Inceneratori i Elbasanit është një skandal i pambyllur, ku qeveria vazhdon të mashtrojë publikun. Objekti, megjithëse “provë materiale”, nuk ka kaluar juridikisht në pronësi të shtetit, edhe pse pretendohet sikur u është marrë biznesmenëve të arratisur. Me nisjen e hetimeve u mor vendim gjyqësor që inceneratori të sekuestrohet nga SPAK-u.
Ndërkohë që janë edhe dy të arrestuar VIP: Ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Prapa kësaj perdeje që i ka zënë sytë publikut, vazhdojnë transaksionet e planifikuara si pjesë e një mashtrim i të madh financiar.
Paradoksalisht, qeveria investon akoma në këtë projekt korruptiv. Në të dhënat e publikuara në një raport të Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë, mbi Monitorimin e Kontratave Koncesionare, përfshihet Inceneraratori i Elbasanit.
Kjo ndodh kur afati i kontratës ka mbaruar në 16 dhjetor 2021. Ky është raporti i ministres Delina Ibrahimaj. Ndërsa kolegia e saj, ministrja Belinda Balluku kujdeset t’i japë licenca dhe të urdhërojë transaksione në adresë të kompanisë së Stela Gugalljes, e cila ndodhet në “arrati”.
Në tabelën më poshtë duket se Thesari i Shtetit në vitin 2021, kur po mbaronte kontrata, Inceneratori i Elbasanit ka marrë mbi 402 milionë lekë të vjetra. Jo vetëm kaq, në raport evidentohet se Ministria e Infrastrukturës ka mundur që të firmos disa vendime dhe kontrata për inceneratorin që u zhvilluan përgjatë këtij viti. Edhe pse në vitin 2021, kontrata e koncesionit me “AlbTek Energy” sh.p.k përfundoi. Nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar, pronare e inceneratorit duhet të ishte Bashkia Elbasan. Por 2 ministret kanë marrë urdhra të tjera për inceneratorin.
Konkretisht, në qershor të këtij viti është firmosur një kërkesë e Albtek Energy” sh.p.k për të përcaktuar çmimin e energjisë për punën që do të kryente ky inceneratorë.
“Vendimi nr.159, datë 17.06.2022, i Entit Rregullator tё Energjisё (ERE) “Mbi kërkesën e shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar na impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit”, Fletore Zyrtare me nr.103, datë 12.07 2022”, thuhet në raport. Pra, transaksionet vendimet vazhdojnë për këtë incenerator sikur të mos ketë asnjë problem. Balluku, tregon edhe njëherë që nuk i intereson për ligjin.
Inceneratori i rrëshqet nga duart SPAK-ut
Një nga personat që u shpall në kërkim nga SPAK-u për korrupsionin me kontratën e këtij koncesioni është pronarja e firmës “Albtek Energy”, Stela Gugallja. Agjencia e Administrimit tё Pasurive tё Sekuestruara dhe tё Konfiskuara ka nё administrim Shoqёrinё “AlbTek Energy” sh.p.k. Sekuestruar me vendim nr.484 datё 13.12.2021 tё Gjykatёs sё Posaçme tё Shkallёs sё Parё pёr Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Por, pavarësisht këtyre vendimeve, Inceneratori sërish rezulton në QKB në pronësi të Stela Gugalles. Pra edhe pasi ka mbaruar afati prej 7 vjetësh i kontratës së koncesionit, edhe në kërkim nga prokuroria, emri i saj mbetet pronare zyrtare e kompanisë. Normalisht administratori aktual duhet të bëjë kalimin e objektit sipas kontratës “me çelësa në dorë” nga privati tek shteti. Kjo duhet pasqyruar edhe në QKB, por në fakt aty shkëlqen emri i Stelës me 100 % të kuotave.
Inceneratori, peng si garanci kredie
Ndërkohë ka një fakt tjetër të çuditshëm që e bën të dyshimtë situatën. Inceneratori është vënë si garanci nga Stella Gugallja te Credins Bank për marrjen e një kredie. Kjo kredi është marrë në vitin 2015, një vit pasi “Albtek Energy” firmosi kontratën me Inceneratorin e Elbasanit me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në dokument thuhet se janë vënë si garanci 100% kuotat e firmës “Albtek Energy”. Përfshirë edhe atë pjesë që ka tek Inceneratori i Elbasanit.
“Depozitim i vendimit Nr.6, date 29.06.2015, ku është vendosur marrja e kredisë pranë Bankës Credins dhe caktimi i përfaqësueses së shoqërisë zj.Stela Gugallja për të kryer veprimet në lidhje me marrjen e kredisë. Depozitim i marrëveshjes siguruese Nr.8975 Rep. Nr.2686 Kol., datë 17.09.2015, lidhur midis barrëdhënësit shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe zj.Stela Gugallja dhe barrë marrësit Banka Credins sh.a”, thuhet në dokument. Pra, del se paska një pronar në hije të inceneratorit: Credins Bank.
Skema mashtruese me bankën në mes
Pas firmës që Edi Rama dhe sekretari i tij i përgjithshëm në kryeministri Agaci hodhi për kontratën e inceneratorit të Elbasanit nga e panjohura Gugallja të dhënë në 16 dhjetor 2014, ka ndodhur një tjetër përgatitje. Këshilli Kombëtar i Territorit i ka dhënë një tjetër leje, atë ndërtimit të inceneratorit, në janar 2015.
Pak ditë më vonë në kantierin e punimit të kompanisë Albtek Energy shfaqet kompania e Integrated Technology Services me pronar Klodian Zoton. Përballë Zotos në të njëjtën tavolinë do të ishte përfaqësuesi i Albtek Energy, Enid Dine (inxhinieri që priti deputetët e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve në inceneratorin e Fierit).
Kështu Klodian Zoto do të ishte nënkontraktori i punimeve të kompanisë Albtek Energy që kishte fituar një tender me vlerë 22 mln euro përmes një negocimi pa shpallje dhe me 17 procedura kryera brenda një dite. Dhe të gjitha i janë dhënë një gruaje që rezulton të mos ketë pasur asnjë lek në xhep për investimin.
Dokumenti i shfaqur tregon se kompania e Stela Gugalljas, pasi ka marrë koncesionin prej 22 milionë euro, ka aplikuar për kredi nga një bankë e nivelit të dytë, duke vendosur si garanci Inceneratorin e Elbasanit. Me mbylljen e gjykimit, me shumë gjasa do të hiqet masa e sekuestros ndaj Inceneratorit të Elbasanit dhe do t’i hapet rruga Bankës Credins ta gllabërojë objektin.
Hetimi i aferës së inceneratorëve
Sakaq kujtojmë se pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit. Prokurori i çështjes ka njohur këtë të enjte avokatët e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Klodian Zotos.
Ndërkohë mbrojtja ka 10 ditë kohë për pretendimet e saj dhe më pas dosja shkon në Gjykatë. Një javë më parë avokati mbrojtës i Lefter Kokës paralajmëroi fakte të reja. Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 me urdhër të SPAK.
Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë te Fierit. Ndërsa të premten, GJKKO rrëzoi kërkesën e Kokës për heqje të masës së sigurisë për inceneratorin e Fierit. SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit miliona euro për ndërtimin e 2 inceneratorëve.
Lexo edhe: Inceneratori i Elbasanit, SPAK sërish nën akuzë Alqi Bllakon
Discussion about this post