Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne tre veprimtarë të shquar shqiptaro-amerikanë për kontributet e tyre të spikatura në shërbim të kauzës shqiptare dhe forcimit të marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i Shtetit i akordoi Dekoratën “Nderi i Kombit”, z.Rexhë Xhaklit (pas vdekjes), me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të merituar dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur e shembullin e tij të rrallë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ndaj humanizmit, ndikimit e kontributit të tij të gjerë shoqëror.”.
Ndërsa me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Presidenti Meta vlerësoi z.Skënder Ukperaj Perolli, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane; me mirënjohje për lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”;
si dhe z.Chrystopher Hyland, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur në drejtim të përhapjes dhe lartësimit të vlerave më të mira të shqiptarëve. Me mirënjohje për kontributin e shquar në thellimin dhe konsolidimin e miqësisë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës”.
Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i lumtur, që jemi sot së bashku, në Institucionin e Presidentit të Republikës, për të vlerësuar tre personalitete shumë të veçanta, të cilët me punën dhe veprën e tyre i kanë shërbyer mbrojtjes së interesave tona kombëtare, njëkohësisht edhe forcimit të marrëdhënieve shqiptaro- amerikane.
Kontributi i tyre për zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe ndihma e jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë e madhe dhe me tepër ndikim.
Miqësia me drejtuesit e institucioneve amerikane dhe me personalitete të ndryshme të Kongresit, Senatit dhe në të gjitha nivelet, ka qenë me ndikim të madh për forcimin e miqësisë dhe raporteve sa më të mira mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Është kënaqësi e veçantë të vlerësojmë sot Rexhë Xhaklin, një personalitet i jashtëzakonshëm, që gjithçka të arritur me sakrifica në jetë, e vuri në funksion të lirisë së Kosovës dhe demokratizimit të Shqipërisë, në të mirë të shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon, si dhe për forcimin sa më të madh të lidhjeve dhe miqësisë shqiptaro-amerikane.
I lindur në Fier dhe i rritur në Ferizaj e Prishtinë, i persekutuar nga pushteti i Aleksandër Rankoviçit, që student në Zagreb, ai u detyrua të emigrojë në Shtetet e Bashkuara.
Familja e tij e ndarë sa në Kosovë edhe Shqipëri, përjetoi persekutimet, burgjet dhe pushkatimet në ferrin e regjimit të Jugosllavisë, por për fat të keq edhe pushkatimet, burgjet, internimet dhe përndjekjen e regjimit komunist në Shqipëri.
Edhe pse familja e tij në Kosovë dhe Shqipëri, po përndiqej në mënyrën me çnjerëzore për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Rexhë Xhakli asnjëherë nuk e ndërpreu veprimtarinë në të mirë dhe interes të çështjes kombëtare.
Rexhë Xhakli është shembulli më i mirë se si sakrifikohet gjithçka për liri, pavarësi dhe demokraci në interes të kombit.
Rexha është shembulli i patriotit të madh por edhe i njeriut modest, i cili bëri shumë për kombin tonë dhe për lidhjet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti.
Po kështu është kënaqësi të vlerësojmë edhe një shqiptaro-amerikan të suksesshëm në veprimtarinë e tij atdhetare në shërbim të kombit dhe vendit të parëve të tij.
Zoti Skënder Perolli është pinjoll i familjes patriotike Ukperaj të Hasit, të cilët kanë dhënë çdo gjë për kombin dhe Atdhun.
Skënderi ishte ndër të parët shqiptarë, që kontribuoi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas rrëzimit të diktaturës komuniste.
Si vlerësim për punën e tij të palodhur në këtë drejtim, ai ka qenë edhe pjesë e delegacionit, që erdhi për të vendosur marrëdhëniet diplomatike në Tiranë.
Skënderi ka dhënë një kontribut të veçantë edhe për afirmimin dhe njohjen e Kosovës dhe të çështjes së saj pranë drejtuesve të institucioneve amerikane.
Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, ai ka qenë në Prishtinë, si pjesë e një delegacioni të lartë shqiptaro-amerikan ku bënin pjesë shumë kongresmenë dhe senatorë të shquar.
Edhe pse shumë i heshtur dhe i pa ekspozuar për punën e madhe që bëri, kontributi i Skënderit për lidhjet në mes të kombit tonë dhe atij amerikan është i veçantë dhe me shumë vlerë.
E gjithë puna e Rexhës, Skënderit, por edhe e personaliteteve të tjera shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të kishte sukses nëse nuk do të kishim gjithashtu edhe shumë miq dhe dashamirës të mëdhenj të kombit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zotit Christopher Hyland është një prej tyre, por edhe miq të shumtë amerikanë, që na kanë mbështetur në çështjet tona të drejta.
Për brezat e rinj të shqiptarëve të Amerikës, emri Christopher Hyland nuk ka ndonjë domethënie të madhe, por nuk ka veprimtar shqiptaro-amerikan në fillim viteve 1990, që nuk e mban mend emrin dhe veprimtarinë e tij në të mirë të çështjes kombëtare shqiptare.
Si mik i ngushtë i guvernatorit të asaj kohe të Arkansasit dhe Presidentit të mëvonshëm të Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, zoti Hyland ishte ura e parë lidhëse në mes të komunitetit shqiptar dhe Presidentit Bill Klinton.
Zoti Hyland ishte në atë periudhë zëri i shqiptarëve pranë tij.
Prindërit e zotit Hyland, ishin miq të një shqiptari tjetër të madh Antoni Athanas, prejt të cilit mësuan shumë gjëra për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.
Si udhëheqës i ekipit të lidhjeve me komunitetet etnike në Nju Jork dhe pastaj në të gjithë SHBA-në, gjatë fushatës presidenciale të Presidentit Bill Klinton, ai u vu në kontakt me personalitetet kryesore shqiptaro-amerikane dhe i afroi me shtabin e zotit Klinton, por dhe u bë zëri i tyre pranë kandidatit për President të Amerikës, për mbrojtjen e çështjes shqiptare.
Për një kohë të gjatë zoti Hyland, ka ndikuar me autoritetin dhe njohjet e tij në politikën amerikane në interes të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo ku jetojnë, si dhe për forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane.
Personalitete të tilla amerikane, miq me vlerë të madhe për kombin tonë si zotin Hyland por dhe të tjerë, do ta kenë gjithmonë vëmëndjen, respektin dhe mirënjohjen tonë!”.