Krimin mjedisor, duke lejuar 20 kulla betoni në mes të Tiranës, Veliaj kërkon ta fshehë me propagandën e përsëritur ku hap gropa për të mbjellë pemë. Ditën e sotme kryebashkiaku Erion Veliaj ka hapur garën për blerje pemësh shumëvjeçare. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference “REF-50459-11-18-2022” dhe objekt “Blerje pemë shumëvjeçar”.
“Goli” i Veliajt me tenderin për pemë!
Ky tender është regjistruar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila është në varësi të Bashkisë Tiranë. Propaganda e Veliajt në prag zgjedhjesh me idenë se do të gjelbërojë Tiranën, po financohet mirë nga fondet e Bashkisë. Shuma që do të shkojë për blerje pemësh kap vlerën 199 910 000 lekë të reja ose 2 miliardë lekë të vjetra. Reklama të tilla për blerje dhe mbjellje pemësh Veliaj bën në sa herë ka fushata. Por në fakt gjatë mandatit shohim vetëm pallate që rriten dhe pemë që thahen.
Nuk dihet se ku planifikon Veliaj të mbjellë këto pemë, por 2 miliardë lekë janë shumë e madhe për t’u harxhuar në këtë kohë krize. Në dokumente thuhet se, “Kohëzgjatja e kontratës, afati për zbatimin e saj: 80% e sasisë së mallit objekt prokurimi do të lëvrohet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga nënshkrimi i kontratës kurse pjesa tjetër 20 % e sasisë së mallit objekt prokurimi do të lëvrohet deri më 31.12.2023”.
Pra, fondi i përcaktuar do të lëvrohet natën e Vitit të Ri, si një dhuratë festive për kompaninë që do ketë fatin të marrë këtë tender. Përdorim fjal;ën “fati”, pasi çdo tender Veliaj e bën pa garë dhe ia jep kompanisë që paracakton ai vetë.
4.5 milionë euro për pemë për 1 muaj
Brenda këtij muaji Veliaj ka zhvilluar 4.5 milionë euro tenderë vetëm për blerje pemësh. Pak ditë më parë Bashkia e Tiranës ka bërë një tjetër tender për blerje pemësh. Ky është prokurimi i 3-të i këtij lloji në vetëm një muaj. Vlera mesatare për një pemë shkon afro 130 euro. Tenderi i fundit mban datën 21 nëntor 2022 me kërkesë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Institucioni që drejtohet nga Veliaj do të shpenzojë 199 milionë lekë, ose 1.7 milionë euro.
Me këto para do të blihen 13 660 pemë, mes të cilave do të jenë rreth 5000 fidanë bliri dhe po kaq do të jenë rrepe, ndërsa 3 mijë do të jenë shegë. Pjesa tjetër kërkohet të sigurohen manjola, selvi dhe panja të kuqe.
Sipas një llogarie të thjeshtë mesatarisht çmimi i një peme do të jetë 14 mijë lekë, ose rreth 130 euro. Në datën 12 tetor Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit shpalli fituesin e tenderit prej 24 mijë eurosh për pyllëzim me akacie në Njësinë Administrative Pezë me një procedurë pa konkurrim.
Ndërkohë, në datën 15 nëntor Drejtoria e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, shpalli tenderin për të blerë pemë dekorative për zona të ndryshme të Tiranës. Kështu, në vetëm një muaj, janë hapur 3 prokurime me vlerë plot 528 milionë lekë, ose rreth 4.5 milionë euro.
Lexo edhe: Veliaj, tender për “Agallarët”/ 1.7 mld lekë asfalti i rrugicës
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post