Irani ndodhet në kulmin e një revolte popullore, të shkaktuar nga vdekja e një vajze 22 vjeçe në paraburgimin policor në Teheran.
Mahsa Amini vdiq më 16 shtator, tri ditë pasi u arrestua nga policia e moralit për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit, apo shamisë së kokës. Autoritetet thonë se Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia.
Protestuesit thonë se nëse nuk veprojnë tani, mund të bëhen viktima të të njëjtit fat. Dhjetëra njerëz kanë vdekur tashmë në përleshjet me policinë, ndërkohë që protestat janë shtrirë në çdo cep të Iranit.
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Golnaz Esfandiari, ka ndarë në Tëitter një video, ku një protestuese duket duke prerë flokët, në shenjë mbështetjeje për Mahsa Aminin, derisa turma brohorit: “Vdekje diktatorit” – referencë kjo për udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Skena të paprecedente në Iran, ka shkruar Esfandiari.
Këto nuk janë protestat e para masive në historinë e Republikës Islamike të Iranit. Më 2009 është protestuar për mashtrime në zgjedhje, më 2017 për keqmenaxhim ekonomik, më 2019 për rritjen e çmimit të karburanteve… Por, shumë vëzhgues besojnë se kësaj radhe është më ndryshe. Protestat, para së gjithash, bëhen nga gratë, por në to marrin pjesë edhe burra, të rinj, të moshuar, të klasave dhe grupeve të ndryshme etnike, që bashkërisht thërrasin sloganin: “Zhin, Zhiyan, Azadi”, apo “Grua, jetë, liri”.
Historiani iranian, Roham Alvandi, profesor në Shkollën Ekonomike në Londër, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se protestat – të papara në këtë shkallë dhe me këtë strukturë njerëzish – janë duke tundur themelet e Republikës Islamike.
“Kjo nuk është thjesht një lëvizje protestuese, që kërkon vota në zgjedhje ose drejtësi ekonomike. Ky është një refuzim i plotë i Republikës Islamike dhe thirrje për një shtet laik demokratik”, thotë Alvandi.
Ngjashëm shprehet për Exposenë edhe Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin për Lindjen e Mesme:
“Ju shihni gjenerata të ndryshme në rrugë. Ju shihni gjyshe dhe gjyshër 70 vjeç, 80 vjeç. Është një pasqyrim i vërtetë i zemërimit të shoqërisë iraniane me një regjim të shurdhër, që nuk dëshiron të dëgjojë se njerëzit janë lodhur… Çfarë kanë për të humbur këta njerëz? Nëse keqtrajtoheni nga e ashtuquajtura polici e moralit vetëm pse keni treguar pak flokët, çfarë shoqërie është ajo”?
Gratë në Iran kanë qenë humbëset më të mëdha të shoqërisë që pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Klerikët udhëheqës i kanë detyruar ato të veshin hixhab dhe rroba të gjera që ua fshehin figurat, ua kanë marrë të drejtën për të udhëtuar pa shoqërues meshkuj, për të vizituar vende argëtuese, si dhe për të bërë çdo lloj pune.
Policia e moralit, mes tjerash, ka për detyrë të mbikëqyrë sjelljen e grave. Dënimet për shkelje të rregullave përfshijnë: gjobë, burgosje dhe rrahje me kamxhik.
Annabelle Sreberny, nga Qendra për Studime Iraniane në Universitetin Soas të Londrës, thotë për Exposenë se çështja e hixhabit i ka ndezur protestat në Iran, por se janë edhe një varg çështjesh të tjera që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.
“Regjimi ka lejuar që inflacioni të arrijë në 40 apo 50 për qind. Edhe produktet bazike, si buka dhe orizi, janë tepër të shtrenjta për iranianët e zakonshëm. Këto janë probleme ekonomike, por Irani ka edhe probleme të tmerrshme mjedisore, ka probleme me ujin, me thatësinë… Ajri i ndotur në Teheran dhe në qytete të tjera, për shkak të benzinës me plumb dhe përdorimit të tepërt të makinave, nënkupton që shkollat duhet të mbyllen shpesh dhe njerëzit me vështirësi në frymëmarrje të qëndrojnë brenda. Çfarë po bën regjimi?”, pyet Sreberny.
Regjimi është zotuar se do të ndërmarrë “masa të forta” kundër protestuesve.
“Qeveria duhet të reagojë me vendosmëri” kundër tyre, ka thënë presidenti iranian, Ebrahim Raisi.
Në rrugë janë vendosur forca të shtuara të sigurisë, përfshirë Gardën Kombëtare. Raportet flasin për dhjetëra njerëz të vrarë nga përleshjet – në mesin e tyre edhe protestues, edhe policë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, disa protestues janë qëlluar për vdekje me fishekë metalikë.
Historiani iranian, Roham Alvandi, thotë se protestat janë sfida më serioze për regjimin në disa vite. Megjithatë, ai nuk beson se establishmenti iranian do të heqë detyrimin për veshjen e shamisë – së paku jo tash për tash. “Nëse shamia bie, bie edhe Republika Islamike”, thotë Alvandi. Kjo, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse presioni i protestave vazhdon për kohë më të gjatë.
“Ky është një aparat masiv shtetëror. Bëhet fjalë për qindra mijëra njerëz që udhëheqin këtë qeveri. Nuk mund të pajtohen të gjithë me atë që po ndodh. Jam i sigurt se protestat vrasin ndërgjegjen e shumë prej tyre. Dhe, sa më shumë që vazhdojnë ato, aq më shumë do të rriten gjasat që të dëgjojmë thirrje përbrenda regjimit për ndryshime thelbësore në Iran”, thotë Alvandi.
Alex Vatanka, nga Instituti i Lindjes së Mesme, thotë se regjimi iranian e ka përsosur “artin e represionit”. Sipas tij, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, nuk e kupton fjalën kompromis.
“Ai është jashtëzakonisht kokëfortë. Ai vërtet nuk beson në kompromis. Ai mendon se kompromisi është fjalë e keqe, se është shenjë e dobësisë. Dhe, nëse tregoni dobësi, armiqtë do të kërkojnë më shumë prej jush. Kjo nuk është ajo që ai do. Si 83-vjeçar, ai nuk mendon se është koha për të treguar dobësi”, thotë Vatanka.
Vatanka shton se është vështirë të parashikohet fundi i këtij kapitulli që ka nisur. Për të kaluar në një shkallë tjetër, ai thotë se protestat duhet të kenë një udhëheqës të identifikueshëm, të cilin aktualisht nuk e kanë. Ai thotë se autoritetet edhe mund të kenë sukses në shtypjen e tyre, por se zemërimi do të mbetet.
“Një grua e pafajshme 22 vjeçe është vrarë pa ndonjë arsye të mirë. Një qytetare e një vendi që pretendon se ofron siguri, por shpeshherë është arsyeja kryesore përse qytetarët iranianë ndihen të pasigurt. Derisa Republika Islamike nuk i ndryshon politikat e saj, nuk i dëgjon njerëzit e saj dhe nuk e ndryshon qasjen si brenda, ashtu edhe jashtë, ky zemërim nuk do të zhduket. Regjimi mund t’i shtypë këto protesta që po shohim tani. Por, pas disa muajsh, pas disa vitesh, ato do të rikthehen”, thotë Vatanka.
Derisa regjimi iranian ka kufizuar edhe qasjen në internet, analistët thonë se është e rëndësishme të gjenden mënyra që protestat të mbeten edhe në fokusin ndërkombëtar, ndërsa presioni mbi regjimin të rritet. Alvandi kujton se protestat janë duke ndodhur në kohën kur Perëndimi dhe Irani po negociojnë për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore.
“A është në rregull që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara t’i vazhdojnë negociatat me Iranin, ndërkohë që iranianët vriten në rrugët e qyteteve të Iranit? Unë nuk mendoj se është. Unë mendoj se negociatat, së paku, duhet të pezullohen”, thotë Alvandi.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi policinë morale të Iranit, duke thënë se e konsiderojnë përgjegjëse për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgim.
Nga Zyra për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e kanë dënuar dhunën, duke thënë se forcat iraniane të sigurisë kanë përdorur në disa raste municion të gjallë.
Në mediat sociale, emri i 22-vjeçares që vdiq në paraburgim, është bërë simbol. Në gjuhë dhe forma të ndryshme, hashtagu Mahsa Amini është përdorur mbi 100 milionë herë në Tëitter. Njerëz të famshëm, aktorë, atletë, kanë dalë publikisht në mbështetje të protestuesve iranianë, duke kërkuar që shteti të tërhiqet dhe t’i dëgjojë ata.
Protestat solidarizuese janë shtrirë në vende të ndryshime të botës, nga Berlini i Gjermanisë deri në Santiago të Kilit.
“Regjimi iranian u tregon grave se çfarë duhet të veshin. Ne, thjesht, duam lirinë për të vendosur vetë, se çfarë duam të bëjmë dhe çfarë duam të veshim. Vetëm liri”, ka thënë për agjencinë Reuters një protestuese në Berlin.
Nuk ka asnjë garanci se gratë iraniane do ta rikthejnë këtë liri që kanë gëzuar para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Por, një gjë është më e sigurt: publiku i gjerë, për kohë të gjatë, do ta mbajë mend emrin e Mahsa Aminit dhe fotografinë e saj në spital, të lidhur me tuba dhe me fasha, duke luftuar pa sukses për jetën e saj./ Marrë nga REL
Discussion about this post