Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, në një deklaratë nga selia blu, ka vijuar me serinë e dytë të denoncimeve në lidhje me vjedhjet në bashkinë e Vaut të Dejës.
Boçi ka publikuar dokumente, të cilat sipas tij vërtetojnë se janë likuiduar dhe marrë në dorëzim projekte të patenderuara.
Deklarata e plotë e Boçit:
Sot do të vazhdojmë me denoncimin e dytë të vjedhjeve me disa seri në Bashkinë e Vaut të Dejës.
Bëhet fjalë për një abuzim në shifrën e 100 milion lekëve, paraqitur si shpenzime për ‘Hartim Projektesh’ për vitin 2020. Së pari, janë likujduar projekte të patenderuara, një rikonstruksion, plus shtesë, për shkollën 9 vjeçare Hajmel dhe rikontruksion për shkollën Barbullush.
Së dyti, janë marrë në dorëzim projekte të patenderuara, me vlerë rreth 20 milion lekë, objekte qendrash shëndetësore, të cilat janë në fakt në varësi të Ministrisë Shëndetësisë: ndër to qendra shëndetësore Mjedë, e tenderuar nga ministria e linjës me dt. 30 mars 2020.
Së treti, referuar dokumenteve standarde dhe kontratës, projektet duheshin dorëzuar brenda 2 muajve, ndërkohë që janë dorëzuar brenda tri ditësh. Pas dorëzimit në sekretari çuditërisht të nesërmen, me dt 30/6/2020. është bërë edhe likujdimi i plotë. Shumë e thjeshtë arsyeja: fituesi është paracaktuar.
Së katërti, referuar proces-verbalit të marrjes në dorëzim, në të gjitha projektet ka mangësi nga dokumentet e kërkuara në tender, kjo konfirmohet edhe nga akt konstatimi i Anti-korrupsionit ku thuhet: “nuk na janë vënë në dispozicion dokumentacioni për zbatimin e kontratës dhe marrjen në dorëzim të objektit të prokurorimit, duke përfshirë edh projeket e zbatimit, relacionet përkatëse, preventivat, specifikimet teknike dhe çdo document tjetër i kërkuar në DST.”
Së pesti, te shkolla e Mjedës, Bashkia e Vaut të Dejës bëhet “spektakolare”, siç di vetëm mjeshtrat e administratës së Bashkisë: Shkolla, sipas detyrave të projektimit është ndërtuar në vitin 1850 dhe nuk është rikonstruktuar as një herë. Me gjithë entuziazmin historik të mjeshtrave, shkolla është ndërtuar në vitin 1986. Është rikronstruktuaar në 2016 me mbështetjen e Ambasadës amerikane dhe Gardës së Neë York-ut dhe Neë Jersey-t, me një fond prej 500 mijë dollarësh. Por “mjeshtrat” nuk ndalen. Ata thonë: shkolla ka 814 nxënës, ku mësojnë 24 klasa. Në në fakt, duke iu referuar Drejtorisë Rajonale Arsimore në Lezhë, shkolla ka 160 nxënës.
I patrembur nga faktet dhe arsyeja, Bashkia e Vaut të Dejës vendos të bëjë rikonstruksion të plotë të shkollës.
Së gjashti: Bashkia projekton disa rikonstruksione kopshtesh sipas një modeli copy/paste të Kopshtit 34 në Tiranë. Pra, është marrë preventivi i rikonstruksionit të këtij kopështi, 150 km më larg, madje është kopjuar edhe skenari tiranas, në të cilin 5 familje banonin në ndërtesën e kopshtit.
Në stisje të tjera, për kopështin e Bushatit për shembull, Bashkia thotë se i është bërë rikonstruksion nga Ministria e Arsimit në vitin 2000. Në fakt, ky kopësht është ndërtuar në vitin 2012. Edhe ky, sipas skenarit të kopshtit 34 në Tiranë, na qenka zaptuar nga 5 familje. Një skenar identik është përdorur edhe për kopshtin Barbullush.
Gjithashtu, për kopshtin e Vau të Dejës, sipas ‘detyrës së projektimit’ flitet për rikonstruksion në vitin 2000. Ndërkohë sipas fakteve dhe shkresave është ndërtuar i ri në vitin 2009. Ndërtesa është 2 katëshe, jo 1 katëshe, siç thuhet po aty. Por, 5 familjet e kopshtit 34 vazhdojnë të patundura edhe këtu.
Kur vijnë te urat, Bashkia e Vaut të Dejës e lë skenarin e kopshtit 34 në Tiranë dhe zhvendoset në Roskevecin edhe më të largët. Për faktin e thjeshtë se këtë u kanë dhënë për të kopjuar kolegët hajdutë në simotrat e tjera korruptive të Rilindjes.
Në këtë rast janë ngarkuar 2 detyra projektimi identike, por njëra prejt tyre përmban pjesë të shkëputura nga preventivi që ‘presupozohet’ të dorëzohet nga projektuesi. Dmth bashkia dhe projektuesi e kanë “rregulluar punën” pa filluar puna.
Gjithashtu duhet theksuar se, sipas Ligjit, lloji i procedurës nuk duhej të ishte konsulencë, pasi nuk kemi të bëjmë me konsulencë të karakterit intelektual, por me kontratë shërbimi, dhe kjo bëhet për të shmangur procedurat e konkurencës së hapur, pasi kontrata e shërbimit është e kësaj kategorie.
Për të gjitha këto shkelje ka një Akt-Konstatim, me datë 6/4/2002, të drejtorisë së Anti-korrupsionit në ministrinë e Drejtësisë, e cila shprehet se kompanitë e skualifikuara janë eleminuar pa të drejtë dhe ndërkohë, e kualifikuara ka fituar në kundërshtim me kriteret.
Të gjitha këto shkelje janë pasqyruar në padinë që ka çuar në SPAK dega e PD të Vaut të Dejës. U bë më shumë se një vit që është bërë kjo dhe nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria e Posaçme.
U bëjmë thirrje që, nëse nuk i tërheq ligji dhe e drejta, të paktën ta lexojnë dosjen sepse aty ka letërsi fantastike. Sidomos skena me 5 familje, që kanë zaptuar të gjitha kopshtet e Bashkisë së Vaut të Dejës, ne na pëlqen shumë. Do të shihemi së shpejti për një episod tjetër.
Discussion about this post