Sipas “Global Petrol Price”, Shqipëria renditet ndër 20 vendet me çmimin më të lartë në botë të naftës dhe më e shtrenjta në rajon. Këtë konstatim e tregojnë edhe vendimet e Bordit të Transparencës, i cili u krijua nga qeveria në mars 2022. Kryeministri u zotua se me këtë masë të jashtëzakonshme do të mbante nën kontroll luhatjen e çmimeve, duke u bazuar në bursë. Në prezantimin e saj qeveria është shprehur se “Bordi i transparencës merr vendimet e tij në bazë lëvizjes së bursës PLATTS të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve”.
Por, në faktet që do të rendisim më poshtë do të na tregojnë të kundërtën! Gijotina.com mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave shifrat, ku do të shohim se si Bordi i ngrinte çmimet e karburantit, edhe kur ato uleshin në bursë dhe në hyrje në Doganën tonë. Rritja në vend ishte shumë më e lartë në raport me atë në tregun e huaj, duke bërë që ne të blinim naftë, gaz dhe benzinë më shtrenjtë se bota.
Gijotina.com ka marrë çmimet e raportuara në PLATTS që nga 24 shkurti, kur filloi lufta në Ukrainë, deri në fund të shtatorit dhe i ka krahasuar ato me çmimet e vendosura nga Bordi i Transparencës. Duhet të sqarojmë këtu se Bordi i Transparencës shpesh herë i ka ndryshuar vendimet brenda 24 orëve. Kjo ka bërë që çmimet në vendin tonë në disa ditë të muajit të jenë shumë më të larta nga sa oligarkët e naftës mund ta kishin imagjinuar. Kështu monoploi i naftës kaloi nga Kastrati Group tek Kryeministria, që veproi sikur të ishte departament marketingu i kompanisë së mësipërme.
Mbledhja e parë e Bordit ishte në 12 mars, i cili vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i naftës për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të ishte 217 lekë/litri, nga 223 lekë që shitej në pikat e tregtimit të karburanteve. Por vetëm pak javë më pas, kur për shkak të luftës në Ukrainë, u rritën çmimet në bursa, Bordi në Shqipëri i kaloi menjëherë në vlera të larta. Konkretisht në bursa, çmimi me datë 25 mars u rrit me 4 dollarë, ndërsa në Shqipëri u rrit me 12 lekë.
Në fillim të prillit në, konkretisht me datën 12 prill, nafta në bursa ishte 1099 dollarë për ton, pra 5 dollarë zbritje. Ndërsa në tregun vendas ishte 219 lekë për litër një ditë dhe më pas ngrihej në 226/230 lekë për litër. Pra brenda dy javësh gjatë muajit prill çmimi ra me 5 dollar, ndërsa në tregun shqiptar binte me 2 apo 3 lekë, më pas ngrihej me 5 lekë.
Bordi rrit çmimet kur bursa nuk lëviz
Në datë 30 maj, kur nafta ishte në të njëjtat nivele në bursa, në nivelin e 1200 $/ton, në tregun vendas ishte 239 lekë. Një rritje me 9 lekë nga fillimi i muajit dhe një rritje me 3 lekë krahasuar me datën 25 maj, kur nafta rezulton të jetë shitur me 236 lekë/ litër. Madje që në mesin e muajit maj çmimi i naftës pësoi për disa ditë një rritje me 5 lekë. Konkretisht, me 15 maj Bordi i Transparencës vendosi që nafta të shitej 237 lekë/ litri, ose 5 lekë më shumë nga sa ishte më parë. Rritje dhe ulje të tilla regjistroi deri në fund të muajit.
Bordi rrit çmimin, kur në bursa ulet
I njëjti trend është ndjekur nga Bordi edhe për periudhën nga 26 korriku deri në shtator 2022. Pas qershorit, kur çmimi i naftës shënoi kulmin e tij në bursën e huaj dhe sigurisht rekordin në Shqipëri, në korrik PLATTS filloi të regjistronte një ulje të ndjeshme të çmimit të karburanteve. Në 26 korrik në bursa çmimi i naftës regjistrohej 1100 $/ton dhe në 25 shtator 998 $/tonë, pra me ulje 102 dollarë për ton. Ndërsa, në Shqipëri me datë 26 korrik Bordi vendosi çmimin 226 lekë/ litër, ndërsa me uljet dhe ngritjet e vazhdueshme me datë 25 shtator vendosi çmimin 239 lekë për litër, rritje me 13 lekë po ta krahasosh me muajin korrik. Në këtë rast Bordi i Transparencës jo vetëm që nuk ka ndjekur trendin ulës të bursës së huaj, por ka rritur çmimin kur në bursa binte. Duke theksuar këtu se dhe po të krahasosh çmimet e ditore brenda kësaj periudhe korrik-shtator, sërish rezulton se çmimi i naftës në vend është rritur me ritme më të shpejta se në bursën PLATTS.
Çmimet bien në nivelin e para luftës, në Shqipëri nuk ndryshojnë
Në bursat ndërkombëtar gjatë muajit shtator çmimi i karburanteve vazhdonte në luhatje, por me shifra të vogla. Në fund treguesi Platts ishte 1033 dollarë për ton, ose 7 dollarë më shumë se një ditë më parë, pasi në 29 shtator 1026 $/ton. Ndërsa në Shqipëri: Me 29 shtator nafta u shtrenjtuar me 10 lekë për litër, duke arritur në 229 lekë për litër.
Ndërkohë, sipas Financial Times, nafta tregtohet me rreth 90 dollarë për fuçi, në nivelet që ishte përpara fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe kur në vend ishte rreth 185 lekë për litër. Ndërsa me datë 1 tetor çmimi i naftës në bursë vazhdonte po në të njëjtat shifra, të përafërta me vlerën e shkurtit te 1000 $/ton (koha para luftës). Ndërsa Bordi i Transparencës vendosi çmimin 223 lekë/litri, një ulje me 6 lekë për litër, dy ditë pasi e rriti atë me 10 lekë për litër. Nga këto të dhëna konstatohet se këtë muaj çmimi në bursa po shkonte drejt nivelit të paraluftës, ndërsa në Shqipëri ulet me një vlerë të papërfillshme, për të mos thënë aspak.
Në fakt, shifrat tregojnë se në raportimin e çdo vendimi duket sikur Bordi i ul çmimet, por në fakt jo. Ai përdor një skemë të tillë që brenda një jave apo një muaji çmimet të mbeten në një nivel me luhatje të paefektshme. Sepse Bordi i ngre çmimet e karburanteve me 5 apo 10 lekë dhe ulja është shumë herë më e ngadaltë me 2 apo 3 lekë./ Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post