Kryeministri Edi Rama e quajti investimin e urdhëruar prej tij për ndërtimin e një instalacioni druri me vlerë 4 milionë euro në oborrin e selisë së qeverisë si një “projekt energjie të rinovueshme”, pikërisht në ditën kur njoftoi shqiptarët se do të paguanin 4-fishin e çmimit të energjisë elektrike familjet që shpenzonin më shumë se 800 kilovat orë në muaj. Rama u gjend nën kritika për këtë projekt luksoz, të shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në fund të Gushtit, pikërisht në kulmin e një krize të thellë ekonomike.
Rama qëndroi në heshtje për disa javë dhe më pas u detyrua të argumentojë se instalacioni nuk është thjesht një punim artistik 4-katësh, por shumë më tepër, një risi për të ardhmen. Fjalët e tij nuk zunë shumë vend, ashtu si edhe justifikimet për disa investime të tjera luksi dhe tërësisht jashtë kohe.
Një projekt për pistë garash me makina në Elbasan, dy satelitë që do të zbulojnë nga hapësira ndërtimet e paligjshme në Shqipëri, si edhe një projekt thuajse fantazmë, “100 fshatrat”, i konsideruar i tillë pas disa gjetjeve kompromentuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, iniciativa që arrijnë në dhjetëra milionë euro, ngrenë pikëpyetjet për mënyrën se si qeveria ka vendosur të shpenzojë paratë publike.
Instalacioni 4 milionë euro
Në Shtator të vitit 2020, kur Rama deklaronte se ishte në kulmin e luftës me “armikun e padukshëm”, virusin Covid-19, gjen kohën që të kryejë një telefonatë me arkitektin austriak, Chris Precht. Biseda mes të dyve, siç zbulohet nga një shkrim në gazetën “Der Standard”, fokusohet tek një skicë-ide që kryeministri shqiptar kërkonte nga arkitekti i njohur për një objekt në Tiranë. Nuk jepen detaje të shumta se për cilin projekt u diskutua, por kjo u mësua rreth dy vjet më vonë. Në 27 Korrik 2022, me propozim të Kryeministrit, Këshilli i Ministrave ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit që të kryejë procedurën për zbatimin e projektit për oborrin e selisë së qeverisë.
Diçiturë: Instalacioni prej druri në oborrin e Kryeministrisë
Në fund të gushtit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpall procedurën me vlerë 431 milionë lekë të reja (rreth 4 milionë euro), për ndërtimin e një “instalacioni me strukturë druri në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë, “Parku Eden””. Kryeministri Rama deklaroi se “nuk bëhet fjalë për një vepër arti, por një projekt energjie të rinovueshme vetëm për mjedise punë. Është diçka që bëhet për të qenë aty”. Dokumentat e konsultuara nga “Gijotina.com” tregojnë se instalacioni është më shumë luks për zyra e ambjente shlodhëse, sesa investim që do të ndihmojë reduktimin e kostove të energjisë elektrike, siç u rrek ta cilësojë Rama.
Bazuar në Raportin Teknik të projektit, paneli fotovoltaik që pritet të prodhojë energji elektrike nga drita e diellit, do të vendoset mbi tarracën e objektit aktual të Kryeministrisë, një godinë e ndërtuar në vitin 1941. Duket fare qartë që paneli fotovoltaik nuk ka asnjë lidhje me instilacionin e ri 4 milionë euro dhe se burimi i energjisë së rinovueshme mund të funksionojë edhe pa shpenzimin luksoz. Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë gjithashtu se, “përveç kthimit të institucionit të Kryeministrisë “green” nga ana mjedisore, vetëm prodhimi i energjisë në 20 vite të ciklit të jetës, do të sillnin mbi 5 milion Euro të ardhura, pa llogaritur trendin rritës që do ketë çmimi i energjisë në të ardhmen”.
Pra, qeveria investon sot 4 milionë euro për instilacionin, që të fitojë 5 milionë euro, pra vetëm 1 milionë euro më shumë, pas 20 vitesh. Një investim aspak i mençur. Por, e vërteta e këtij instalacioni, ajo që mundohet të fshihet nga kryeministri nëpërmjet deklaratave të gatshme, është lehtësisht e aksesueshme në dokumentet e tenderit. “Në kushtet e tanishme të godinës, pothuajse të gjitha grilat e dritareve të zyrave janë të ulura. Qëllimi i këtij projekti është krijimi i një objekti qendror, për të cilin do t’ia vlejë që grilat përreth të hapen dhe pamja, aroma dhe oksigjeni që çliron bimësia e dendur, të depërtojë në zyrat e punës së këtij institucioni të rëndësishëm”.
Më tej, në dokumentet e projektit për instalacionin, lexohet: “Eden është një zgjidhje e qëndrueshme dhe e gjallë për një oborr që krijon vend, një strukturë e hapur dhe e depërtueshme për kohë të lirë private dhe evente publike…..Dizajni i ndjekur në hapësirën e depërtueshme të Eden-it lejon zhvillimin e programeve dhe eventeve publike të ndryshme…”.
Diçiturë: Pjesë nga Shpjegimet Teknike për instalacionin
As më shumë e as më pak se sa një investim luksoz, i cili mund t’i shërbejë Kryeministrit për t’u treguar kolegëve ndërkombëtarë një “oaz të gjelbër” në Tiranën e betonizuar.
Pistë garash
Në 9 Gusht të vitit 2021, kryeministri Edi Rama e nisi mëngjesin me një postim nga iniciativa luksoze e ndërtimit të një parku pistash për mjete të shpejta. “Mirëmëngjes, dhe me një tjetër ëndërr nga ato që kanë hyrë në rrugën e realizimit, Autoparkun ultramodern të Elbasanit, projektuar në bashkëpunim me FIA-n, nën udhëheqjen e drejtorit të Transportit Rrugor Shqiptar, Blendi Gonxhe, e kujdesin e Presidentit Jean Todt, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Përfshirja e emrit të Shefit Ekzekutiv të asaj kohe të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit i shërbeu kryeministrit shqiptar për të justifikuar një investim luksoz, i cili ende nuk ka një faturë të saktë, por që llogaritet në disa dhjetra miliona euro. Në dhjetor të vitit të kaluar, Zhan Todt (Jean Todt) u largua nga Federata e Automobilizmit dhe, natyrisht Auto-Parku i Elbasanit nuk është më në vëmendjen e tij. Por, qeveria shqiptare ka nisur të shpërndajë dhjetëra miliarda lekët e parë.
Në mesin e Gushtit të vitit 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi dy procedura tenderuese të menjëhershme, me fond total mbi 13 miliardë lekë të vjetra ose rreth 11 milionë euro, për ngritjen e strukturës mbështetëse për Auto-Moto Parkun e Elbasanit. Këto dy procedura nuk lidheshin drejtpërdrejtë me pistën e garave, por me argjinaturën e lumit Shkumbin, në krah të të cilit pritet të ndërtohet parku, si edhe me aksesin e rrugëve ekzistuese drejt vendin ku do të shtrihet projekti i ri.
Diçitura: Projekti Auto-Moto Park në Elbasan
Në fund të Shtatorit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, i cili është edhe institucioni përgjegjës për pistën e garave, shpalli tenderin për blerje konsulence mbi hartimin e projektit Auto-Moto Park Elbasan. Tenderi ka një vlerë prej më shumë se 2 miliardë lekë të vjetra ose rreth 2 milionë euro. Pra, deri në këtë fazë, institucionet qeveritare kanë prokuruar rreth 15 milionë euro, të cilat nuk lidhen drejtëpërdrejtë me ndërtimin e pistës së mjeteve. Për pistën dhe mjediset rrethuese, fatura është ende enigmë për qytetarët, të përfshirë nga kriza ekonomike.
Satelitët
Kur kryeministri Rama artikuloi për herë të parë në Tetor të vitit 2021 se qeveria kishte vendosur të hidhte shumë shpejt në orbitë dy satelitë, “Albania 1” dhe “Albania 2”, shumëkush ironizoi këtë ide. Shqipëria, një ndër vendet më të varfëra në Europë, ka sfida shumë më të mëdha dhe më jetike se sa “lufta e yjeve”.
Diçitura: Montazh i kryeministrit Edi Rama me satelitë në orbitë
Por, për Ramën, blerja e satelitëve ishte një sfidë më vete, sidomos pasi rrjetet sociale u mbushën me sarkazëm. Ai e avancoi idenë e tij dhe ngarkoi Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile që të kryente procedurat tenderuese për blerjen e tyre. Agjencia e Mbrojtjes Civile është një prej strukturave më të kritikuara për aktivitetin e saj të dështuar në mbrojtjen kundër zjarreve, të cilat përfshijnë qindra hektarë bimësi në çdo verë.
Punonjësit e kësaj Agjencia, si edhe forcat e armatosura, përdorin dru shqope dhe kova uji për të shuar zjarret e mëdha, në mungesë të mjeteve më të përshtatshme, sidomos të helikopterëve që janë efikas në këto raste. E, megjithëse nuk ka helikopterë, Rama angazhoi Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të shkuar shumë herë më të lart në ajër, pikërisht në orbitë.
Nga e thëna në të bërë. Agjencia e Mbrojtjes Civili mbylli në Shtator të këtij viti tenderin me vlerë rreth 6 milionë euro për “blerjen e shërbimit të monitorimit të territorit me teknologji të avancuar (satelitë) për tre vjet”. Ky shërbim do të realizohet nga kompania amerikane “Satellogic USA”. Pas përfundimi të tenderit, Rama shpjegoi qëllimin e blerjes së këtij shërbimi, i cili është akoma më i çuditshëm se sa vetë procedura. “Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje, sepse satelitët do të kenë mundësi të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës…Do të kemi konkluzione shumë më të shpejta se sa vëzhgimi me sy. E njëjta gjë për zjarret, prerjet e pyjeve, vëzhgimin e lumenjve”, u shpreh Rama në një aktivitet publik pak ditë më parë.
Pra, qeveria vendosi të blejë shërbimin 3-vjeçar me vlerë 6 milionë euro për të realizuar kontrollin që e kanë për detyrë qindra inspektorë ndërtimorë në qytetet e Shqipërisë apo për të evidentuar zjarret, të cilat do të vijojnë sërish të shuhen me dru shqope e mjete rrethanore. Por këto detaje nuk kanë rëndësi. Rama ka nevojë të mbahet mend si Kryeministri që dërgoi Shqipërinë në orbitë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post