Zbulohen zyrtarisht metodat që përdor “Tirana Parking” e krijuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për të zhvatur qytetarët. Në raportin e auditimit, të publikuar këto ditë, KLSH evidenton si problem kryesor planin strategjik, i cili nuk parashikon përllogaritje dhe shpërndarje efektive e burimeve financiare.
Gjithashtu, konsiderohet si fshehje e shpenzimeve të bëra, pasi nuk janë parashikuar kostot vit pas viti për aktivitetin. Ndërkaq, tarifat e vendosura për parkimet nuk janë caktuar në bazë të një studimi që mbështet në ligj, ku të tregohet kostoja reale e shërbimit.
“Nga auditimi u konstatua se, tarifat e shërbimit të parkimit me pagesë dhe përcaktimin e përqindjes variabël të tarifës së parashikuar (-/+ 30% të tarifës bazë), nuk janë mbështetur në studime apo analiza. Në mungesë të analizave argumentuese, tarifa e vendosur përbën riskun që nuk pasqyron vlerën reale për shërbimin e marrë nga qytetarët”, thuhet në dokument.
Sipas KLSH, kemi të bëjmë me një risk të lartë abuzimi me tarifat e parkimit. “Në këto kushte rekomandohet që Bashkia Tiranë të marrë masat për rishikimin e vlerës së tarifave të parkimit me pagesë. Duke i mbështetur ato në analiza dhe studime. Të cilat të argumentojnë vendosjen e tyre në përputhje me shërbimin e ofruar”.
Tarifat i vendos Veliaj!
Në një përgjigje për KLSH-në, Bashkia Tiranë ka pranuar që taksat janë vendosur sipas qejfit nga ky institucion. Të pabazuara në ndonjë studim të bërë paraprakisht. Sigurisht këto janë urdhrat e krybashkiakut Veliaj dhe vazhdojnë të zbatohen.
“Qëndrimi i grupit të auditimit: Përgjigja e institucionit: Lidhur me tarifat e shërbimit tëparkimit me pagesë referuar zonave të shërbimit në Bashkinë e Tiranës, dëshirojmë të informojmë se tarifat aktuale bazë janë vendosur fillimisht me vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.1 datë 17/02/2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Nr.7 datë 07/03/2003 ”, evidentohet në dokument. Pse nuk kanë ndryshuar tarifat qysh nga ajo kohë? Kur janë vendosur këto tarifa, nuk ka ekzistuar Tirana Parking, pra duhej të ndryshoheshin! Përgjigja e Veliajt kërkon të faturojë përgjegjësinë tek krybashkiaku i atëhershëm, tani kryeministër, Edi Rama.
Në fakt është e qartë që tarifat janë sipas dëshirës së Veliajt. Duke shmangur detajet në kontratë dhe vazhdohet abuzimi ndaj qytetarëve.
Projekti pa rezultat
Më tutje në këtë dokument, KLSH del në konkluzionin se projektet e prezantuara nuk janë plotësuar sipas parashikimit fillestar. Duke bërë që të vijnë si pasojë dëme financiare por edhe probleme me vendet e parkimit në Tiranë për qytetarët.
“Nga 5 projekte të parashikuara për menaxhimin e parkimeve në strategjinë për zhvillimin e qytetit të Tiranës, 1 prej tyre nuk është zbatuar deri më 6 mujorin e parë të vitit 2021. Duke cenuar kështu, efektivitetin dhe eficiencën e arritjes së objektivave strategjik “Rritja e kapaciteteve të parkimit në qytetin e Tiranës””, thekson KLSH.
Në lidhje me projektin Tirana Parking, KLSH ka evidentuar problematika me operatorët për të cilat ka përgatitur një propozim konkret në Bashkinë e Tiranës për të negociuar me operatoret telefonike elementet teknike, financiare dhe penalitete për mungesat e ofrimit të shërbimit nga ana e tyre.
Gjithashtu, nga vizita në terren në qytetin e Tiranës u konstatuan problematika lidhur me sinjalistikën e parkimit në shumicën e zonave të kontrolluara nga ana e grupit të auditimit. Konkretisht sinjalistika horizontale dhe vertikale lidhur me parkimin nuk ishte e plotë. Nevojitej ravijëzim i zonave si për parkimin me pagesë ashtu edhe për atë pa pagesë. Veliaj ka zhvilluar disa herë tenderë për këto çështje, por duket se ato para nuk janë investuar për “Tirana Parking”.
Vazhdon kaosi me vendparkimet
Audituesit tregon se, në një qytet si Tirana, ku janë afërsisht 250.000 makina për 852.692 banorë (shifrat për Tiranën referuar vitit 2020), disponohet një total prej 24.000 vende parkimi (duke përjashtuar automjetet industriale, autobusët, etj.). Praktikisht ka 10 herë më pak vende parkimi se sa numri i makinave në kryeqytet.
Përsa i përket parkimit për rezident, nga auditimi rezulton se, numri i vendeve të parkimit për rezident është më i vogël se numri i rezidentëve të Tiranës. Ku përllogaritjet janë bërë vetëm për një makinë për familje dhe jo më tepër.
Kështu, edhe pse Bashkia mashtron që në fund të vitit 2021 janë zgjidhur problematikat në projektin e “Tirana Parking”. KLSH konstaton se gjendja është ende një lëmsh i pandreqshëm që iu kushton para dhe kohë qytetarëve.
“Sa më sipër nuk mund të plotësohen nevojat për vende parkimi për të gjithë qytetarët e ndaj për këtë arsye nevojitet ndërmarrja e masave për ardhjen në ndihmë të tyre, përsa i takon vendosjes së masave mbi shkeljet administrative të parkimit në rrugë. Si dhe të ushtrohet kujdes i veçantë në mënyrë që të mos ketë mbivendosje dhe penalizime më shumë se një herë për të njëjtën shkelje”, rekomandon KLSH.
Vjedhjet nga parkimet me SMS
Sipas KLSH edhe rezervimi i vendparkimit përmes një SMS që çohet në platformën Tirana Parking, nuk ka funksionuar si duhet. Sipas KLSH mosfunksionimi si duhet i sinjaleve për këto mesazhe, ka bërë që të zhduken rreth 5 milionë lekë të ardhurat në vitin 2019 dhe 4 milionë në vitin 2020. Për këto defektet Bashkia nuk ka dhënë asnjë sqarim.
“Tirana Parking ka ndërprerë sinjalin në 10 raste për vitin 2019 dhe 11 raste në vitin 2020. Ku të përkthyera në orë pa pagesë në vit janë 30 orë për 2019 dhe 56 orë për vitin 2020. Nisur nga fakti që në një orë mesatarisht parkojnë 390 makina në zonën A, 187 makina në zonën B dhe 28 makina në zonën C. Sipas tarifimin respektiv të zonave, 100 lekë/ora, 40 lekë/ora dhe 20 lekë/ora. Kjo sjell të ardhura të munguara potenciale për vitin 2019 në 3,938,560 lekë. Dhe për vitin 2020 në 4,376,740 lekë”, thuhet në dokument.
Ndërkohë, Bashkia Tiranë vazhdon të mashtrojë duke thënë se “Tirana Parking” është një nga investimet më të suksesshme. Në fakt është një nga projektet më të kushtueshme.
Esmeralda Hida
Lexo edhe: Megaafera “Tirana Parking”/ Veliaj i shton 56 mln lekë, marrin tenderin pa garë Çaçi dhe Tare
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post