Erion Veliaj nis shpërndarjen e parave para fushatës elektorale. I tillë është projekti për ndërtimin e terminalit të ri të linjave për në veri të vendit. Pas prishjes së terminalit të vjetër në 2020 që ndodhej tek Dogana, për të ndërtuar “Unazën e Madhe” dhe për t’i dhënë ca para kompanisë “Salillari”, Bashkia Tiranë e dërgoi stacionin e autobusëve për linjat e Jugut dhe Veriut në një tjetër stacion të ndërtuar te “Kthesa e Kamzës”. Asaj kohe pati shumë kritika nga qytetarët, por edhe nga vetë operatorët e transportit, pasi përveç kostove shtesë shkaktoi edhe një kaos të madh në lëvizje.
Në atë kohë, Veliaj premtoi se autobusët do të qëndrojnë atje vetëm për disa muaj dhe më pas do të transferohen te terminali i ri shumë më pranë Tiranës. Por, kanë kaluar 3 vjet që nga janari i 2020 dhe sot që jemi dhe në prag zgjedhjesh kryebashkiaku u kujtua që të hartojë planin për një terminal të ri. Këto ditë është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike procedura për prokurimin “Ndërtimi i Terminalit Verior të Transportit Publik, Tiranë”, për të cilin do të shpenzohen 9 miliardë lekë.
Por, ashtu sikur ndodh me çdo projekt të Veliajt, edhe ky i fundit ka nisur me abuzim që në hapat e tij të parë. Fillimisht për këtë projekt kanë paraqitur ofertë 10 kompani, por 9 prej tyre janë përjashtuar automatikisht nga Veliaj me argumentet se kanë kanë mangësi në dokumente, apo nuk kanë deklaruar numrin e duhur të punonjësve. Kështu në garë ka mbetur vetëm bashkimi i shoqërive NOVA Construction 2012 shpk & Ante-Group shpk. Menjëherë Veliaj ka firmosur kontratën dhe iu ka dhuruar këtë prokurim, i cili 9 miliardë lekë do t’i marrë nga fondi për projektin afatmesëm 2022-2024.
Pra, projekti do të zgjasë deri në 2024, duke bërë që për një terminal çështja të zvarritet në 4 vite. Duhet shtuar këtu që asnjëherë nuk është e sigurt që punimet do të mbarojnë në afat. Kështu që edhe për ca vite qytetarët duhet të sorollaten me urbane për të shkuar te terminali, ndërsa operatorët do të durojnë akoma kaosin e përditshëm për rrotullimin që bëjnë deri te Kthesa e Kamzës për të dalë në autostrade, që shpesh herë iu merr me shumë kohë se itinerari që kryejnë.
Ndërtuesit e kullave
Veliaj përveçse ka zhvilluar këtë projekt pa konkurrencë dhe me oferta të shtrenjta, e ka çuar fondin në gojën e miqve të tij. Duke parë se cilët janë fituesit kuptohet përse ky tender me “flamur të kuq” ka shkuar tek pronarët e kompanisë NOVA Construction 2012 shpk. Ata janë Ilir dhe Kujtim Shtufi, të cilët zotërojnë edhe firmën Nova Solar Sistem. Ata njihen tashmë si biznesmenët e kullave, pasi janë dy nga ndërtuesit që po i marrin frymën kryeqytetit.
Në datë 5 tetor të këtij viti është vendosur që kulla e “Tirana Multifunctional Center” që ka marrë emrin ‘Mali i Tiranës’ (Maunt Tirana) e projektuar nga studioja daneze Cebra, të ndërtohet nga kompania shqiptare, “Nova Construction 2012”. Në faqen zyrtare, kompania daneze jep detaje mbi projektin, mënyrën se si do të ndërtohet kulla, vendi ku do të jetë dhe kompania që ka marrë përsipër projektin 100 milionë eurosh. Aty listohet dhe kompania shqiptare “Nova Construction 2012”.
“Mali i Tiranës pritet të bëhet ndërtesa më e lartë në Shqipëri, me arkitekturën e tij të veçantë nga CEBRA. Arkitektët risjellin shkëmbinjtë e thyer dhe bimësinë e formave natyrore të tokës. Vëllimi i përgjithshëm sjell një faqe shkëmbi të prerë, ndërsa fasada është e veshur me sipërfaqe guri”, thuhet nga studioja daneze.
Ndërkohë, nga të dhënat në faqen zyrtare Qendra Kombëtare e Biznesit, ‘Nova Construction 2012’ rezulton e themeluar në dhjetor të 2012-s me objekt ndërtimin e godinave një dhe shumëkatëshe. Pronar i kompanisë rezulton Ilir Shtufi me 91% të aksioneve, ndërsa i vëllai, Kujtim Shtufi, ka pjesën tjetër .
Nova Construction 2012” është përfituese e shumë tenderësh nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me kompani të tjera. Ajo ka ndërtuar edhe godina të tjera shumëkatëshe në Tiranë, përfshirë këtu “Ëhite Toëer”, “Tirana Garden Building” dhe “Tirana Entry II”. “Nova Constuction 2012” shpk e Ilir dhe Kujtim Shtufit kryesojnë dhe listën e përfituesve nga ndërtimet e kullave me vlerë mbi 8 miliardë lekë. Shtufët janë klientë të rregullt të tenderëve të bashkisë Tiranë dhe ndërtues i disa kullave në Tiranë, përfshirë “Tirana Garden Building”, në zonën e ish-21 Dhjetorit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post