Partia Demokratike ka hedhur poshtë lajmin e publikuar sot nga media malazeze “Pobjeda”, e cila shkruante sot se kreu i PD-së, Sali Berisha ka marrë financime ruse. Në një reagim zyrtar, PD thotë se artikulli është një abuzim i trashë i informacionit e mosnjohje e fakteve nga kjo media ose në rastin më të keq vjen si pasojë e agjendave politike dhe nacionaliste. Në sqarim, PD shton se artikulli i referohet zyrtarit amerikan që zbuloi se selia blu ishte financuar nga Rusia, por që në atë kohë, kjo parti drejtohej nga Lulzim Basha e jo Berisha. Ky i fundit u dorëhoq në vitin 2013, kur edhe la pushtetin pas zgjedhjeve përballë Partisë Socialiste. PD kërkon korrektim e përgënjeshtrim të lajmit, në të kundërt, paralajmëron padi sipas legjilacionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Në një pasqyrë të detajuar të fakte, të cilat i janë bërë të ditura kësaj mediaje, kërkohet korrektim përgënjeshtrim. Në të kundërt, shtohet se PD rezervon të drejtën e padisë sipas legjilacionit kombëtar dhe ndërkombëtar,”- shkruan PD.
Gazeta malajzeze ‘Pobjeda’ ka ndarë raportin e shërbimeve amerikane mbi influencën ruse në politikën e Malit të Zi, Bosnjës dhe Shqipërisë. Në artikull shkruhet se njerëzit e Moskës në Ballkan janë Milorad Dodik dhe Sali Berisha, të cilët kanë marrë para nga miliarderi rus Konstantin Malofeje
‘Prandaj nuk është rastësi që në mesin e këtij muaji (13 shtator) një zyrtar amerikan ekspozoi se çfarë po bënte Rusia në Evropë dhe si Moska – për të siguruar pika ndikimi në vendet e Evropës dhe të Ballkanit Perëndimor – pagoi burime të konsiderueshme financiare për njerëzit që supozohej të ishin “prokurë rusë” në Ballkan. Për këto qëllime zakonisht përdoreshin politikanët pro-serbë. Këtë e tregojnë informacionet se nga Kremlini janë paguar burime të konsiderueshme financiare, përmes kanaleve të ndryshme, te Fronti Demokratik në Mal të Zi, por edhe te Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. U raportua se para ka marrë edhe Partia Demokratike në Shqipëri – Sali Berisha.’- shkruhej ndër të tjera.
Reagimi i plotë i PD:
Partia Demokratike përgënjeshtron lajmin e publikuar në median malazeze “Pobjeda”, në një artikull ku pretendohet se Kryetari i PD z. Sali Berisha, ka marrë financime ruse. Ky është një abuzim i trashë i informacionit dhe mosnjohje e fakteve nga kjo media, në rastin më të keq, të agjendave politike dhe nacionaliste. Z. Berisha nuk ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, dhe është rizgjedhur në këtë post vetëm më 22 maj të vitit 2022. Së dyti, ‘dosja e financimeve ruse’, ku përmenden lidhje të ndryshme politike të Rusisë në Ballkan, ndër to edhe PD, në zgjedhjet e vitit 2017, kohë në të cilën ka qenë kryetar z. Lulzim Basha, ka marrë një përgjigje shteruese në gjykatat shqiptare. Në një pasqyrë të detajuar të fakte, të cilat i janë bërë të ditura kësaj mediaje, kërkohet korrektim përgënjeshtrim. Në të kundërt, shtohet se PD rezervon të drejtën e padisë sipas legjilacionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në artikullin e publikuar në gazetën Pobjeda https://www.pobjeda.me/clanak/ko-je-sve-u-mrezi-moskve, vërejmë me shqetësim një pasaktësi brutale, e cila shpresojmë të mos jetë bërë nga premisat e dashakeqësisë apo, më keq, agjendave politike apo nacionaliste. Pretendimi se z. Sali Berisha, kryetari (aktual) i Partisë Demokratike, ka marrë financime ruse, është një abuzim i trashë i informacionit dhe mosnjohje e fakteve dhe kontekstit. Së pari, sqarojmë se z. Berisha nuk ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, dhe është rizgjedhur në këtë post vetëm më 22 maj të vitit 2022.
Së dyti, ‘dosja e financimeve ruse’, ku përmenden lidhje të ndryshme politike të Rusisë në Ballkan, ndër to edhe PD, në zgjedhjet e vitit 2017, kohë në të cilën ka qenë kryetar z. Lulzim Basha, ka marrë një përgjigje shteruese në gjykatat shqiptare. Në vendimin e Gjykatës, të cilin mund t’jua sigurojmë nëse kini interes, thuhet shprehimisht se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me ‘financimet ruse’ të publikuara për herë të parë në gazetën Mother Jones (shih https://ëëë.motherjones.com/politics/2019/06/the-head-of-albanias-conservative-party-faces-criminal-charges-and-an-ex-trump-aide-is-involved) dhe që trajtohen gjithashtu nga Voice of America 3 vjet më vonë (shih https://ëëë.zeriamerikes.com/a/6746331.html) dhe media të tjera botërore, bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA.
Të gjitha veprimet, sipas Gjykatës, janë kryer në kapacitet personal, jo INSTITUCIONAL nga kryetari i asokohe i partisë z. Basha. Statuti i Partisë Demokratike e thotë qartë: vendimet për lobime apo përdorim parash etj. i marrin organet kolegjiale, dhe jo kryetari. Për më shumë, Partia Demokratike e drejtuar nga z. Berisha ka ngritur para një jave, një Komision Auditi të brendshëm për të bërë transparencë finale lidhur me rastin e ‘financimeve ruse’, pra të dokumentacionit, nëse ka, dhe hyrje-daljeve financiare që përkojnë me dritaren kohore të këtij rasti. Nëse merrni mundimin t’u referoheni deklaratave publike të Partisë Demokratike dhe artikujve të shumtë në mediat shqiptare, në shqip dhe anglisht, i dyshuari i vetëm për ‘aferën e financimeve ruse’ është kryetari i PD në vitin 2017. Z. Basha prezumohet se ka marrë një financim prej 500,000 USD nga fonde ruse. E theksojmë: në padijeni të plotë të asnjë forumi apo individi tjetër në Partinë Demokratike. Këto para nuk kanë hyrë në financat e PD dhe është e paqartë kur, dhe si, janë marrë dhe si janë përdorur. Shpresojmë që kjo pasqyrë e fakteve njëkohësiht kontekst i bollshëm, të jetë i mjaftueshëm për të korrektuar të dhënat në shkrim dhe për të botuar një përgënjeshtrim me një link që të çon te artikulli origjinal.
Gazetaria profesionale dhe etike e kërkon këtë. E bëjmë këtë kërkesë bazuar në rregullat etike duke i ruajtur vetes të drejtën që, në rast të mos publikimit të këtij përgënjeshtrimi dhe ndërhyrjes për publikimin e tij në të gjitha mediat që kanë publikuar artikullin tuaj, brenda 24 orëve, do të ndërmarrim hapat ligjorë sipas legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar.
ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT
PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPERISE
Discussion about this post