Kur në Mars të këtij viti, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, ish-deputeti, tashmë biznesmen, Artan Gaçi, u vunë në qendër të kritikave publike për konflikti interesi dhe përfitime publike, pasi siguruan statusin e privilegjuar të “investitorit strategjik” për kompleks turistik në Dhërmi, bashkëshortët politikanë u mbrojtën duke deklaruar se nuk kishin shkelur ligjin. Pas tyre, edhe kryeministri Edi Rama, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e të tjerë deputetë të majtë, përsëritën në kor se nuk ka asnjë shkelje të ligjit për konfliktin e interesit.
Por, Xhaçka dhe Gaçi e dinin më mirë se kushdo tjetër se shkelja ishte evidente dhe, përtej qëndrimeve politike, duhej gjetur një zgjidhje për të fshirë gjurmët e konfliktit të interesave. Pa zhurmë e bujë, në Qershor të vitit 2022, Artan Gaçi hoqi dorë nga drejtimi aktiv i kompanisë investitor strategjik “AGTCC”, duke ia kaluar menaxhimin një personi të besuar, Festim Çela.
Në vendimin e kompanisë të siguruar nga “Gijotina.com”, të miratuar në datë 24 qershor të këtij viti, thuhet: “Miratohet kërkesa e ortakut Artan Gaçi për transferimin e të drejtave të zotërimit aktiv të pjesëve të kapitalit të zotëruara prej tij në shoqërinë “AGTCC”, tek personi i besuar, Festim Çela...”. Çela rezulton të ketë qenë administrator i kompanisë, edhe para se Gaçi ta emëronte si “person të besuar”.
Diçitura: Vendimi i Artan Gaçit për të kaluar administrimin e kompanisë tek “personi i besuar”
Ky vendim, siç deklaron vetë Artan Gaçi, është marrë në përputhje me dispozitat e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave...”. Ky ligj parashikon një formë për të shmangur konfliktin e vazhdueshëm të interesave kalimin e administrimit tek një person i besuar, i cili nuk mund të jetë pjesë e rrethit familjar. Në këto raste, pronari përfiton frytet e kompanisë, por ai delegon të gjithë aspektin vendimmarrës tek personi i besuar dhe nuk mund t’i ndërhyjë këtij të fundit. Të paktën, kështu duhet të ndodhë në teori.
Pra, duket qartë që Artan Gaçi, përkundrejt mohimeve publike, e ka pasur të qartë se fitimi i statusit të investitorit strategjik ishte në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesave, përsa kohë që ka vepruar, duke emëruar një “person të besuar” pas shpërthimit të skandalit në publik. Por, a është e mjaftueshme kjo lëvizje e Gaçit për të shpëtuar atë dhe bashkëshorten e tij, Olta Xhaçka, nga ndalimet ligjore? Analiza juridike thotë: JO!
Investitor strategjik
Në 2 Mars 2022, qeveria “Rama” miratoi një vendim “Për lejimin e përdorimit të brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Dreamades Luxury Suites”. Në bazë të këtij Vendimi, Këshilli i Ministrave detyronte Bashkinë e Himarës që të lidhte kontratën me investitorin strategjik, “AGTCC Hotel Management”, për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit përballë kompleksit, të miratuar në 29 Mars 2021 nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Ky vendim qeveritar zbuloi për herë të parë që Komiteti i Investimeve Strategjike kishte shpallur investitor strategjik një kompani të quajtur “AGTCC Hotel Management”, e regjistruar në Shqipëri në qershor të vitit 2021, në pronësi të një shtetaseje amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.
Diçitura: Ekstrakti i QKR-së për shoqërinë ‘AGTCC Hotel Management”
Data e dhënies së statusit investitor strategjik, në Mars 2021, ishte më e hershme se sa Qershor 2021, që shënoi edhe themelimin e kompanisë që qeveria u përpoq ta emërtonte si “investitor strategjik”. Këtu lindi pikëpyetja e parë mbi të gjithë procedurën. Pas miratimit të vendimit qeveritar për lejimin e përdorimit të bregut, Agjencia e Investimeve Strategjike publikoi vendimin e Komitetit, të cilin e kishte mbajtur të fshehur për rreth një vit.
Sipas vendimit nr. 3/5, dt.29.03.2021, që më në fund pa dritën e transparencës, rezultoi se “investori strategjik” ishte në fakt kompania shqiptare “AG.TCC”, në pronësi të Artan Gaçit. Në bazë të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, kompania e Gaçit propozon zhvillimin e një investimi kompleks, të përbërë nga një Hotel me 5 yje, i nivelit të lartë, i konceptuar në disa kate me tarraca dhe do të ketë një kapacitet prej 106 suita.
Projekti zë një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m², në Gjilekë, Bashkia Himarë. Vlera e investimit të projektit “Dreamades Luxury Suites” parashikohet të jetë 5.556.192 Euro. Pak muaj më pas, e konkretisht në 15 Korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, me vendimin nr. 3/9 miraton një ndryshim për kompaninë e Gaçit, ku përmendej se “investitori strategjik ka lidhur një marrëveshje me shoqërinë “AGTCC HOTEL MANAGEMENT” sh.p.k., për operimin e strukturave turistike në projektin Dreamades Luxury Suits, ku përfshihet edhe operimi i stacioneve të plazhit në bregun përballë hotelit”.
Vetë Gaçi, pasi të gjitha këto të dhëna panë dritën e publikimit vetëm në Mars të vitit 2022, deklaroi për median shqiptare se “gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori.” Ndërkohë, të dhënat e siguruara nga burime të hapura, treguan se ‘AGTCC Hotel Management” nuk dukej se ishte “kompani me përvojë”. Për më tepër, pronarja amerikane e kësaj kompanie, Tëani Lin Sutton rezultonte një lidhje intime e vëllait të Artan Gaçit, Andi Gaçi, njëkohësisht kunat i ministres së Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Publikimi i këtyre të dhënave shkaktoi një furtunë në politikën shqiptar. Opozita ngriti menjëherë zërin e protestës, duke akuzuar qeverinë “Rama” se po shpërndan pasuritë publike tek njerëzit pranë saj. Zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, ministren Xhaçka e të tjerë, kanë rrëzuar pretendimet e opozitës, duke i konsideruar si “luftë politike”.
Opozita vijoi disa javë betejën e saj, duke angazhuar edhe Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në Parlament, ku kërkon heqjen e imunitetit parlamentar të Olta Xhaçkës, për shkak të shkeljes së ligjit të konfliktit të interesave. Këshilli i Mandateve ka shtyrë prej muajsh vendimmarrjen, ndërkohë që pozita dhe opozita mbajnë qëndrime tërësisht të kundërta.
Konflikti i interesit
Maxhoranca socialiste miratoi në vitin 2015 ligjin “Për investimet strategjike”. Ligji kishte fuqi të përkohshme, por efektet e tij u shtynë dy herë, me ndryshime ligjore në vitin 2020 dhe 2021, të propozuara po nga deputetët e Partisë Socialiste. Qeveria që propozoi këtë ligj synonte që të afronte investime të rëndësishme të huaja në sektorë prioritarë, si në energji, bujqësi, miniera e turizëm.
Por, 7 vjet pas miratimit të ligjit, bizneset e huaja që kanë fituar statusin e investitorit strategjik numërohen me gishtat e njërës dorë. Pjesa më e madhe e vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, janë për biznesmenë të fuqishëm vendas, përfshirë Samir Manen, Dulakët, Kastratin e deri tek gaztori Gaz Paja.
Në vitin 2021, këtë status e fitoi edhe kompania e Artan Gaçit të Olta Xhaçkës. Sipas ligjit, qeveria u krijon lehtësira administrative e infrastrukturore kompanive që vendosin të investojnë në sektorët prioritarë. Kështu, qeveria u siguron këtyre kompanive ndërtimin e rrjetit të dedikuar të ujësjellësit, të energjisë elektrike, të rrugëve lidhëse, të gjitha me fondet e taksapaguesve shqiptarë.
Madje, qeveria u jep edhe toka publike, në të cilat shtrihen investimet e investitorëve strategjikë. Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka deklarojnë se nuk kanë asnjë konflikt interesi, pasi kompania e tyre nuk ka përfituar asnjë fond tokash publike dhe se investimi i “AG.TCC” do të kryhet në prona private, për të cilat është rënë dakord paraprakisht me pronarët e tokës.
Por, kjo mbrojtje është gjysma e së vërtetës. Investitori strategjik, Artan Gaçi, do të ketë përfitime të shumta nga fondet qeveritare, të cilat lidhen me shpenzimet publike p që do të përfundojnë në resortin e tij. Po ashtu, Artan Gaçi përfiton nga një vendim qeveritar për të përdorur bregun e detit para resortit.
Olta Xhaçka u mbrojt, duke deklaruar se ajo nuk ka qenë pjesë e mbledhjes së qeverisë dhe as nuk ka votuar, kur Këshilli i Ministrave votoi në favor të bashkëshortit të saj për t’i dhënë në përdorim vijën bregdetare përpara kompleksit turistik në Gjilekë të Himarës, një prej zonave elitare të Rivierës Shqiptare.
Përtej justifikime të bashkëshortëve Xhaçka-Gaçi e përtej mbështetjes së pakursyer politike që iu është ofruar nga kolegët e Partisë Socialiste, përfitimet publike të investitorit strategjik “AG.TCC” duket se janë të shumta dhe konflikti i interesit është ulur këmbëkryq mbi kokat e tyre. Për të shuar dyshimet e paligjshmërisë, biznesmeni Artan Gaçi ka gjetur një zgjidhje, sipas tij, duke e kaluar kompaninë investitor strategjik tek një person i besuar. Por, konflikti i interesit është aty, ka qenë që në krye të herët dhe shkeljet që arrijnë në majën e kupolës qeveritare mund të fashiten vetëm me vullnetin politik të maxhorancës për të mbuluar skandalin me shoshë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post