Fiks Fare solli në vëmendjen e të gjithëve një fenomen mjaft të përhapur sot, bullizmin. Fakti bëhet më i rëndë kur këtë bullizim e ushtron një mësues në shkollë. Motër e vëlla të komunitetit Rom prej një viti kanë braktisur shkollën, sepse mësuesi i quante “Luga e Zezë”.
Flamur Luga ka kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare dhe tregon se 2 fëmijët e tij në moshë adoleshence si pasojë e bullizimit nga një mësues matematike në shkollë janë detyruar dhe kanë ndërprerë vitin shkollor. Ai tregon se fëmijët e tij kanë kryer vetëm vitin e parë, tani duhet të ishin në vit të dytë, por e lanë në gjysmë. Flamuri tregon se fëmijët i ankoheshin në shtëpi se bullizoheshin nga mësuesi i matematikës. Ai thotë se kërkon që fëmijët të shkojnë në shkollë, pasi është e ardhmja e tyre dhe se njerëzit nuk kanë pse dallohen si të bardhë, të kuq apo të zinj. “Duhet të jenë të gjithë njëlloj“, shprehet ai.
Alsada dhe Besardi janë dy nxënësit e shkollës ‘Bahri Nela’ në Njësinë Administrative Zall Bastar të cilët duhet të ishin sot në vit të dytë, por ata thonë për gazetarët e Fiks-it se mësuesi i matematikës i thërriste me epitetin “Luga e Zezë” , si rrjedhojë e ngjyrës së lëkurës së tyre. Mes lotësh Alsada tregon se nëse do t’i jepej edhe një herë mundësia do të rikthehej në shkollë, por përsëri me frikën e bullizimit.
Babai i dy adoleshentëve i drejtohet shkollës ku fëmijët e tij duhej të ishin sot nxënës. Teksa takon drejtorin në një bisedë të shkurtër ky i fundit i thotë se unë kam ardhur në muaji Shkurt të këtij viti dhe në kohën kur shprehin shqetësimin fëmijët e tu ka qenë një drejtues tjetër që sot nuk është më. Por, megjithatë ai i kërkon babait të fëmijëve t’i rikthejë fëmijët në shkollë, pasi do t’i siguronte atij që askush nuk do i bullizonte më. Dhe se prejardhjen e tyre nuk duhet ta kenë aspak kompleks.
Pas mbështetjes së Fiks Fare, fëmijët e familjes Luga pranojnë të shkojnë në shkollë. Bashkë me gazetarët e redaksisë i drejtohen dyerve të shkollës, ku aty takojnë dhe drejtorin. Drejtori merr përsipër se Alsada dhe Besardi do të jenë nën kujdesin e tij të vazhdueshëm. Gjithashtu ata do të regjistrohen në vit të parë mjafton të mos bëjnë mungesa./TopChannel
Discussion about this post