Biznesmenët e pangopur po zihen për lekët e mirëmbajtjes së një rruge. Në fakt është e qartë që zhurma bëhet për ato para, se për gjendjen e saj nuk shqetësohen shumë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Loti 7 Mirëmbajtje me performancë e segmentit rrugor K/Podgorie – K/Liqenas”. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka lënë si fond limit për këtë projekt shumën prej 59.075.701 lekësh. Përplasja, përveç kompanive ka përfshirë edhe anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik.
Fillimisht ka qenë firma “Rej SHPK” e Luan Kaprit e cila ka ankimuar te Komisioni i Prokurimit Publik vendimin e ARRSH. Autoriteti kishte shpallur fituese kompaninë “VASHTEMIA” SHPK, në pronësi të Gëzim Avdollit dhe Servet Cenollit. Në ankesën e tij të dërguar me 27 tetor 2022, Luan Kapri pretendonte se kompania që ia drejton i plotëson kriteret e vendosura në tender. Por është vlerësuar me pikë minimale dhe kompania tjetër me ofertë më të shtrenjtë ka marrë pikët maksimale. Sipas ankimuesit oferta e tij ka qenë më ekonomike se ajo e “VASHTEMIA” SHPK dhe 50 pikëshin për këtë kriter duhej ta merrte automatikisht,.
Dicitura 1: ankesa e Rej shpk
Gjithashtu, “Rej shpk” pretendon se edhe kriterin për paraqitje si CV përvojën 10 vjet të punës për rikonstruksion të infrastrukturës publike e plotëson, por sërish këto të dhëna nuk i janë vlerësuar si duhet nga Ervis Berberi, drejtori i ARRSH.
Dicitura 2: ankesa e Rej shpk
KPP, duke qenë se Kapri është tashmë një ortak i mirë i qeverisë i ka dhënë të drejtë kompanisë Rej shpk dhe i ka kërkuar ARRSH të rishikojë vendimin. Megjithatë vendimi ka qenë gjysmak, duke e lënë sërish fatin e fituesit në dorë të Berberit. Madje komisioni i përbërë nga Jonaid Myzyri, kryetar, Kreshnik Ternova dhe Anila Malaj anëtarë, ka vendosur më 30 tetor që REJ SHPK t’i kthehet tarifa e paguar dhe të bëhet rivlerësimi i konkurrentëve.
Lexo edhe: Berberi i ARRSH-së “qeth” 25 milionë euro, kujtohet për trafikun në prag të zgjedhjeve
Kundërshtimi i farsës
Por, njëri nga anëtarët e KPP nuk ka qenë dakord. Kreshnik Ternova me datë 3 nëntor 2022 ka dorëzuar një mendim kundër duke e nxjerrë zbuluar farsën e komisionit. Në mendimin e tij kundër ai shprehet se KPP nuk është treguar korrekte, pasi ankimuesi nuk ka kërkuar konkretisht rivlerësimin e pikëve, por rrëzimin e vendimit.
Ndërsa më tutje, Ternova ka renditur disa pika ku sipas tij, VASHTEMIA” SHPK shfaqte performancë më të mirë se “Rej shpk”. Teranova shprehet se Rej Shpk ka paraqitur si përvoja edhe disa punime që janë kryer në rikonstruksion shkollash dhe objektesh, ndërsa tenderi kërkon që e gjithë eksperienca që do paraqitet në CV të jetë vetëm për rikonstruksion rrugësh. Madje, anëtari i KPP gjykon se kompania fituese ka dhënë një performancë shumë më të mirë dhe për këtë është shpallur fituese.
Abuzim çdo vit
Të dy palët kanë lëshuar kthetrat e tyre si për të mbrojtur edhe kush e kush të marrë në xhep këtë kontratë. Një nga anëtarët e komisionit shprehet më lartë se ARRSH e ka vlerësuar me të drejtë fituesin. Por, ajo që bie në sy nga disa dokumente të gjetura nga Gijotina.com është se, VASHTEMIA” SHPK shpallet fituese sa herë ka një tender për këtë aks rrugor.
Rasti më u fundit është prokurimi i hapur për lotin 6 të mirëmbajtjes së aksit Podgorie-Liqenas me vlerë 40 milionë lekë. Dokumentet e tenderit të firmosura me 20 dhjetor të vitit 2021 se asaj kohe në garë ka marrë pjesë vetëm kompania VASHTEMIA shpk, e cila është shpallur menjëherë fituese nga ARRSH në shkelje të ligjit.
Open Data Albania e klasifikuar këtë tender me Red Flag pasi është mbyllur pa konkurrencë. Por, asnjë masë nuk është marrë dhe paratë shkuan në xhepin e Cenollit. Tashmë abuzimet po dalin në dritë sepse Berberi i ARRSH shkeli në kallo një tjetër oligark , Luan Kaprin. Të shohim tani se çdo të vendos komisioni në këtë përballje “titanësh”. Ku në fund të fundit janë në lojë paratë e taksapaguesve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post