Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Shëndetit Publik Dr. Vivek Murthy tha të dielën se ai është i shqetësuar rreth numrit në rritje të rasteve të reja të koronavirusit në vend. Sipas tij, një pjesë të fajit lidhur me situatën e kanë kompanitë e medias sociale, që nuk kanë bërë sa duhet, siç tha ai, për të hequr informacionet e rreme mbi nevojën për t’u vaksinuar.
“Jam i shqetësuar rreth asaj që po shohim“, tha zoti Murthy për një program televiziv të rrjetit “Fox News”, ndërsa në vend po diagnostikohen rreth 29,000 raste të reja çdo ditë, afërsisht në të njëjtin nivel si në prillin e vitit 2020, kur pandemia po përhapej për herë të parë në të gjithë vendit. Shqetësim përbën kryesisht varianti shumë ngjitës i koronavirusit, ai Delta.
“Pandemia nuk ka mbaruar. Lajm i mirë është se të vaksinuarit vazhdojnë të jenë ende shumë të mbrojtur“, tha zoti Murthy.
Por ai vuri në dukje se 95% e rasteve të vdekjeve që ndodhin aktualish në SHBA (më shumë se 250 në ditë), ndodhin në mesin e njerëzve që nuk janë vaksinuar.
Duke i bërë jehonë komenteve të fundit të Presidentit Joe Biden, zoti Murthy tha se njerëzit po “përmbyten me keqinformim” lidhur me vaksinat, ku thuhet se ato janë të pasigurta ose të panevojshme.
Javën e kaluar Presidenti Biden tha se keqinformimi i publikuar në faqet e mediave sociale “po vret njerëz”, duke shtuar “se e vetmja pandemi që kemi në vend është ajo mes të pavaksinuarve”.
Facebook-u një media sociale që përdoret nga miliona amerikanë thotë se ka hequr 18 milionë postime me informacion të gabuar rreth vaksinimit. Por doktor Murthy tha se: “pavarësisht nga ajo që ata kanë bërë, nuk është e mjaftueshme. Synimi është i mirë, por po u kërkoj atyre të bëjnë më shumë”.
Në një intervistë tjetër për rrjetin televiziv ABC, zoti Murthy u bëri thirrje amerikanë që përdorin mediat sociale t’i “verifikojnë burimet para se të postojnë” komente mbi efikasitetin e vaksinave.
Të dhënat kanë treguar se shkalla e vaksinimit në SHBA është dukshëm më e ulët në ato shtete që në zgjedhjet e nëntorit të kaluar votuan për ish-Presidentin Donald Trump, i cili herë pas here e minimizonte ashpërsinë e pandemisë. Shpesh, numri i rasteve të reja me koronavirus është më i lartë në këto shtete të cilat kanë votuar zotin Trump.
Disa muaj më parë zoti Biden vendosi si objektiv vaksimin me të paktën një dozë të 70% të të rriturve deri më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Por objektivi nuk u arrit dhe aktualisht numri i të vaksinuarve sipas statistikave të qeverisë qëndron në 68.1%.
Të shtunën përfaqësues të Facebook-ut thanë se Presidenti Biden dhe ndihmësit e tij duhet të ndalojnë duke drejtuar gishtin nga ata që mendojnë se janë fajtorë dhe të detajojnë se çfarë kishte bërë për të inkurajuar vaksinimet.
“Administrata e Presidentit Biden ka zgjedhur të fajësojë një grusht kompanish amerikane të medias sociale“, tha Guy Rosen, përfaqësues i lartë i Facebook-ut. “Fakt është se në SHBA pranimi i vaksinave në mesin e përdoruesve të Facebook-ut është rritur“.
Zoti Rosen tha se të dhënat e kompanisë tregojnë se 85% e përdoruesve të saj në vend janë ose të vaksinuar ose kanë shprehur dëshirën të vaksinohen kundër koronavirusit.
“Facebook nuk është arsyeja që nuk u arrit objektivi prej 70%“, tha zoti Rosen.
Për disa muaj, kompania Facebook ka vepruar kundër keqinformimit, duke ndaluar publikimin e reklamave kundër vaksinave dhe më vonë duke hequr postime me pretendime të rreme në lidhje me to./VOA