Përveç emigracionit të lartë, Shqipëria po kalon një tranzicion të fortë demografik që e ka zanafillën te masa e madhe e të moshuarve që po krijohet nga bumi i lindjeve në vitet 1990.
Rënia e lindjeve dhe emigracioni më i lartë në tre dekadat e fundit po kthehet në problem për arkën e pensioneve, pasi potencialet e fuqisë punëtore nuk e përballojnë masën e të moshuarve që po krijohet. Në vitin 2021, deficiti i skemës së pensioneve, pjesa që u financua nga buxheti i shtetit, që nuk u mbulua dot nga sigurimet, arriti në 53 miliardë lekë një rekord historik.
Deficiti i skemës së pensioneve u rrit me mbi 230% në raport me vitin 2000, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Edhe ndërhyrjet në skemën e pensioneve në vitin 2015, të cilat morën në konsideratë rënien e popullsisë, nuk e frenuan deficitin.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2021 në Shqipëri numërohen 673 mijë pensionistë, shifër kjo 25% më e lartë se në vitin 2012. Në vitin 2021 kishte 1.1 kontribuues për një përfitues, raporti është shumë i ulët për qëndrueshmërinë e skemës në afat të gjatë.
Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) në një studim të posaçëm njoftoi se, popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe aktualisht rreth 91 mijë persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për kujdes social afatgjatë.
Por, njëkohësisht infrastruktura e Shqipërisë për moshat e vjetra ende nuk është ngritur qoftë edhe teorikisht, ndaj moshat e treta në pamundësi nuk gëzojnë kujdes social për të pleqëruar me dinjitet. Në vitin 2020, një në 6.8 persona ishte mbi 65 vjeç. Vlerësohet se një në 3.8 persona do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2050.
Të dhënat demografike tregojnë se, popullsia shqiptare po plaket me shpejtësi. Ndërmjet viteve 1990 dhe 2020, popullsia mbi 65 vjeç është rritur nga 180 mijë në 420 mijë dhe duke zënë rreth 15% të totalit të popullsisë më 2021 nga 5.5% më 1990.
Në të ardhmen, popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të rritet në 623 mijë persona dhe pjesa e saj në totalin e popullsisë do të rritet në 26.4% deri në vitin 2050. Kombet e Bashkuara thonë se së paku 90.9 mijë persona të moshës 65 vjeç e lart vlerësohet se kishin nevojë për kujdes afatgjatë që në vitin 2020.
Numri i të moshuarve që kanë nevojë për kujdes afatgjatë do të rritet me shpejtësi në mbi 161 mijë deri në vitin 2050.
Kosto e parashikuar e kujdesit është të paktën 1.08% e PBB-së, por plakja e popullsisë pritet të sjellë rritje të konsiderueshme të kërkesës për kujdes afatgjatë në 30 vitet e ardhshme. ILO vë në dukje se kujdesi social rajonal aktualisht është i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesën në rritje për kujdes afatgjatë për të moshuarit. Aktualisht, vetëm 1.6% e të moshuarve në nevojë për kujdes përfitojnë nga shërbimet e kujdesit social./MONITOR
Discussion about this post