Thatësira e kësaj vere ka qenë e madhe dhe shirat e parë të vjeshtës nuk kanë arritur të mbushin rezervuarin e Pepelit, një zonë buzë kufirit me Greqinë. Situata e ngjashme reflektohet edhe në rreth 75 ujëmblëdhësit që ka Qarku i Gjirokastrës.
Dukuritë natyrore si thatësirat, zjarret dhe përmbyjtet janë bërë më të ashpra dhe përballja me to është gjithnjë e më e vështirë, thotë Pano Lula, nënkryetari i Bashkisë së Dropullit.
“Prerja e pyjeve, djegia e kullotave janë një premisë për të bërë më shumë dëme. Njëkohësisht rënia e zjarreve në pyje është shumë e vështirë në terrenin malor për t’i kontrolluar me mjetet dhe logjistikën që kemi si bashki. Duhen patjetër mjete ajrore për fikjen e zjarreve pasi nuk mund të përballohen situata të zjarreve masive gjatë verës me tre mjete ajrore që janë në rang kombëtar”, thotë ai.
Këtë vit një zjarr masiv përfshiu disa nga zonat e kësaj bashkie duke dëmtuar sipërfaqe të mëdha dhe rrezikuar edhe shtëpitë e banorëve, ndërsa përmbytjet sjellin në këtë bashki dëmtime vit pas viti sidomos në infrastrukturë që duan fonde të mëdha për t’u riparuar.
Një nga problemet më të mëdha të bashkive është mirëmbajtja e rezervuarëve si për të përballuar thatësirën në bujqësi, por edhe për të shmangur katastrofat nga përmbytjet në dimër.
Rezervuarët janë ndërtuar kryesisht para 40 vitesh dhe në to ka pasur investime mjaft të kufizuara.
Zoti Lula thotë se Bashkia e Dropullit administron 14 ujëmbledhës të cilët kontrollohen ritmikisht nga digat dhe bëhen përpjekje për t`i mirëmbajtur. Kjo bashki është nga të rrallat në Shqipëri që ruan basenet ujore të disa ujëmbledhësve për t`i përdorur në raste të ndërhyrjeve nga ajri për zjarret.
Por jo të gjitha bashkitë, jo vetëm në këtë qark por edhe më gjerë po bëjnë kujdes për mirëmbajtjen e rezervuarëve. Përgjegjësi i Bordit të Kullimit në Gjirokastër, inxhinieri Niko Lici thotë se bashkitë kanë kapacitete për të ndërhyrë me të ardhura që mbledhin nga fermerët.
Bashkitë thotë ai nuk e kanë aq prioritet si e kanë pasur bordet e kullimit mirëmbajtjen e ujëmbledhësve duke i quajtur objekte të dorës së dytë. Ndryshimi i klimës e ka bërë më të ndjeshme nevojën e investimeve në ujëmbledhësit, thotë zoti Lici.
“Ka ndryshuar situata sinoptike, kemi rënie reshjesh në sasi mjaft të mëdha në një kohë të shkurtër që bëhen agresive. Dalja e përrenjve, që furnizojnë ujëmbledhësit sjell sasi të mëdha aluvionesh pasi kemi dëmtime të pritave malore. Bashkitë duhet të ndërhyjnë urgjentisht për rehabilitmin e tyre pasi duke mos qenë në eficencë dekantimi me aluvione i baseneve ujore bëhet më i madh dhe i nxjerr jashtë pune ujëmbledhësit”, thotë ai.
Studiuesit vlerësojnë se ndryshimet klimaterike globale kanë rritur ashpërsinë e dukurive natyrore ku disa qarqe të vendit janë edhe më të ekspozuara ndaj tyre. Profesori i shkencave të natyrës në Universitetin e Tiranës, Lulëzim Shuka thotë se Mesdheu është qendra e ndryshimeve klimaterike.
“Mesdheu është qendra e këtyre ndryshimeve dhe në këto ndryshime ndikojnë një seri faktorësh. Unë kam rrreth pesë vite që bëj matje të lagështirës së tokës gati në gjithë Shqipërinë në periudha të ndryshme. Është tani e dukshme që niveli i lagështirës në tokë në 20 cm thellësi është tre herë më i ulët se minimalja që ka egzistuar 10 vite më parë” , thotë ai.
Zoti Shuka thotë se duhet një strategji e re e Shqipërisë për përballimin e rreziqeve natyrore sidmos duke forcuar kapacitetin e bashkive.
“Duhet një strategji e re në bazë të ndryshimeve që po ndodhin. Së pari duhen të dhëna faktike të këtyre ndryshimeve dhe mendoj se fokusi kryesor do të jetë që Shqipëria duhet të përgatitet për zjarre më të fuqishme”, thotë profesori i shkencave të natyrës,
Sipas tij për sa i përket përballimit të zjarreve bashkitë duhet të menaxhojnë më mirë basenet ujore dhe të forcojnë repartet zjarrfikëse.
“Duhen sisteme ujore, të cilat kanë egzistuar më parë si rezervuarët etj. Ato duhen riparuar që uji të jenë sa afër zonave ku ndërhyhet nga ajri. Është negative për shembull ndërhyrja që u bë këtë vit për shuarjen e zjarreve në Karaburun – Llogara me ujë të kripur. Bënë një tjetër dëm më të madh duke e kripëzuar sepse gjithcka i dedikohet mbulesës së ulët bimore në Shqipëri. Ka patur mbikullotje dhe toka është në varfërim sepse thellësia e dheut është gjithnjë e më e ulët. Ne kemi toka të cekëta dhe shumica e maleve kanë 2 deri në5 cm dhe. Gjithashtu një masë tjetër është që bashkitë duhet të forcojnë edhe repartet zjarrfikëse duke financuar për mjete dhe pajisje vit pas viti”, thotë ai.
Ndërsa për sa u përket përmbytjeve qeveritë vendore thotë më tej zoti Shuka dhe të bëjnë më shumë për mbrojtjen e mjedisit natyror.
“Bashkitë duhet të kujdesen në mbrojtjen e mjedisit dhe kryesisht mbulesën bimore në mënyrë që që cdo shi të mos mbërrijë menjeherë në lumenj dhe të shkaktojë erozion, i cili tashmë është bërë katastrofik në Shqipëri. Erozioni është shkaku i thatësirës dhe i përmbytjeve. Ne duhet të presim që ciklet e shirave të rrëmbyeshëm të përshpejtohen për shkak të temperaturave të larta dhe ndeshjes së rrymave mesdhetare me ato veriore. Po kështu një hap që duhet të ndërmarrin bashkitë janë të mirëmbajnë kanalet kulluese dhe shkarkuese të ujrave për t`i paraprirë intesitetit të lartë të reshjeve dhe prurjeve ujore”, thotë zoti Shuka.
Sipas një raporti të Bankës Botërore publikuar në majin e këtij viti Shqipëria përballet me një nga nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në Evropë.
Raporti vlerëson se Shqipëria zotëron pak instrumente financimi për rreziqet natyrore dhe hendeku i mbrojtjes përmes skemave të sigurimeve ndaj këtyre fenomeneve të natyrës është i madh./ Marrë nga VOA
Discussion about this post