngjarjen e ekzekutimit të Brilant Martinaj dhe miqve të tij, se ai jetonte prej kohësh jashtë Shqipërisë. Dhe se nuk ka përplasje me familjen Martinaj. Sipas tij, ai po sulmohet thjesht për shkakun se është nip i deputetit socialist, Rrahman Rraja.
18-Por për t’u kthyer edhe njëherë te dita e krimit, grupi hetues mori në intervistë jo vetëm armiqtë e dyshuar të Martinaj, por edhe familjarë të tij. Dhe të miqve që atë ditë e shoqëronin në makinë. I pari që u pyet mbi jetën e djalit të tij, ishte edhe Rakip Martinaj. Babai që në këtë ngjarje, humbi djalin e tij të vetëm. Por ku ashtu siç pritej, i ati i 22 vjeçarit, nuk dha ndonjë detaj që mund të bënte dallimin në informacionin që kërkonte të dispononte grupi hetues. Madje, u tregua shumë hermetik në thëniet e tij, duke mos i ndihmuar shumë prokurorët, në hetimet që ata sapo kishin nisur për këtë ngjarje.
19-Ose të paktën, ai duhet të kishte kohë, që dinte shumë pak ose aspak, për lëvizjet e të birit.
“Ditën e ngjarjes nuk kam patur dijeni me kë ishte Brilanti dhe as me kë ishte”, tha Rakip Martinaj. Por me shumë gjasa Rakip Martinaj, mund të jetë i treguar i vërtetë në deklarimet e tij para hetuesve. Kjo pasi Brilant Martinaj, bënte një jetë shumë të shpërndarë. Duke lëvizur shpesh midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjë që vihet re edhe në postimet e tij në rrjetet sociale, kryesisht në tik-tok.
20-Ku postonte momente të veçanta midis luksit dhe jetës vanitoze që duket se e kishte shumë përzemër. Një jetë e shpenzuar mes miqve të shumtë të botës së showbizzit por dhe të kërkimit policor. Ku prej tri vitesh ndaj tij kishte një urdhër për kërkim ndërkombëtar, pas akuzave si autor i dyshuar në vrasjen e efektivit të policisë Xhuliano Prela. Vrasje ende e pazbardhur edhe sot, por ku personi i parë i dyshuar për këtë krim u cilësua, Brilant Martinaj. Martinaj, i cili mbrëmjen e ekzekutimit të efektivit Prela në fshatin Gajush të Lezhës, u pa të lëvizte me makinën e tij Opel me targa AA 470 BO në aksin Milot-Lezhë. Teksa furnizohej në një nga pikat e karburantit në Fushë-Milot.
21-Pamje, të makinës së Martinaj, të cilat u publikuan për herë të parë nga emisioni ‘Në shënjestër’, teksa në kamerat e sigurisë së karburantit shfaqet vetë Martinaj, i veshur me rroba kamuflazhi.
Makinë, që sipas grupit hetues ishte e vetmja që lëvizi përgjatë itinerarit Lezhë-Milot, në harkun kohor të vrasjes së punonjësit të policisë. Një vrasje që siç e thamë, e pazbardhur. Por ku duket se në vazhdim një dorë e padukshme ndërhyri për ti dhënë një rrjedhë tjetër. Ndërsa Martinaj, të nesërmen e ngjarjes, u largua për në Turqi, nga pika kufitare e Morinës. Të paktën kështu u deklarua nga familjarët e tij.
22-Të cilët e justifikuan largimin e tij, me motive shëndetësore të një të afërmi. Por për t’u kthyer te ngjarja e humbjes së jetës së tij, ai që do të ishte më i pafajshmi në gjithë këtë histori do të ishte Besmir Hoxha. Hoxha në këtë udhëtim të fundit të Martinaj, do të kishte rolin e shoferit. Një rezervim i trishtë i fatit, për njeriun e vetëm në këtë ngjarje që nuk kishte lidhje të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë me krimin. Por që atë ditë, fati i tij i keq, e dërgoi në pritën e organizuar për Martinaj dhe mikun tjetër të tij, Dikler Vata. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, Besmir Hoxha, nuk kishte asnjë precedentë të mëparshëm penalë. Apo llogari të hapura me ligjin.
23-Ai priste së shpejti të bëhej baba për herë të dytë. Atësi të cilën nuk mundi ta shijojë, pasi plumbat ia prenë jetën në mes. Më keq akoma, familja nuk mundi ta shikojë për herë të fundit. Pasi trupi i tij u shkrumbua brenda në makinë, bashkë me atë të Brilant Martinaj. Nga flakët të cilët shpërthyen, pasi ekzekutorët thuhet se goditën me breshëri arme sebratorin e makinës së viktimave. Vëllai i tij Arbër Hoxha, tregoi për grupin hetues edhe momentin se si e mësoi lajmin për ekzekutimin e njeriut të tij të afërt. Ai tha po kështu, se vëllai i tij nuk kishte konflikte.
24-Çka krijoi edhe më shumë bindjen te grupi hetues se objektivi i atentatit ishte Brilant Martinaj dhe miku i tij Dikler Vata.
“Vëllai im Besmiri më datë 17 korrik ora 11.30 paradite ka qenë duke udhëtuar me Brilant Martinaj me një makinë Wolswagen gri me targë AB 456 DO. Makinën e drejtonte Besmiri. Ngjarjen që Besmiri dhe shokët e tij ishin qëlluar në Fushë-Krujë e mësova nga mediat”, tha Arbër Hoxha.
Discussion about this post