Pasuria që shqiptarët krijojnë në Britaninë e Madhe ka tërhequr vëmendjen e medias “The Telegraph”. Ata intervistuan Besnik Cahanin, djali i të cilit ndodhet në Angli. Cahani ka treguar se djali i tij 7 vite më parë shkoi në Angli duke u fshehur në një kamion, ndërsa sot u dërgon para çdo muaj. Gazeta vë theksin tek mjetet luksoze që kanë pushtuar Kukësin. Nga BMW e deri tek Mercedes-at, të cilat kanë targat e Britanisë. Këto mjete janë kthyer në një ‘simbol statusi’ në të gjithë rajonin. Ata marrin edhe shembullin e Kamzës, e cila po ashtu është zonë e cila po lulëzon falë ndihmës së të rinjve shqiptarë që jetojnë në Angli.
The Telegraph kontaktoi Ministria e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në lidhje me korrupsionin dhe planeve për një amnisti fiskale, mirëpo nuk morën përgjigje. Ish-ministri i Jashtëm i vendit, Edmond Panariti tregoi për median britanike se vendi është bllokuar në një “cikël vicioz” dhe sa më shumë njerëz të largohen, aq më shumë njerëz duan të largohen.
SHKRIMI I PLOTË:
I pyetur përse shqiptarët duan të vijnë në Britaninë e Madhe , Besnik Cahani qesh dhe tregon xhepat e tij.
58-vjeçari i di shumë mirë përfitimet e një të afërmi të guximshëm në udhëtimin e paligjshëm – është ai që djali i tij bëri shtatë vjet më parë duke u fshehur në një kamion. “Ai po dërgon 100 £ këtu dhe xhepi im po shëndoshet me lekët shqiptare,” tha zoti Cahani, duke shtuar me sy të zmadhuar se “ndonjëherë në Krishtlindje ose në Vitin e Ri, ai dërgon 200 £”.
Teksa qëndronte në rrugët me gropa të Kukësit, një qytet i vogël në malet në veri të Shqipërisë më shumë se 1300 milje larg Britanisë, shumë nga BMW-të dhe Mercedes-et që kaluan mbanin targa të Britanisë së Madhe.
Makinat e importuara të nivelit të lartë, disa prej të cilave vidhen ose blihen dhe importohen duke përdorur para kriminale, janë kthyer në një “simbol statusi” në të gjithë rajonin.
Dhe nuk janë vetëm makina. Kamza është një nga zonat me rritjen më të shpejtë të vendit. Aty ku kishte ara 25 vjet më parë, tani ka qindra shtëpi madhështore trekatëshe që rrallë shihen në vend. Të gjitha të ndërtuara me para që punëtorët e huaj u kanë dërguar në shtëpi familjeve të tyre.
Joshja është tani aq e madhe sa në shumë nga rajonet më të varfra në Shqipërinë veriore nuk ka mbetur asnjë djalë i ri dhe po largohen çdo ditë më shumë. Ata tundohen nga bandat që promovojnë një mënyrë jetese fiktive dhe reklamojnë kalime të lira në platformat e mediave sociale si TikTok .
Një rënie e çmimit të kalimit, e nxitur nga lehtësia me të cilën kontrabandistët mund të çojnë njerëzit përmes Kanalit me varka të vogla. Kjo vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat.
Kostoja ka rënë me rreth një të pestën në një vit, nga 15,000 £ në 2021 – kur shumica po bënin udhëtimin me kamionë – në 3,000 £ për një kalim me varkë tani. Në përgjigje të fluksit, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se po pompon miliona në qarkun e Kukësit për të përmirësuar vendet e punës dhe infrastrukturë.
Muajin e kaluar, Alastair King-Smith, ambasadori i Britanisë në Shqipëri, vizitoi qytetin dhe iu lut prindërve që të mos lejonin që fëmijët e tyre të “shfrytezoheshin” nga “kriminelët dhe trafikantët” që “po i detyrojnë ata në botën e krimit”.
Investimet po vijnë, premtoi ai. Por njerëzit në rrugën e Kukësit nuk kanë dëgjuar për këtë investim. Ata janë të kujdesshëm nëse do të sjellë ndonjë ndryshim në jetën e tyre për shkak të korrupsionit mes zyrtarëve.
“Nuk ka mbetur asgjë këtu. Ne kemi mbaruar”, tha 35-vjeçari Fabian, i cili punon si kamerier për 150 euro (129 £) në muaj dhe ankohet për faktin se mezi përballon një cigare, e lëre më të mbajë një familje.
Ai tha se investimi do të ishte i mirëseardhur. Por nëse do t’i dorëzohet qeverisë shqiptare, do të zhduket në sistemin e korruptuar që i ka lënë pa punë, fabrikat dhe minierat e mbyllura.
“Çdo ditë njerëzit shkojnë”, tha ai. “Dhe nëse do të mundja, do të isha larguar brenda një sekonde.”
Edmond Panariti, ish-ministri i Jashtëm, tha se vendi është bllokuar në një “cikël vicioz”. Sa më shumë njerëz të largohen, aq më shumë njerëz duan të largohen.
“Rrënjët e problemit” qëndrojnë në Shqipëri, tha ai. “Nëse i pyesni të rinjtë se çfarë mendojnë për të ardhmen e tyre, atëherë do t’ju thonë se nuk kanë një të tillë këtu, se duhet të largohen.
Pagat janë të ulëta dhe kostoja e jetesës po rritet. Njerëzit nuk mund të gjejnë punë ose të përballojnë një arsim apo kujdes shëndetësor. Burimet natyrore me të cilat është i pasur vendi, si bakri dhe kromi, përfitojnë vetëm korporatat dhe zyrtarët e korruptuar.
Emigracioni i paligjshëm dhe krimi pritet të marrë amnisti. Çdo shtetas shqiptar që jeton brenda ose jashtë vendit mund të investojë 2 milionë euro (1.7 milionë £) në sistemin bankar, pa pyetje. Kjo sipas planeve që po finalizohen nga Tirana. Ata do të mund të mbajnë paratë në këmbim të tatimit deri në 10 përqind.
Në një vend që merret me çështje të tilla si pastrimi i parave dhe korrupsioni, kjo nuk dekurajon as migracionin e paligjshëm dhe as veprimtarinë e paligjshme, tha zoti Panariti.
“Njerëzit tanë janë nën kërcënim,” tha ai për ndërsa i bëri thirrje qeverisë së tij që të adresojë çështjet e varfërisë dhe trafikimit të njerëzve.
“Të rinjtë po mësohen nga bandat e krimit të organizuar . Ata janë rreth 2000 shqiptarë në burg në Britaninë e Madhe dhe 5000 njerëz këtu. Nëse gjërat vazhdojnë kështu, atëherë në tre deri në katër vjet, do të ketë shumë shqiptarë në burg në Britani të Madhe siç ka në Shqipëri.
“Ne duhet të jemi në gjendje të ofrojmë shpresë për njerëzit. Kjo në mënyrë që ata të qëndrojnë këtu. Veçanërisht ata në veri që jetojnë në varfëri ekstreme. Vendi ynë po kthehet në një shkretëtirë dhe ne duhet të ndalojmë valën.”
‘Më mirë të rrezikosh dhe të kesh një jetë’
Kur u kontaktua nga The Telegraph, Ministria e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk iu përgjigj pyetjeve rreth korrupsionit apo planeve për një amnisti fiskale.
Por për mijëra si Cahani, jeta e të cilit është transformuar, do të duhet më shumë se një premtim për vende të reja pune dhe infrastrukturë për ta bindur atë se nuk ka një të ardhme më të mirë në Angli.
Djali i tij, tani 27 vjeç, ka të drejtën të qëndrojë përmes gruas së tij franceze dhe zoti Cahani po përgatit dokumentet për t’u transferuar në Londër për t’u ribashkuar me familjen e tij.
“Njerëzit janë kaq të dëshpëruar dhe thonë se gjithçka do të ishte më mirë nëse do të mund të arrinin në MB,” tha ai. “Ata e dinë se kanë dy mundësi: të mbyten në det ose t’ia dalin. Ata i dinë pasojat, por e dinë që nuk ka asgjë këtu, kështu që më mirë të rrezikojnë dhe të kenë një jetë.”
Discussion about this post