Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është kthyer në një bankomat për punonjësit e tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zbuluar se punonjësit atje marrin paga mesatarisht nga 2 mijë euro në muaj. Ndërkaq evidentohen manipulimet që bëhen me deklarimin dhe përllogaritjen e pagave. Sipas KLSH, anëtarët e Këshillit drejtues marrin me mijëra euro vetëm për dy mbledhje në vit.
Rritja e vlerës së pagës mujore varet edhe nga niveli i kursit të këmbimit. Ku për shembull në vitin 2019 dhe 2020, është shënuar kulmi i abuzimit me pagat në FSHZH. Nëse shteti është në krizë dhe nuk kemi para për energji, naftë dhe shërbimet bazike, si mundet që rrogat në FSHZH të kapërcejnë Presidentin dhe Kryetaren e Kuvendit?
Konkretisht, as gjatë pandemisë, pagat e punonjësve të FSHZH nuk kanë zbritur poshtë 1200 eurove. Flasim këtu vetëm për pagën bazë, pa përfshirë shpërblime, dieta dhe bonuse.
“Kursi” i Agollit: 2 mijë euro baras 3 milionë lekë
“Nga auditimi mbi vendimet e marra nga Këshilli Drejtues, u konstatua se, për vitin 2019, për nivelin e pagave të punonjësve të FSHZH-së, specifikohet zëvendësimi i togfjalëshit 2,000 Euro me 300 000 lekë. Sa më sipër, është sugjeruar që paga të referohet në monedhën lekë dhe niveli i propozuar i saj, përfaqëson konvertimin në lekë të nivelit në Euro sipas Planifikimit të bërë në datën e miratuar, duke e indeksuar”, raporton KLSH.
Nga auditimi, nuk u konstatua gjurma e kryerjes së këtij procesi indeksimi, dhe si është arritur në këtë vlerë. Rezultoi se, për vitin 2019 piku ka arritur më 28 shkurt 2019, ku euro kapi vlerën e 125.92 lekë për njësi. Grupi i auditimit nxori një vlerë mesatare për vitin 2019 dhe rezultoi se ajo ishte 122,9978 Euro/lekë.
“Të njëjtën logjikë ndoqëm edhe për vitet 2020-2021, ku euro rezultoi për vitin 2020 të arrinte 123.7683 dhe për vitin 2021 ishte 122.4423 lekë, afërsisht 122.4 Euro/lekë. Nisur nga sa më sipër, paga referuese e marrë prej FSHZH-së prej 2000 Euro, referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë duhej konvertuar me 123 Euro/lekë në 246.000 lekë. Për vitin 2021, referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë rezulton se, 1 Euro maksimalisht është konvertuar në 122,4423 lekë, afërsisht 122,4 Euro/lekë, paga referencë në këtë rast do të duhej të ishte 244,800 lekë”, thuhet në dokument.
Ndërkohë edhe në ato raste ku paraqiten se janë bërë konvertimet e pagave në lekë, evidentohen shkelje.
Në relacionin shoqërues specifikohet se, për të patur një proces të unifikuar të pagesave duhet që ato të kryhen në monedhën lekë, respektivisht si më poshtë vijon:
Kryetari 350 Euro– konvertuar në 60.000 lekë; Anëtar 250 Euro– konvertuar në 40.000 lekë/ Sekretari 100 Euro-konvertuar në 15.000 lekë. Nga auditimi, u konstatua se, është sugjeruar që pagesat të referohen në monedhën lekë, por nuk jepet argumentim mbi procesin e kryerjes së këtij konvertimi, nuk u konstatua gjurma e kryerjes së këtij procesi se si është arritur në këtë vlerë. Pasi, sërish kemi të bëjmë me pagesa bazë mbi 2 mijë euro.
Ku i gjen paratë FSHZH?
Kreu i FSHZH, Dritan Agolli nuk e vret mendjen nga dalin rrogat punonjësve të tij. Jo për aq kohë sa qeveria ia jep gratis fondet e buxhetit të shtetit. Nga ana e FSHZH specifikohet se, fondet për mbulimin e pagesave të Këshillit Drejtues rrjedhin nga buxheti i brendshëm. Por në fakt, KLSH konstaton se buxheti gjenerohet nga fondet publike. Duke qenë se shteti është garantor i pagesave. Rrjedhimisht pagesat për efekt të mbledhjeve të Këshillit Drejtues mbulohen nga paratë publike dhe vlera respektive e marrë nga buxheti i shtetit për mbulimin e tyre përmban në vetvete risk të lartë
Si u mbrojt Agolli?
Këshilli Drejtues bazuar në të drejtën e plotë që i jep Manunali i Procedurave, Statuti, Aktthemelimi i Organizatës dhe ligji, ka të drejtë të ndryshojë sistemin e pagave të organizatës. Por, KLSH ka evidentuar indeksime dhe fryje të dukshme të pagave në 3 vitet e fundit. Në përgjigje të kësaj gjetje, FSHZH është justifikuar duke thënë se, “Ka pasur indeksime për shkak të ndryshimit të çmimeve; indeksimin ndër vite për shkak të rritjes së volumit të punës së Fondit Shqiptar me 200%. Si dhe për shkak të funksioneve dhe përgjegjësive të reja të shtuara të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”.
Por, në mënyrë shumë të qartë KLSH shprehet se arsyet e cituara më lart nuk justifikojnë këto paga të larta. As përllogaritjen e tyre me euro dhe jo me lekë sipas ligjit.
“Nuk janë paraqitur evidenca justifikuese për të konfirmuar vërtetësinë e tyre dhe më tej marrjen në konsideratë nga ana e grupit të auditimit. Konkretisht, -ndryshimi i çmimeve – nuk ka analizë justifikuese të këtij fenomeni. indeksimin ndër vite- nuk ka analizë justifikuese të këtij fenomeni. Rritje e volumit të punës së Fondit Shqiptar me 200% – nuk ka etalon krahaues që të justifikoj këtë fakt.
Argumentimi juaj është bërë pa baza duke sjellë në këtë mënyrë dëmtimin e figurës së organizatës. Përtej kësaj, audituesit kanë bërë konstatimet e tyre duke shkelur ligjin. Interpretimi i tyre që: ‘’kosto operacionale, si një tarifë menaxhimi që përfitohet nga FSHZH bazuar në produktin që ajo realizon, rrjedh nga buxheti i shtetit, tregon tejkalim të qëllimshëm të kompetencave të tyre”, shprehet KLSH.
Fryrja e stafit
Përveç pagave dhe shpërblimeve të majme, Dritan Agolli, si kreu i FSHZH, ka abuzuar edhe me numrin e punonjësve. Duke fryrë stafin dhe agat e tyre nga viti 2019 deri në 2021 me ritme të shpejta. Shohim një ndryshim të madh midis numrit të punonjësve në listëpagesë në raport me numrin e punonjësve të strukturës brenda një viti. Por, edhe po të krahasojmë të tre vitet shohim se të paktën çdo muaj ka rritje me 5-10 punonjës. Por, theksohet se për këta punonjës nuk është zbatuar ligji për rekrutimet.
Ndërsa më poshtë evidentohet se ka abuzime edhe me raportimin e vendeve vakante, ku janë shkelur afatet për zëvendësimin e tyre. Referuar të dhënave në tabelë, numri mesatar i punonjësve faktik për periudhën gusht 2019- 2021 është mesatarisht 130 punonjës; numri mesatar i vendeve vakante po gjatë kësaj periudhe është 25. Pra vendet vakante zënë afërsisht 19% të numrit të punonjësve të strukturës. Numri relativisht i lartë i vendeve vakante rrit riskun për të ndikuar në mos realizimin në kohë dhe cilësi të detyrave dhe objektivave të njësisë. Kështu është cënuar edhe komponenti i performancës, eficenca dhe efektiviteti në punë.
Tabela e punonjësve 2020-2021
Megjithatë nga ana e FSHZH-së është menduar si zgjidhje marrja e punonjësve si praktikantë, kundrejt një page mujore. Nga auditimi u konstatua se, për këta praktikantë në Manualin e Procedurave nuk parashikohet pagesa e punësimit dhe as detyra funksionale që këta duhet të kryejnë. Duket se janë shfrytëzuar ata për punën që duhet ta bënte dikush tjetër.
Nami me shpërblime
Sikur të mos mjaftonin rrogat e lartë, Agolli iu jep shpërblime të mira punonjësve. 83,3 milionë lekë është vlera monetare e caktuar për shpërblim në një vit. Konkretisht për periudhën gusht-dhjetor 2019 janë dhënë 2 masa shpërblimi. Për vitin 2020 janë dhënë 3 shpërblime dhe për vitin 2021 janë dhënë 4 shpërblime.
“Ditët e festave zyrtare te përcaktuara me ligj janë pushim. Dhe çdo punonjës qe punon ne ditët e pushimit te fund-javës ose ne ditët e festave zyrtare, do te marre një pagesë shtesë në masën 50% të pagës së tij ditore. Ose një pushim në javën pasardhëse të barabartë me kohëzgjatjen e punës se kryer”, shprehet FSHZH.
Nga auditimi u konstatua mungesë e një Vendimi të Këshillit Drejtues për këtë çështje. Nuk ka arsyetim se pse janë dhënë këto shpërblime dhe për cilët punonjës konkretisht.
KLSH konstaton se nuk është dorëzuar asnjë dosje që të tregojë Performancën e punonjësve që kanë përfituar shpërblim. Apo mbi cilat kritere është vlerësuar performanca e tyre.
“Nga auditimi me zgjedhje i dosjeve të personelit rezultoi se në to nuk kishte të depozituar asnjë formular vlerësimi për punonjësit aktualë të FSHZH 3, 6, 9 dhe 12 mujor. Sa i takon vlerësimeve periodike të personelit nga ana e NJBNJ na u specifikua se, deri më 25.09.2021 janë kryer on line nëpërmjet Sistemit IT ODOO, ndërsa për periudhën 25.09.2021- 31.12.2021, u realizua nëpërmjet platformës Google-Form”, thuhet në raport.
Ndërsa FSHZH vazhdon të justifikohet duke thënë se punonjësit kanë dhënë performancë të mirë dhe kanë rritur produktivitetin e Fondit. KLSH evidenton se në të vërtetë ka pasur shkelje të etikës dhe neglizhenca në detyra. Nuk janë bërë analiza dhe bashkëpunime. Secili punon në hesap të vetë dhe në fund ndahen dhjetëra milionë lekë.
Pensione 10 milionë lekëshe
Duke marrë rroga kaq të larta, punonjësit e FSHZH po i sigurojnë vetes edhe pensione pashallarësh. Sipas të dhënave, paga e punonjësit i nënshtrohet ligjit tatimor në lidhje me llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat, kontributeve shoqërore dhe atyre shëndetësore. Pra, atyre iu paguhen siguracionit maksimale dhe të konsiderueshme. Në këtë rast ata janë kujdesur të investojnë pagesa edhe për pensione private. Duke siguruar vlerë pensioni të majmë në të ardhmen. Sikur duket edhe në tabelën më poshtë, pensionet e punonjësve të FSHZH arrijnë deri në 10 milionë lekë për person. Përshembull: Z.M. e ka pensionin 1115 625 lekë të reja.
Lexo edhe : Berisha: Rama po shuan universitetet! Një shofer i FSHZH paguhet 4 herë më shumë se një pedagog
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post