Sirenat që paralajmërojnë sulme ajrore u dëgjuan në Vitin e Ri në Kiev, teksa Rusia nisi sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj kryeqytetit ukrainas dhe qyteteve të tjera.
Sirenat u dëgjuan për më shumë se katër orë në Kiev, teksa qyteti u sulmua në orët e vona të 31 dhjetorit dhe në orët e para të 1 janarit.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë shkatërruar 45 dronë kamikazë, të prodhimit iranianë që u përdorën në sulme, përfshirë edhe 32 dronë që sulmuan pas mesnatës.
Fjala e Putin
Sulmet vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri, sinjalizoi se Kremlini do të vazhdojë luftën e tij të paprovokuar, që fillimisht ishte menduar se do të ishte një operacion afatshkurtër ushtarak, por që tani ka hyrë në muajin e njëmbëdhjetë. Duke folur nga një bazë ushtarake ruse, Putin pretendoi se “e drejta morale dhe historike” është në anën e Rusisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale pasi sulmet nisën më 31 dhjetor. Ai kritikoi Putinin për vazhdimin e sulmeve ndaj Ukrainës gjatë sezonit të festave, duke shtuar se historia nuk do ta trajtojë me mirësi presidentin rus.
Raketat
“Ka disa valë të sulmeve me raketa në natën e Vitit të Ri. Raketa që po shënjestrojnë njerëzit… Askush nuk botë nuk do të ta falë këtë. Ukraina nuk do të harrojë”, tha ai.
Gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri, Zelensky i tha popullit ukrainas se “dua të uroj për të gjithë ne vetëm një gjë: fitore”.
Përmes një postimi në Telegram, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një person është vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur, përfshirë një gazetar japonez, gjatë sulmeve më 31 dhjetor në kryeqytetin ukrainas.
Ai shtoi se 30 për qind e banorëve të Kievit janë pa rrymë.
Sulmet
Oleksandr Pavlyuk, zëvendëskomandant i forcave tokësore të Ukrainës, shkroi në Telegram se zonat civile në tri qarqe të Kievit janë dëmtuar, përfshirë një shtëpi private dhe një hotel.
“Për pushtuesit nuk ka ligj apo zakon të luftës”, shkroi ai. “Ata mendojnë se do të na mposhtin: nëse jo në fushëbetejë, atëherë përmes shkatërrimit të qyteteve tona”.
“Por, ata janë të destinuar që të dështojnë”, tha ai. “Sepse ne nuk do të ndalojmë së luftuar derisa të rimarrim çdo centimetër të tokës sonë”, shtoi Pavlyuk.
Sulmet e reja vijnë disa ditë pasi Rusia nisi atë që e përshkroi si një prej sulmeve më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës që kur nisi lufta më 24 shkurt 2022.-
REL
Discussion about this post