Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, do të shkojë për herë të parë në dyert e Prokurorisë, për t’u pyetur pas vdekjes së një të moshuare në Spitalin e Durrësit. Gjykata e qytetit bregdetar ka urdhëruar Prokurorinë që të pyesi Manastirliun për episodin fatal, të ndodhur në Korrik të vitit 2018.
Prokuroria e kishte shmangur fillimisht pyetjen e Ministres, por gjykata ka urdhëruar që politikania e lartë të japë versionin e saj, pasi dëshmia mund të jetë shumë e rëndësishme për hetimin e zhvilluar për “mjekim të pakujdesshëm”. “Gijotina.com” ka siguruar në mënyrë ekskluzive vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili është mbajtur diskret për opinionin publik.
Diçitura: Vendimi i Gjykatës së Durrësit
Rasti fatal
Shtetasja Liri A., ka kallëzuar disa mjekë të spitalit të Durrësit për “mjekim të pakujdesshëm”, pasi nëna e saj vdiq. Në kallëzim ajo shpjegon se, në datën 7 Korrik 2018, rreth orës 04:15, ajo ka telefonuar urgjencën e spitalit Durrës, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore për nënë e saj Muqere A., e cila ishte rrëzuar nga divani. E ndjera Muqere, kishte rënë me fytyrë në dysheme dhe kishte hemoragji nga hunda dhe nga goja.
Në urgjencë, mjeku roje, rekomandoi serumin dhe e dërguan për skaner të kokës. Nga skaneri nuk rezultoi dëmtim në kokë. Mjeku roje kontaktoi me neurologun me telefon. Neurologu rekomandoi mjekimin dhe më pas e dërgoi nënën me taksi në shtëpi. Nëna hëngri pjesërisht drekë, por nga jashtëqitja e saj dyshoi për hemorogji.
Telefonoi urgjencën dhe rreth orës15:00 e shtruan përsëri në spital. Nga analizat u konstatua se rruazat e kuqe të gjakut ishin përgjysmuar dhe duhet të merrte gjak në reanimacion. Nga kontrolli rezultoi pa hemorragji të brendshme. Pas kësaj, e moshuara “qëndronte në reminacion. Por nga ora 14:00 deri në 06:00 të mëngjesit dera nuk u hap dhe pse kemi trokitur shumë herë”, shpjegon e bija në kallëzim.
“Në orën 06:00 të mëngjesit të datës 08.07.2018, në momentin që ndërrohet turni, arrita të futem në reanimacion, ku gjeta nënën me duar dhe këmbë të lidhura mbas krevatit. Ajo përpëlitej, gërhiste dhe nuk mbushej dot me frymë. Në monitor nuk kishte tregues për pulsin rrahjet e zemrës, sasinë e oksigjenit, etj.
E zgjidha nënën e në atë moment vjen sanitarja për t’i bërë gjilpërën nënës.
Ajo nuk po ia gjente damarin dhe unë i thashë ‘lëre, largohu’. Kërkova të ngrihej koka e krevatit, por nuk funksiononte dhe, me ndihmën e dy sanitareve, e kaluam te një krevat tjetër. Njoftuam mjekun reanimator sepse nëna nuk po mbushej me frymë. Por ai mbërriti shumë vonë dhe nëna u shua, pa e kuptuar.
Në epikrizë, mjekuvreanimator ka shënuar shkakun e vdekjes – pleqëria, gjë që nuk është e vërtetë, sepse vdekja e saj ka ndodhur për shkak të mjekimit të pakujdesshëm.
Për nënën time kujdeseshin dy sanitare dhe jo personeli mjekësor. Pasi mbaruam ceremoninë mortore kam bërë ankesë në spitalin Durrës me Nr. 1897 datë 19.07.2018, përgjigjen për këtë ankesë e kam marrë me datë 15.08.2019. Jam ankuar edhe te ministrja Ogerta Manastirliu, por nuk kam marrë përgjigje, ku kam shprehur shqetësimet e mësipërme dhe kam kërkuar që të zbardhet shkaku i vdekjes së nënës sime”.
Në vijim, kallëzuesja kërkon hetimin për disa mjekë të Spitalit të Durrësit dhe për ministres Manastirliu.
Gjykata: Të hetohet roli i Manastirliut
Prokuroria e Durrësit, pasi kreu disa hetime, kërkoi nga gjykata pushimin e çështjes. Në kërkesën që prokuroria i dorëzoi gjykatës, organi i akuzës konstaton se ka pasur disa problematika në trajtimin e rastit të të ndjerës Mushere A., por ato kanë qenë kryesisht të natyrës administrative dhe nuk kanë ndikuar në ecurinë e shëndetit të saj.
Por, shumë më ndryshe e ka vlerësuar gjykata këtë rast. Gjyqtari i çështjes e ka rikthyer çështjen për hetim në prokurori, duke caktuar edhe disa detyra konkrete. Një ndër këto detyra është edhe pyetja e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Të thellohen hetimet për të identifikuar nëse e kallëzuara Ogerta Manastirliu (e cila në këtë cilësi minimalisht duhet të ishte pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes), i ka marrë apo jo ankesat e viktimës Liri A.? A u është përgjigjur apo jo atyre ankesave? Është bërë apo jo një hetim administrativ për të identifikuar shkakun e vdekjes së të ndjerës dhe përgjegjësinë e personelit mjekësor në shkeljet e evidentuara më sipër? Nëse nuk janë kryer sa më sipër, a ndodhemi para elementëve të shpërdorimit të detyrës?”, shprehet gjykata në vendimin e datës 13 Dhjetor 2022.
Diçitura: Gjykata detyron Prokurorinë e Durrësit që të hetojë nëse Manastirliu ka shpërdoruar detyrën
Po ashtu, gjykata ka caktuar edhe një seri detyrash për prokurorinë, të cilat lidhen me protokollet e trajtimit shëndetësor të të ndjerës.
– Të verifikohet pse në kartelën klinikenuk është përshkruar gjendja pacientes në dalje (data e daljes 07.07.2018, ora 06:00). Dhe pse asnjë prej rubrikave nuk është plotësuar? Kush ishte mjeku përgjegjës për kryerjen e atyre shënimeve në kartelë? Mungesa e atyre shënimeve a ka ndikuar në mos informimin e mjekëve kur e ndjera është ri-shtruar në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj? Moskryerja e atyre shënimeve në kartelë a ka ndikuar në mos identifikimin e gjendjes së pacientes, në mospërcaktimin e një diagnoze të saktë dhe si rezultat në vdekjen e pacientes?
– Të përcaktohet pse nuk gjendet në kartelë CD e ekzaminimit të CT koke (skanerit) dhe as nuk është shkruar në kartelë përgjigja e interpretimi i ekzaminimit të pretenduar se është kryer? Të identifikohet mjeku përgjegjës për këtë mosveprim. A është kryer ky ekzaminim apo jo? Për të verifikuar nëse ekzaminimi është kryer apo jo, të caktohet një ekspert IT. I cili të rikthejë pamjet filmike të ekzaminimit që pretendohet se janë fshirë pas dhjetë ditësh për shkak të memories së kompjuterit. Nëse do të ishte realizuar ky ekzaminim e nëse do ishin shënuar të dhënat e ekzaminimit në kartelë, a do të ndikonte kjo në shmangien e vdekjes së të ndjerës Muqere A?.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post