Në Argjentinë të gjithë po jetojnë me futbollin duke përjetuar çdo ndeshje me besimin se ky botëror do të jetë i tyre. Agustin Torasa, futbollist në disa skuadra shqiptare, i cili ndodhet në Buenos Aires, sjell emocionet që kanë pushtuar të gjithë.
“Në Buenos Aires nuk flitet për gjë tjetër veç Botërorit, Argjentinës dhe Messit. Po përjetohen shumë emocione, optimizëm, besim, frikë nervozizëm. Besojmë se ky është botërori jonë”, tha ai për mediat shqiptare.
Si mesfushor sulmues, Torassa bën vlerësimin e tij për ndeshjen e së martës.
“Kroacia është ekip i mirë. Lojtarët kanë kohë të gjatë që luajnë me njëri tjetrin. Ne kemi një eksperiencë të keqe, atë të Rusisë 2018 ku ata fituan 3-0 në fazën e grupeve. Asnjë ndeshje në gjysmëfinale nuk është e lehtë, por për Kroacinë kemi një respekt të veçantë për shkak të asaj që ndodhi në 2018. Kroacia bën lojë të shkurtër dhe ka futbollistë të fortë në mesfushë dhe ky do të jetë çelësi. Skuadra që do të fshehë më shumë topin ajo që do ta mbajë më shumë, do të fitojë. Por ata duhet të jenë të shqetësuar sepse ne edhe në sulm kemi lojtarë shumë të mirë”, u shpreh Torassa.
Emocionet janë të ndryshme, por më së shumti argjentinasit po përjetojnë shpresë dhe besimin te kombëtarja.
“Po ëndërrojmë shumë. Kemi shumë besim pasi po tregon karakter, edhe pse është një grup me lojtarë të rinj. Në këtë botëror Argjentina ka një grup shumë të bashkuar shumë të fortë. Të gjitha pritshmëritë janë tek lojtari më i mirë në botë, që për mua është Messi. Shpresoj që ky të jetë momenti që Messi të fitojë Kupën e Botës. Por në këtë botëror ai ka ndryshuar shumë. Është shumë pranë asaj që Maradona ishte për ne. Shpresoj që netër të jetë ditë e mirë për ne dhe të na çojnë në finale”.
Ndeshja Kroaci-Argjentinë do të luhet këtë të martë në orën 20:00.
Discussion about this post