Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Shkollën 9-vjeçare “Adem Sheme” në qytetin e Sarandës dhe me rastin e 100-vjetorit të themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm arsimor e vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Titulli është dhënë me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në udhëtimin e saj 100-vjeçar në fushën e arsimimit dhe edukimit e brezave të rinj. Për rezultatet e larta mësimore dhe rolin e veçantë në formimin qytetar të rinisë në qytetin e Sarandës dhe në trevën rreth saj. Me mirënjohje ndaj pedagogëve, nxënësve dhe prindërve të tyre, që i kanë prirë me studim, profesionalizëm dhe përkushtim përhapjes së dijes, emancipimit shoqëror, nxitjes së kulturës dhe progresit të shoqërisë sarandjote.”.
Në fjalën e tij përshëndetëse presidenti Meta shprehu mirënjohje për rolin e veçantë në formimin qytetar të rinisë në qytetin e Sarandës, që sipas tij është institucion i rëndësishëm arsimor i përhapjes së dijes, emancipimit shoqëror, nxitjes së kulturës dhe progresit të shoqërisë sarandjote.
“Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë eveniment dhe jam shumë i lumtur, që ndodhem sot midis jush, së pari sepse kam një adhurim të veçantë për mësuesit duke qenë fëmija i dy prindërve arsimtarë dhe e di se çfarë profesioni i bukur dhe tepër i rëndësishëm është ai i arsimtarit për të gjithë shoqërinë. Së dyti, kam shumë respekt për mësuesit dhe mësueset e Sarandës dhe arsyeja është se, nxënësit që vinin në Fakultet nga ky qytet ishin shumë të mirë.
Kjo gjë binte në sy dhe padyshim, që është produkt i mësuesve dhe i shkollës, ndaj dhe ky vlerësim sot i takon të gjithë atyre nxënësve të mrekullueshëm, që u arsimuan dhe u edukuan në këtë shkollë.
Në radhë të parë ju uroj nga zemra: ‘Gëzuar 100-vjetorin! Suksese e mbarësi në misionin fisnik të dijes, shkencës dhe edukimit të brezit më të ri!’ Ka kaluar tashmë një shekull kur në Sarandë çeli dyert kjo vatër e rëndësishme e dijes, kulturës dhe e emancipimit. Nuk ishte rastësi, që shkolla juaj tashmë 100-vjeçare u çel menjëherë pas Kongresit të Lushnjës.
Pasi ky Kongres ngelet një nga aktet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit tonë dhe të shteti tonë. Ai realizoi mbrojtjen dhe garantimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e pavarësisë së plotë të vendit. Akti i ngritjes së kësaj shkolle 100 vite më parë në Sarandë tregon se atdhetarët tanë të mëdhenj, arsimimin dhe shkollimin e brezit të ri e konsideruan në të njëjtën rëndësi me rimëkëmbjen e kombit dhe si domosdoshmëri për të realizuar këtë të fundit!
Ne përulemi sot me respekt të thellë, para themeluesve në veçanti ndaj mësuesit e drejtuesit të parë, të nderuarit Sejfudin Tatzati, shumë figurave të shquara të arsimit si Lame Xhama, Fejzo Mehmeti, Xhelal Berberi, Xhevdet Kofina, Andromaqi Harito, si dhe shumë mësueseve e mësuesve, që me punën e tyre të përkushtuar ju kanë dhënë dije dhe kulturë me qindra e mijëra nxënësve, të cilët kanë kaluar nga bankat e kësaj shkolle. Të nderuar nxënës dhe arsimtarë, më vjen mirë kur konstatoj se fara e dijes e arsimit ka gjetur përherë terren të shëndoshë në truallin e Sarandës, arsimdashëse. Nga 20 nxënës në vitin e saj të parë numri i tyre është rritur progresivisht për të arritur kulmin në vitet 1980-të me 1800 nxënës dhe mbi 60 mësues.
Por, edhe sot pavarësisht nga emigracioni i madh, në arsimohen 1164 nxënës, dhe shërbejnë 65 mësuese dhe mësues të përkushtuar.
Të dashur miq të fushës së arsimit,
Historia e kësaj shkolle është një kronikë e vërtetë përkushtimi i mësuesve dhe nxënësve të saj për të qenë në lartësinë e kërkesave pedagogjike të kohës. Është kënaqësi dhe vlerë që në këtë shkollë marrin dije dhe edukim, edhe nxënës të pakicës kombëtare greke, të cilët i marrin njohuritë në gjuhën amtare greke por edhe në atë shqipe. Vlerësoj gjithashtu faktin se metodat e reja, marrëdhëniet me qytetarët dhe teknikat e mira mësimdhënëse kanë qenë aspiratë dhe objektiv i të gjithë brezave të shkollës ‘Adem Sheme’. Rezultatet e nxënësve dhe stafit të mësuesve të kësaj shkolle janë tashmë të njohura në të gjithë vendin. Ky kolektiv ia ka dalë të përgatisë nxënës të denjë me dije të qëndrueshme e bashkëkohore.
Prandaj dua të falënderoj drejtuesin tuaj për informacionin rreth kontributit në vite të shumë figurave të shquara të shkollës! Emrat e tyre të nderuar janë të shumtë për t’u cituar sot, por kam menduar që për të gjitha këto arritje dhe këtë udhëtim plot përkushtim të nxënësve, stafit pedagogjik dhe drejtues të dekoroj Shkollën 9-vjeçare ‘Adem Sheme’ me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.
Jam i bindur se ky vlerësim do të jetë një nxitje e mëtejshme e arritjeve edhe më të mëdha në të ardhmen. Ju faleminderit.”, tha Meta.