Një ngjarje e rëndë ka ndodhur javës që kaloi në spitalin e Pejës. Bëhet fjalë për një foshnje të pajetë, e cila dyshohet se është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë. Në lidhje me skandalin në fjalë spitali i Pejës ka njoftuar mbrëmë se janë pezulluar nga detyra shtatë punonjës.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast. Deri më tani ka pezulluar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në njoftim.
Në mesin e shtatë të pezulluarve janë 4 mami, pastruesi dhe dy punonjëse të lavanderisë.
Në njoftimin e spitalit është bërë e ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e datës 13.12.2022.
“Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë në mbrëmjen e datës 13.12.2022 tek një shtatzënë e shtrirë në Spitalin tonë është bërë diagnostikimi i frytit të vdekur nga ana e mjekut kujdestar. Dhe si rrjedhojë ka ndodhur një intervenim kirurgjik dhe fetusi nxirret me prerje cezariane i vdekur në javën e 32 të gestacionit”, thuhet në njoftim.
Deklaratat e Prokurorisë dhe Policisë për rastin
Rasti i cili tronditi opinion të mekurën mbrëma është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe Policia e Kosovës.
Ngjarja e rëndë fillimisht u raportua dje. Ku thuhej se pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në rrobalarësen e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur. E njëjta u nxor copa-copa nga rrobalarësja.
Babai i foshnjës mes lotësh tregoi se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.
Lidhur me këtë ngjarje, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj i tha Telegrafit se kanë nisur hetimet.
Në anën tjetër zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi bëri të ditur se prokurorja e rastit gjatë ditës së djeshme (e mërkurë) ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka thënë Nikçi.
Ndërkaq nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës kanë thënë se rasti është duke u hetuar.
“Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjëherë ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorët e shëndetësisë. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar” , ka thënë zëdhënësi i policisë, Driton Rugova.
Reagimet e politikanëve dhe kërkesat për dorëheqjen e Kurtit
Ngjarja e rëndë në Spitalin e Pejës bëri që në rrjete sociale të “shpërthejnë” reagimet e shumta si nga qytetarët ashtu edhe na politikanë e drejtues të institucioneve.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri për rastin pasi sipas tij prej një kohë të gjatë mungon ministri i Shëndetësisë.
“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast?”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka kërkuar nga Kurti emërimin e shpejtë të ministrit të Shëndetësisë.
“Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, ka shkruar tutje Krasniqi.
Ndërkaq deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu ka thënë se kryeministri Kurti i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi do duhej të dorëhiqet pas këtij rasti skandaloz.
“Ministria e Shëndetësisë tash e sa muaj është pa ministër adekuat. Por që rolin e tij e luan kryeministri si i vetemëruar kryetar i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi. Ky i vetemëruar “ministër” pas këtij skandali do të duhej automatikisht të jepte dorëheqje”, ka shkruar Haxhiu.
Reagim për rastin ka pasur edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se skandalet në spitalet tona kanë një adresë dhe sipas tij adresa është qeveria që nuk po emëron ministrin e Shëndetësisë.
“Sot bëhen 75 ditë që Kosova nuk ka Ministër të Shëndetësisë; të tretin në më pak se dy vite qeverisje. Plot 75 ditë për të caktuar një përgjegjës – një njeri të vetëm – në krye të sektorit më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka shkruar se paaftësia qeverisëse mbetet kryefjalë e udhëheqjes së pushtetit aktual.
“30-të muaj vargë dështimesh dhe padrejtësish ndaj qytetarëve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësor. Skandalet bëhen super skandale. Por më paradoksale është kur pushteti dhe moralizuesit e hershëm heshtin para gjithë kësaj çka po ndodhë në sektorin e shëndetësisë. E turpshme!”, ka shkruar Zemaj.
Çka parashihet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës për dëmtimin e kufomës?
Në bazë të nenit 421, pika 2, personi që ka dëmtuar kufomën dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
“Kushdo që pa autorizim heq, dëmton, shkatërron ose fsheh kufomën, një pjesë të saj ose hirin e të vdekurit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, citohet pika 2 e nenit 421.
Discussion about this post