Më shumë se gjysma e qytetarëve britanikë mendojnë se Liz Truss duhet të japë dorëheqjen si kryeministre dhe 80% fajësojnë qeverinë për rritjen e kostos së jetesës. Sipas një sondazhi të ri të kryer gjatë fundjavës, 53% e të anketuarve i thanë institutit Ipsos se kryeministrja britanike duhet të japë dorëheqjen, me vetëm 20% që shprehin të kundërtën.
Problemet e kryeministrit britanik shtohen nga fakti se vetëm 14% e të anketuarve besojnë se ministri i ri i financave do të përmirësojë gjendjen ekonomike të vendit. 35% thanë se nuk do të kishte asnjë ndryshim pas emërimit të Jeremy Hunt, ndërsa 27% thanë se situata do të përkeqësohej. Truss është detyruar të kërkojë shkurtime të thella të shpenzimeve pasi programi ekonomik i kryeministres shkatërroi besimin e investitorëve në qeverinë britanike dhe rriti kostot e huamarrjes. Kryeministrja sfidoi thirrjet e ligjvënësve të opozitës për të dhënë dorëheqjen.
“Unë jam një luftëtare dhe jo një frikacake. Kam vepruar në interesin kombëtar për t’u siguruar që të kemi stabilitet ekonomik.” Situata ekonomike nuk ka qenë e mirë dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare . Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar arriti në nivelin më të lartë të 40 viteve këtë shtator, pas kostos në rritje të ushqimeve që nuk ishte parë që nga viti 1980. Kjo situatë, do ta bëjë më të vështirë punën për shefin e ri të Thesarit të qeverisë, i cili mori detyrën më pak se një javë më parë.
Discussion about this post