Policia në Britaninë e Madhe ka kërkuar ndihmë në lidhje me gjetjen e dy personave. Ata janë me origjinë shqiptare dhe dyshohen si autorë të një vrasje të ndodhur në janar të vitit të kaluar.
Trupi i pajetë i 23-vjeçarit, Tomasz Waga, babai i një fëmije, u zbulua nga një kalimtar i rastit rreth orës 23:30 mbrëmjen e 28 janarit të vitit të shkuar në Westville Road.
Një hetim për vdekjen e të riut në mars 2021, zbuloi se 23-vjeçari pësoi lëndime në kokë dhe gjoks dhe ishte vetëm 23 vjeç kur ndërroi jetë. Që atëherë, pesë persona janë akuzuar në lidhje me vdekjen e Waga, tha Policia e Uellsit të Jugut.
Por dy persona të kërkuar mbeten ende në arrati. Tani, Policia e Uellsit të Jugut i ka bërë një apel të ri komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj për të ndihmuar në gjetjen e shtetasve shqiptarë Elidon Elezi dhe Artan Palluci, të cilët janë të dy në kërkim për vrasjen e 23-vjeçarit.
Inspektori Stuart Wales, tha: “I bëjmë thirrje komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj që të na ndihmojë në gjetjen e të dy burrave. Një shpërblim i shtuar deri në 10,000 £ është në dispozicion për këdo që jep informacion që çon në arrestimin e tyre”, tha ai.
“Kufijtë ndërkombëtarë nuk janë pengesë për ne që të ndjekim personat e dyshuar për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi lidhje të shkëlqyera me kolegët e zbatimit të ligjit në të gjithë Evropën, përfshirë Shqipërinë”, shtoi ai.
“Unë do t’i bëj thirrje si z. Palluci ashtu edhe z. Elezi që është në interesin tuaj të dilni vullnetarisht dhe të na jepni rrëfimet tuaja për atë që ndodhi në Cardiff natën e 28 janarit 2021”, u shpreh më tej.
Në fillim të këtij viti, Hysland Aliaj, 31 vjeç, u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në Britaninë e Madhe. Aliaj bashkohet me katër burra të tjerë, Josif Nushi, Mihal Dhana, Gledis Mehalla dhe Mario Qato, të cilët do të dalin në gjyq këtë muaj, të akuzuar për vrasje dhe vepra të tjera të ngjashme.
Discussion about this post