Nismës së Bashkisë së Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike i janë bashkuar sot edhe 250 furra buke. Pas suksesit dhe impaktit tepër pozitiv që pati kjo nismë në reduktimin me afro 60% e përdorimit të qeseve në supermarkete, tashmë pjesë të projektit janë bërë edhe furrat e bukës dhe njësitë e tjera tregtare të ngjashme me to, çka pritet të sjellë reduktimin e përdorimit të afro 1 milion qese në ditë. Marrëveshja e mirëkuptimit për zbatimin e kësaj nisme është nënshkruar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Shoqatës së Prodhueseve të Bukës, Pastiçierisë dhe Brumërave, pjesë e së cilës janë shumica e furrave të bukës në Tiranë.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që projektit të reduktimit të qeseve në Tiranë iu bashkuan edhe prodhuesit e bukës dhe të pastiçerive. “Është më shumë se një fitore e drejtpërdrejtë në betejën për të pasur një Tiranë më të pastër. Bashkimi i shoqatës me 250 furra buke dhe pastiçierie me nismën tonë redukton 1 milion qese në ditë në Tiranë. Kjo bën krenar secilin në shtëpinë e vet sot, është diçka konkrete dhe e prekshme, pra që ne në Tiranë e ndjejmë nga mënyra se si është qyteti sot, më i pastër. Me firmën e sotme, ne hapim një kapitull të ri. Mezi pres që kjo të ndikojë edhe tek të tjerët që në të gjithë Tiranën ta shpallin qytetin më avangard në Ballkan. Nuk ka qytet realisht sot në Ballkan që ta ketë bërë këtë, fillimisht me supermarketet dhe me shitësit e bukës. Ju garantoj që do të na kopjojnë”, tha Veliaj.
Ai theksoi se nisma në fazën e saj të parë të bashkëpunimit me supermarketet ka qenë e suksesshme pasi ka mundur të reduktojë me 60% përdorimin e tyre ose më shumë se 250 milion të tilla në vit. “Ne e filluam 6 muaj më parë me supermarketet. Ka funksionuar në mënyrë fantastike 5-lekëshi dhe 3-lekëshi për qeset e mëdha dhe të vogla, janë më shumë një barrierë psikologjike që duhet realisht të blesh një gjë që mund të mos duhet, a ia vlen një qese për çdo pako çamçakëz, për çdo fasoletë, për çdo karficë? Na ka rezultuar një histori suksesi dhe raportimet që kemi pasur dje nga këto 6 muaj eksperiment në supermarketet e Tiranës ka rënë me 60 % përdorimi i qeseve në supermarket e Tiranës. Në një vit kjo është e barabartë me 250 milionë qese më pak në Tiranë”, bëri të ditur Veliaj.
Ai shtoi se Tirana është tashmë qyteti më anvangard në Ballkan në drejtim të reduktimit të qeseve, duke bërë të ditur njëkohësisht se do të synohet që të shkohet drejt ndalimit të plotë të tyre. Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur edhe një sërë nismash të tjera që vijnë për shtat politikave ambientaliste dhe ekologjike të Bashkisë së Tiranës. Një prej tyre është edhe shtimi i hapësirave pedonale në Tiranë. “Edhe këtë vit, pavarësisht se i kemi kthyer disa hapësira në 100% pedonale, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, prapë do të investohemi edhe këtë vit në disa hapësira të tjera pedonale. Një prej tyre do të jetë sheshi “Nënë Tereza”. Siç e dini, me kohë të pjesshme ai është pedonal, duke filluar nga Presidenca deri te korpusi universitar. Kështu që, një hapësirë do të jetë aty, hapësira tjetër do të jetë pas Ministrisë së Arsimit. Pra duam të kemi hapësira pedonale edhe në disa lagje, si te klubi “Heminguej” dhe disa shtëpi karakteristike të Tiranës, që e kanë potencialin të kthehen në hapësira si Pazari i Ri”, tha Veliaj.
Në kuadër të Javës së Lëvizshmërisë, por edhe të mbajtjes së një ambienti të pastër, Veliaj tha se të premten do të rikthehet nisma “Dita pa makina”, e cila synon të sensibilizojë qytetarët për përdorimin e mjeteve alternative me qëllim uljen e ndotjes në kryeqytet. “Do të kemi edhe ditën pa makina, te premten në datë 22 shtator, ku do të bëjmë një ekspozim të makinave dhe taksive elektrike, pra mjeteve alternative. Gjithmonë e më shumë, energjia do të bëhet më e lirë, kurse karburanti më i shtrenjtë”, tha Veliaj. Rrugët ku do ndalohet qarkullimi i automjeteve ditën e premte do jenë:
1-
Blv. “Dëshmorët e Kombit”, segmenti përpara Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës;
2-
Rruga “Kont Urani”, do të bllokohet hyrja nga rruga e “Durrësit” deri në kryqëzim me rrugën “Mihal Duri”;
3-
Rruga “Brigada VIII” deri ne kryqëzim me rrugën “Vaso Pasha”;
4-
Rruga “Pjetër Bogdani” nga kryqëzimi me rrugën “Vaso Pasha” deri në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Veliaj konfirmoi se shumë shpejt do të nisë dhe testimi i autobusëve elektrik në Tiranë, si një përpjekje që edhe kompanitë private ta ndjekin në këtë risi. “Në muajin dhjetor do të testojmë përfundimisht autobusat elektrikë në Tiranë. Jam shumë i vendosur që Bashkia e Tiranës të ketë një kompani të vetën të autobusëve, edhe për pak konkurencë ndaj kompanive private. Edhe pse kanë performuar më mirë janë ende shumë larg ambicies tonë. Ndaj më vjen mirë që shumë prej privatëve po shikojnë idenë e autobusëve elektrikë. Kjo është e ardhmja, ashtu si ju keni menduar që e ardhmja është që të largohemi nga qeset plastike te buka, ashtu edhe kompanitë e autobusëve duhet të mendojnë se duhet të largohen nga nafta te transporti”, tha Veliaj. Një tjetër nismë që do të vijojë edhe këtë vit dhe që sjellë një përmirësim të mjedisit dhe ajrit në Tiranë është edhe ajo për mbjelljen e pemëve dhe krijimi i Pyllit Orbital.
Kryetari i Shoqatës së Prodhueseve të Bukës, Pastiçierisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia, në emër të të gjithë pjesëmarrësve, shprehu mbështetjen e kësaj nisme si një lëvizje që shërben në reduktimin e ndotjes së kryeqytetit. “Ne kemi rënë dakord njëzëri për mbështetjen e kësaj lëvizjeje që shpresojmë në të ardhmen të sjellë edhe reduktimin e ndotjes së ambientit”.
Më 28 mars 2017, Bashkia Tiranë bashkë me disa nga administratorët e supermarketeve kryesore të Tiranës, nënshkruan marrëveshjen e parë për ofrimin e qeseve plastike me pagesë, e cila u vu në zbatim më datë 3 prill 2017. Më 5 prill, nismës iu bashkuan dhe 7 supermakete të tjera duke nënshkruar marrëveshjen e radhës për vendosjen e tarifimit të qeseve plastike. Më 13 prill, nismës ju bashkuan rrjeti i supermarketeve UNICOP, duke nënshkruar marrëveshjen e radhës për vendosjen e tarifimit të qeseve plastike. Nga të dhënat e marra nga supermarketet si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit, reduktimi i përdorimit të qeseve plastike ka rënë në masën 60%. Heqja e qeseve nga përdorimi ne furrat e bukës nëpërmjet kësaj marrëveshje do reduktojë 1 milion të tilla në ditë.