Në një deklaratë për gazetarët nga SPAK, avokati i Lefter Kokës u shpreh se ish-ministri i Mjedisit është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai theksoi se politikani nuk mund të rrijë në kushtet e paraburgimit në situatën që ndodhet, duke kërkuar që çështja të shkojë në themel.
Ndër të tjera, avokati paralajmëroi se do të dëgjohen fakte dhe të vërteta që nuk janë hasur ndonjëherë.
“Sot ishte kërkesa e dytë që ka bërë Koka për zëvendësim e masës së sigurimit. Ai është në kushte të rënduara shëndetësore. Gjykata vendosi ta rrëzojë. Gjendja e Kokës nuk mund të vazhdojë të mbahet në paraburgim, por gjykata vendosi ta rrëzojë dhe mesa duket vendosur të marrë rolin e mjekëve. Seanca e ardhshme është në datë 7 nëntor. Ne si ekip ligjor do të kërkojmë që çështja të shkojë në gjyq në themel, nuk mund të vazhdojë të jetë i vetmi person në burg. Sot duhet të ishte i lirë. Procesi që do të zhvillohet tani do të jetë i hapur. Do të dëgjoni më shumë përveç akuzave politike. Është vërtet i sëmurë por është ende gjallë. Do të dëgjoni fakte dhe të vërteta që nuk i keni dëgjuar deri tani”, tha ai.
Apeli i GJKKO-së ka vendosur të lërë në burg ish ministrin Lefter Koka në maj të këtij viti. Ai akuzohet se ka abuzuar me procedurat e dhënies së koncesionit për inceneratorin e Fierit duke përfituar rreth 1,2 milionë euro ryshfet për ndërtimin e tij dhe për falsifikim dokumentesh.
Më parë ai kërkoi që të dërgohej në arrest shtëpiak duke ofruar si garanci pasurore shumën prej 200 mijë euro, kërkesë e cila nuk gjeti miratim.
Discussion about this post