Ligji për Autoritetin e Dosjeve ka miratuar ndryshime, me vendim të parlamentit. Kështu, është hequr pengesa për verifikimin e figurave që kishin një certifikatë pastërtie nga Komisioni Mezini- Bezhani. Kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula shpjegoi në një intervistë për mediat se si përkthehen në realitet ndryshimet, a janë hapur tashmë dosjet, si do të veprojnë me verifikimin e figurave dhe konkretisht me rastin e ish Presidentit Meta dhe gjyqtarëve që kanë kaluar vetting-un të mbrojtur nga ky nen.
“Parlamenti erdhi me dy ndryshime. Tashmë hiqet neni që pengonte dhe vendimet e komisionit Mezini-Bezhani, nuk janë më sekret. Ne kemi marrë gjithë dokumentacionin e ‘Mezini-Bezhani’. Sa i takon figurave të verifikuara, para ndryshimeve ligjore ne do të duhet të marrim vendim për to. Vendimet i merr organi kolegjial i Autoritetit të Dosjeve dhe unë nuk mund të flas tani sepse jam vetëm një votë”.
Në intervistën e saj, Sula sqaron se “nevoja për ndryshime ligjore ka qenë e qartë që në vitin 2018. Ne propozuam vetëdeklarim dhe heqjen e kësaj mburoje”.
Ajo mohon që institucioni të ketë qenë nën presion dhe tha se ishte e pritshme të kishte ndjeshmëri. Njëherësh pritet që për vendimet e marra më herët, për pastërtinë e figurave të ketë një rishikim që do të vendoset rast pas rasti, duke pasur edhe një precedent. Verifikimi përfshin edhe gjyqtarë e prokurorë që janë verifikuar nga komisioni Mezini-Bezhani duke marrë certifikatë pastërtie dhe përmes kësaj certifikate kanë kaluar proceset e vetting-ut.
Sa i takon pyetjes nëse tashmë dosjet janë hapur dhe kushdo mund t’i konsultojë ato, Sula tha se “as në Arkivin e shtetit dokumentet nuk trajtohen si në bibliotekë. Dokumentet e Sigurimit janë një natyrë e veçantë dhe motivi i krijimit të dosjeve ka qenë balta për viktimën, ndaj do kujdes. Dosjet ishin të hapura, e tani u hapën edhe më shumë, por nuk duhet të harrojmë që është shërbim inteligjence. Deklasifikimi i dosjeve, i parashikuar në ndryshimet ligjore do shkurtojë më shumë kohë. Barriera për akses të shpejtë në dosje tashme ka rënë. Shqyrtimi i dokumenteve, nga studiuesit e gazetarët do të bëhet pa fshehje të emrave dhe nuk fshihen as emrat e bashkëpunëtorëve”.
Sula sqaron se ndryshimet ligjore ndihmojnë edhe për çështjen e kërkimit të eshtrave të të vdekurve në burgje ose të ekzekutuarve, trupat e të cilëve nuk ju dorëzuan familjeve. “Ne do të bëjmë një hetim administrativ duke pyetur ata që kanë dijeni. Në rast se ka refuzim për të treguar për vendndodhjen e eshtrave ose informacion të pavërtetë, do të ketë edhe sanksione”, tha ajo.
Sipas kryetares së Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, sa i takon verifikimit të figurave, në ndihmë do të vijnë edhe ndryshimet te ligji zgjedhor.
Discussion about this post