Disa deputetë të partisë Demokratike, kanë propozuar në Kuvend ndryshimin e Kodit Rrugor me qëllim lehtësimin e praktikave të qarkullimit.
Mes propozimeve të bëra, janë ato të garantimit të parkimit falas për banorët në qytete dhe heqjen e postoblloqeve të policisë për shkak se ndalojnë qytetarët pa arsye. Mes të tjerash, kërkohet edhe rritja e shpejtësisë maksimale të lejuar dhe patentë pa afat për personat nën 55 vjeç.
Propozimet e plota:
Konkretisht, propozimet sjellin ndryshim në:
Garantimin e parkimit falas për banorët rezidentë në qytete, ku në asnjë rast, njësia vendore të mos përdorë çdo hapësirë për parking me pagesë. Kjo do të gatantojë rritjen e parkimeve për banorët rezidentë.
Të hiqen postoblloqet e policisë në akset kombëtare ku si praktikë rezulton se ndalojnë qytetarët pa arsye. Vendosja e tyre të jetë vetëm në raste të veçanta, siç është praktika e BE
Ulja me dyfish e masës maksimale të gjobës, referuar edhe të ardhurave mesatare të qytetarëve. Gjoba të mos jetë më shumë se 100 mijë lekë nga 200 mijë që është sot dhe po ashtu të shkojë në 10 ditë afati i pagesës.
Rritja e shpejtësisë maksimale nga 110 në 120km/ore sipas standardeve europiane në rrugët me siguri.
Heqjen e detyrimit për të nënshkruar një kontratë shit-blerje noteriale, në rastet e kalimit të pronësisë së mjetit kur kjo mund të realizohet pranë Drejtorisë përkatëse të Shërbimit të Transportit Rrugor. Kjo masë lehtëson xhepin e qytetarëve.
Për personat deri në moshën 55 vjec, leja e drejtimit të lëshohet pa afat.
Shtetasit shqiptarë që marrin një lejedrejtimi të huaj, të mos iu hiqet leja e drejtimit shqiptare, pasi është e një e drejtë e fituar sipas ligjit, që ata mund të vazhdojnë ta mbajnë pavarësisht se jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Këto ndryshime dhe disa përmirësime të tjera do sjellin një ndryshim thelbësor në qarkullimin rrugor. Këto propozime janë konsultuar me ekspertë dhe ka pasur si synim lehtësimin e jetës së qytetarëve. Uroj që maxhoranca të reflektojë dhe të realizojmë këto ndryshime ligjore me rendësi për shqiptarët!
Discussion about this post